20/05/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kuvend, propozim-ligji për shpronësim, VMRO: Do të barazohen objektet ilegale me legalet

Propozim-ligji për shpronësim të pronave përgjatë rrugës ndërtimore të korridoreve 8 dhe 10-D, u pasua me kundërshtime të shumta dhe kritika nga deputetët e VMRO-DPMNE-së në komisionin për çështje evropiane.
Në debatin e nisur për të vazhduar të hënën, deputetët akuzuan pushtetin për barazimin e ndërtimeve ilegale me ato të ligjshme, për të cilat do të vijojnë shumë konteste gjyqësore.
“Kjo nënkupton se ai që ka bazë që të regjistrojë objektin e tij, nuk do të dëmshpërblehet, ndërkaq ai i cili vetëm se ka dorëzuar kërkesë do të dëmshpërblehet. Ky është diskriminim klasik dhe shkelje e të drejtës së pronësisë me çka shumë qytetarë do të vihen në gjendje të pakëndshme dhe nga këtu do të dalin shumë konteste gjyqësore dhe dëmshpërblime, të cilat do t’i paguajë shteti.”, – deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dejanço Eftimov.
“Me ndryshimet aktuale, nga fillimi i merret dikujt toka, prona apo objekti dhe niset me ndërtim dhe gjatë procedurës më tej do të vendoset nga ankesa e personit në gjykatë.  Kjo do të shkaktojë probleme shtesë, pasi që zgjidhja aktuale nga qeveria është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2010-të  në të cilin thuhet: përderisa nuk ka hyrje në fuqi të vendimit të shpronësimit në të gjitha instancat, nuk mund që shpronësimi të konsiderohet i përfunduar.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Besimi: Nuk bëjmë legalizim të ndërtimeve të egra
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, me kundërvlerësim se nuk bëhet legalizim i ndërtimeve të egra.
“Nuk bëhet fjalë për shpronësim të objekteve ilegale, vetëm se rregullohet e drejta e qerasë gjatë akomodimit që të mos ketë ngecje në projekt dhe për objektet të cilat nga 2012-ta deri në 2018-ën kanë dorëzuar kërkesë për legalizim, ndërkaq institucionet ende nuk e kanë përfunduar procedurën e legalizimit.”, – u shpreh ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Opozita maqedonase gjithashtu kritikoi caktimin e vlerës së shpronësimit, ndërkohë që nuk dihet projekti, vija nëpër të cilët do të shtrihet rruga ndërtimore.
“Si i parashikuat 300 milion eurot për shpronësim, ndërkaq nuk keni projekt, nuk keni elaborim gjeodezik me të dhëna numerike, se cila është sipërfaqja e shpronësimit dhe vetëm thoni se shpronësimi do të kushtojë 300 milion euro.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mirçe Axhioski.
Shpronësimi, sipas opozitës, vështirë të realizohet duke pasur parasysh ngecjet tanimë gjashtë vite të eksproprijimit në autostradën Kërçovë – Ohër.
MERAL ISMAILI

Të fundit