Kuvendi i RMV-së e ka votuar Ligjin e ri për Procedurën Civile me 81 vota pro, 9 kundër dhe pa asnjë abstenim, duke e cilësuar atë si një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të reformës për avancimin e sistemit gjyqësor dhe përafrimin e tij me standardet moderne evropiane.
Ky kuadër i ri ligjor synon të krijojë mundësi për procese gjyqësore më të shpejta, më efikase dhe me standard më të lartë cilësie, ndërsa njëkohësisht garanton më shumë siguri juridike dhe mbrojtje më të mirë të të drejtave të qytetarëve dhe personave juridikë.
Ligji i miratuar parasheh rritjen e rolit të gjykatës në konstatimin e gjendjes faktike, përfshirjen e mjeteve bashkëkohore dixhitale në punën e gjykatave, si dhe lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave, sidomos në rastet e mosmarrëveshjeve me vlerë më të vogël.
Një nga risitë më të spikatura të këtij ligji është mundësia që dokumentet të dorëzohen në mënyrë elektronike dhe që seancat gjyqësore të zhvillohen përmes mjeteve elektronike, çka pritet të ulë edhe më tej kostot dhe kohëzgjatjen e procedurave.







