25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Largohet regjimi i stikersave, Kosova dhe Serbia ia njohin targat njëra tjetrës

Më 4 janar, Qeveria e Kosovës, vendosi për heqjen e letrave ngjitëse mbi targat e Serbisë, gjatë qarkullimit të tyre në territorin e Kosovës.

Po ashtu edhe automjetet me targa RKS, që nga 1 janari, qarkullojnë pa letra ngjitëse në territorin e Serbisë, me vendimin e qeverisë së saj.

Para hyrjes në fuqi të vendimit, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve, në Merdarë, mbi targat serbe vazhdoi vendosja e “letrës ngjitëse”, edhe më 5 janar.

Ishte pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së premte sqaroi se si kishin ardhur deri tek vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa”.

“Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”, ka potencuar fillimisht Kurti.

Por sipas tij, në rast se Policia e Kosovës, ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë.

Ky vendim u mirëprit nga ndërkombëtarët, i pari që reagoi ndaj këtij vendimi ishte Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovë për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

 

 

Të fundit