30/04/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kush janë politikanët maqedonas që e pranuan publikisht se gabuan me shqiptarët?

Shteti ka keqtrajtuar shqiptarët. Maqedonasit dhe shqiptarët duhet ta shohin ardhmërinë e tyre në krijimin e një shoqërie dinamike me standarde evropiane dhe vlera që të gjithë atyre, pa dallime fetare, racore, apo përfaqësie politike. Ne jemi me mendje të errësuara, brenda në Maqedoni, ne jemi vetëm serbofilë, nuk jemi as jugosllavë dhe kjo më tej na shkakton problem në gjithë ndjenjën e shtetësisë. Janë këto qëndrime, pozicione politike, por edhe perceptime të politikanëve maqedonas, por jo të atyre që veprojnë sot, por të politikanëve me përvojë që ishin protagonistë në skenën politike në vitet e 90-ta, shkruan Zhurnal.

Nxitimi për shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, sot Maqedonia e Veriut, dhe për t’i shpëtuar luftës nga Jugosllavia dhe “JNA”-ja famëkeqe, kishte krijuar mangësi të cilat pastaj do të lenin shumë pasoja gjatë shtetformimit. Këtë elita politike maqedonase do ta kuptojë pas konfliktit të 2001-shit.

Ish kryetari i Qytetit të Shkupit dhe ish kryetar i Partisë Liberal-demokratike, Risto Penov, në emisionin “Vo centar” e ka pranuar se në vitet ’90 shteti ka keqtrajtuar shqiptarët, të cilët, sipas tij, me të drejtë po kërkonin më shumë të drejta.

“Më duhet ta pranoj se shqiptarët kishin të drejtë që kërkonin më shumë të drejta. I kishim shtrënguar në të gjitha fushat. Me ligj i ndamë komunat, me çka Shkupin, Kërçovën, dhe Strugën i bëmë qytete me shumicë maqedonase. Ndamë Sarajin dhe Matkën nga Shkupi dhe në Strugë e ndamë Veleshtën dhe një tjetër fshat që përbën egërsi totale. Shkuam aq larg saqë në Tetovë në zgjedhjet lokale ndonëse fitoi një shqiptarë, ne kryetar e bëmë një maqedonas, babain e profesoreshës, Renata Deskoska”, tha Penov.

Deklarata e mësipërme na detyron që me shkas të përmendim edhe qëndrime tjera politike nga politikan maqedonas, që janë në të njëjtën linjë. Kujtojmë deklaratën e ish Kryeministrit Lubço Georgievski:

“Përherë po na ndodhë diçka, qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda dhe, thënë thjesht, vështirë se po e çajmë këtë rrugë të inegrimit euro-atlanitk, kurse nuk mund të kuptojmë se kjo është A-ja të cilën duhet ta zgjidhim. Edhe nga plani i sigurisë, edhe nga plani i ekzistimit, edhe nga plani ekonomik, edhe demokratik, ne patjetër duhet t’i kapërcejmë të gjitha problemet, të shkojmë përpara. ….

Ne jemi me mendje të errësuara, brenda në Maqedoni, ne jemi vetëm serbofilë, nuk jemi as jugosllavë dhe kjo më tej na shkakton problem në gjithë ndjenjën e shtetësisë. Problem i dytë i madh që, të themi, unë e kam pranuar shumë herë, është që nuk i kuptuam kërkesat e shqiptarëve nga viti ’90-të”, pati thënë ndër të tjera Lubço Gerogievski.

Edhe ish kryeparlamentari Stojan Andov nuk mendon ndryshe nga dy ish kolegët e mësipërm.

“Shoqëria në Maqedoni është multietnike dhe shteti gjithashtu është multietnik. Për gjendjen e tillë të një shteti kompleks, përgjegjësi më të madhe mbajnë etnikumet më të mëdha në shtet, domethënë maqedonasit dhe shqiptarët. Për fat të keq, në vitin 1991 nën ndikimin e regjimit të trashëguar propagandues të Millosheviqit në Serbi, ne në Maqedoni nuk arritëm të mbledhim forcë që t`i kundërvihemi asaj propagande dhe për këtë shkak bëmë disa gabime, veçanërisht ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë. Gabimi i parë ishte që nuk u dakorduam me shqiptarët se si të quhet çështja e referendumit, dhe ajo procedurë për ne maqedonasit na bën të marrim një përgjegjësi të madhe që shqiptarët e Maqedonisë nuk dolën në referendumin në vitin 1991. Kjo çoi dhe që deputetët shqiptarë në Kuvend të mos votojnë mbi Kushtetutën e parë për Maqedoninë e pavarur”, kishte deklaruar në një intervistë Andov.

Ndryshe, klasa e re e politikanëve maqedonas nuk e pranojnë një gjë të tillë, mbase edhe ju kushton poena politik. Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shtet ku politikanët, por edhe partitë politike ia shohin “hajrin” vetëm retorikës nacionaliste./Zhurnal

Të fundit