20/05/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

KPMD: Pagesa e pushimit të lehonisë është e drejtë sociale e të gjitha grave

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) këtë vit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, informon për mendimin e miratuar, i cili konstaton diskriminim indirekt, të zgjatur, ndërsektorial ndaj fermereve individuale – të siguruara, në bazë të seksit, gjinisë, statusit personal dhe përkatësisë në një grup të margjinalizuar në ushtrimin e së drejtës në fushën e sigurimit shëndetësor – të drejtën e kompensimit të pagës gjatë mungesës nga puna për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe lehonisë, transmeton Portalb.mk.

Procedura është iniciuar pas peticionit të dorëzuar nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Lag Agro Lider, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si propozuese e Ligjit për sigurim shëndetësor, është identifikuar si diskriminues në këtë rast. Për zgjidhjen e këtij problemi sistemik, Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë rekomandon që të përgatisë ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, në mënyrë që të parashikohet e drejta e kompensimit në rast të paaftësisë së përkohshme për të kryer veprimtarinë bujqësore për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe lehonisë për fermeret individuale, si të siguruar shëndetësor.

“Pushimi i lehonisë me pagesë është një e drejtë sociale kyçe e gruas, e parashikuar me Kushtetutë dhe marrëveshje ndërkombëtare, prandaj shteti ka detyrimin që këtë të drejtë ta sigurojë pa përjashtim për të gjitha femrat e siguruara”, thonë nga KPMD.

Në vitin 2022, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka vepruar në gjithsej 65 kërkesa në të cilat arsyet e raportuara për diskriminim kanë qenë seksi dhe/ose gjinia, ndërsa pas 22 prej këtyre kërkesave, Komisioni ka përcaktuar diskriminimin në bazë të seksit dhe/ose gjinisë. Këto të dhëna vetëm theksojnë nevojën e vazhdueshme që Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e diskriminimit ndaj grave, veçanërisht grave nga grupet e margjinalizuara.

“Me këtë mesazh theksojmë luftën e vazhdueshme për barazi gjinore dhe nevojën për të adresuar diskriminimin sistematik të grave në të gjitha fushat sociale. Nga ana tjetër, duke rritur ndërgjegjësimin për këto çështje, ne përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë. Le të shërbejë ky njoftim si rikujtues për domosdoshmërinë e angazhimit aktiv dhe real, dhe jo vetëm deklarativ, nga të gjitha institucionet shtetërore dhe aktorët aktivë në luftën për barazi gjinore dhe rëndësinë e mbështetjes dhe fuqizimit të gruas në të gjitha fushat shoqërore të jetës”, thonë nga KPMD.

Gratë, të cilat merren me bujqësi në viset rurale në Maqedoninë e Veriut, thonë se ndihen të diskriminuara pasi nuk arrijnë të gëzojnë të drejtën e pushimit të lehonisë, pavarësisht se janë të regjistruar si fermere dhe paguajnë për sigurim pensional dhe shëndetësor.

Një nga to është dhe Sonja Pusoska, nënë e tre fëmijëve nga rrethina e Krushevës.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se menjëherë pas lindjes është dashur që me foshnjën e saj disa javëshe në krah apo të vendosur në karrocë, të dalë në arë, për të punuar, pasi të vetmet të ardhura në familjen e saj janë ato që i sigurojnë përmes prodhimeve bujqësore.

“Isha e detyruar të dal në arë për të punuar menjëherë pas lindjes së fëmijëve, pasi neve grave fermere nuk na takon pushimi i lehonisë. Kështu që, bashkë me foshnjën e vendosur në karrocë apo duke e mbajtur në krahë, unë kam punuar gjithçka që ka të bëjë me punët në bujqësi”, tregon ajo.

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.075 gra si fermere.

Në saje të masave që ka miratuar Ministria e Bujqësisë për afirmimin e grave që merren me bujqësi, fermeret paguajnë shkallë më të ulët për sigurim pensional dhe atë shëndetësor, pra që më pas të gëzojnë të drejtën e pensionit dhe të marrin shërbimet shëndetësore. Mirëpo, ato nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën e pushimit të lehonisë.

Të fundit