27/07/2024
23.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lidhja Evropiane për Ndryshim: E respektojmë të drejtën e secilit besim, por jemi kundër provokimeve me simbolet fetare

Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,
Dje ishim dëshmitarë se në Kodrën e Diellit u vendos një kryq gjigand. Ky veprim i pamatur e trazoi opinionin. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë moment, si dhe duke pasur përvojë me skenarët kur pushtetet ka shfrytëzuar emocionet e qytetarëve për të krijuar tensione ndëretnike e ndërfetare, sot jemi këtu për të deklaruar se ne – drejtuesit e subjekteve të Lidhjes Europiane për Ndryshim – as nuk kemi qenë e as nuk do të jemi kundër simboleve fetare të asnjë besimi fetar, por as nuk do të lejojmë që dikush t’i keqpërdorë këto simbole për të krijuar konflikte mes qytetarëve, pasi simbolet fetare gjithmonë përçojnë porosi për paqe e jo për konflikte.
Në realitet, në Kodrën e Diellit ka nga një objekt kulti të myslimanëve dhe ortodoksëve dhe kjo askujt deri më sot nuk i ka penguar. Por, me vendosjen e kryqit, dje, krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të krijojë incidente dhe të krijoj konflikt të ri mes qytetarëve.
I bëjmë thirrje Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Fetare, Kishës Ortodokse Maqedonase, Arqipeshkvisë së Ohrit, gjegjësisht Mitropolisë së Tetovës, që konform kompetencave të tyre të marrin masa e ta heqin vetë këtë kryq, e mos lejojnë që feja të shdërrohet në vegël për të krijuar tensione mes qytetarëve tanë.
Njëkohësisht bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, si organ me kompetenca të drejtëpërdrejta në këtë çështje, që të veprojë sa më shpejtë në përputhje me detyrat e saj Ne e dimë se ky institucion është nën udhëheqjen e BDI-së dhe nëse nuk veprojnë do t’i konsiderojmë partner të heshtur me partitë maqedonase, më parë me VMRO-DPMNE-në, tash me LSDM-në, ndaj i bëjmë thirrje që urgjentisht t’i bashkohen aksionit në bazë të detyrimeve të tyre ligjore, sepse nxitje të tilla janë të pafalshme për këdoqoftë.
Ne jemi dëshmitar të së kaluarës se vendosja e këtillë e objekteve të kultit, pa leje, pa plan dhe me imponim, gjithnjë është kuptuar si provokim dhe ka shkaktuar skena të padëshirueshme.
Duke pasur një përvojë të tillë, ne e kemi parë këtë skenar në të kaluarën, si një parti maqedonase luan luanin, një parti shqiptare luan shqiponjën para zgjedhjeve dhe kur hyjnë në zgjedhje kthehen në një kotele dhe një harabel, prnadaj ju bëjmë thirrje për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë, i bëjmë thirrje Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, që të mos lejojnë të bëhen viktima të politikave nacionaliste.
Ndërsa BDI-së dhe të gjithë partnerëve të tyre maqedonas, u bëjmë thirrje që të ndalojnë me keqpërdorimin e simboleve fetare për të përfituar pikë politike ditore, të dalin urgjentisht në opinion dhe të kërkojnë nga autoritetet e Kishës Ortodokse që të tërheqin kryqin. Në këtë mënyrë do të krijohen kushtet që në vend të zhvillohet respekti i ndërsjelltë dhe bashkëjetesa.
Lidhja Europiane për Ndryshim është e interesuar që komunitetet fetare në vendin tonë të jenë fisnikërim i jetës shpirtërore të qytetarëve tanë dhe të mos lejojnë që të instrumentalizohen për qëllime politike.
Sidoqoftë, Lidhja as nuk do të heshtë e as nuk do të bie pre e provokimeve që synojnë prishjen e paqes, harmonisë dhe marrëdhënieve ndërtnike e ndër-religjioze në vendin tonë.
Shkup, 17.11.2023
Lidhja Europiane për Ndryshim

Të fundit