Kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me Hristijan Mickoskin tha se e gëzon fakti që VMRO-DPMNE nuk i ka problem ndryshimet kushtetuese, shkruan TV21. Kovaçevski tha se personalisht për atë dhe LSDM-në, ndryshimet kushtetuese nuk janë luftë për pushtet.
Në lidhje me: Mickoski: VMRO-DPMNE është e gatshme të hyjë në Qeveri me LSDM-në, por pa BDI-në
“Për mua kjo nuk është luftë për pushtet, për mua kjo është luftë për të ardhmen e shtetit, nga kjo nuk do të heq dorë dhe e përsëris edhe një herë, më gëzon fakti që kreu i VMRO-DPMNE-së dhe përfaqësuesi ii VMRO-DPMNE-së, praktikisht sot thanë se për VMRO-DPMNE-në nuk është problem bërja e ndryshimeve kushtetuese dhe vendosjen e popujve tjerë në kornizën e Kushtetutës sonë”, tha mes tjerash Kovaçevski.
Duke e komentuar deklaratën e Mickoski, i cili sot tha se pranon të bëhet pjesë e Qeverisë bashkë me LSDM-në, Qeveri që do të miratonte ndryshimet kushtuese dhe do të organizonte zgjedhje, por pa praninë e BDI-së, Kovaçevski tha se kjo Qeveri do të bëhej me të gjithë partitë, pa përjashtime.
“Ai vlerëson se disa parti nuk duhej të jenë pjesë e Qeverisë, disa parti duhej të jenë pjesë e Qeverisë. Mendoj se neve na duhet Qeveri që do të jetë një bashkim i gjerë i të gjithëve”, pohoi mes tjerash Kovaçevski./tv21.tv