27/05/2024
12.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Llaskarca”, eksperti Mamuti: Analizuam rrugën dhe shoferin pasi ekspertët e makinerisë na thanë që autobusi nuk është shkaktar

Jakub Mamuti, Lupço Apostollovski dhe Nevzat Zekir, janë tre ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit për autobusin e aksidentuar të “Durmo Turs” në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit. Prokurori Darko Jakimovski filloi me parashtrim të pyetjeve ndaj Mamutit në lidhje me superekspertizënraporton Portalb.mk.

“Përafërsisht për një vjet e kemi përgatitur superekspertizën e komunikacionit, gjegjësisht prej pranverës deri në dhjetor”, tha Mamuti.

A keni ndërmarrë aktivitete në terren në lidhje e përgatitjen e superkespertizës së komunikacionit, gjegjësisht a e keni kontrolluar rrugën, stacionin e kontrollit teknik apo karakteristikat e autobusit, pyeti prokurori Jakiomvski

“Po kemi bërë kontrolle, përveç në stacionin e kontrollit teknik. Gjatë kontrollit teknik të autobusit nuk kishte gjëra të rëndësishme, ndërkaq në vendin ku ka ndodhur aksidenti kemi bërë ekspertizë prej zonës më të gjerë. Vendin e aksidentit e kemi kontrolluar disa herë, ashtu sikur edhe autobusin”, tha Mamuti.

Por pse nuk keni lënë asnjë dokument apo gjurmë të aktiviteteve në terren që të mund të ju besojë, e pyeti prokurori ekspertin.

“Sepse vizitat i bëjmë për nevojat tona që ta konstatojmë gjendjen faktike. Në kontroll të autobusit kemi qenë se e kemi ditur se do të pyetemi, a keni qenë dhe pse s’keni qenë. Sipas praktikës kur nuk gjemë asgjë nuk e shkruajmë, por edhe nëse do të kishim gjetur diçka, nuk do ta shkruanim pasi që ajo është e fushës makinerike”, tha eksperti Mamuti.

Avokati Sasho Dukovski reagoi ndaj parashtrimit të pyetjeve nga ana e prokurorit, duke theksuar se nuk ka nevojë të shkruhet çdo send, pasi që superkespertiza bëhet për arsye që t’i mënjanojë dallimet mes palëve.

“Superekspertiazz është ekspertizë për t’i mënjanuar dallimet e ekspertizave të mbrojtjes dhe Prokurorisë”, tha Dukovski.

Eksperti tha se gjatë përgatitjes së superekspertizës kanë punuar në tre faza, gjegjësisht e kanë lexuar materialin, kanë bërë verifikime në terren dhe më pas e kanë shkruar. Ai shtoi se ata i kanë analizuar shkaqet e aksidentit vetëm për rrugën dhe shoferin, pasi që për autobusin e kanë analizuar kolegët që e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

“Sipas mendimit të kolegëve nga superekspertiza makinerike, autobusi nuk është faktori për aksidentin dhe për atë, kjo na ka lehtësuar dhe kemi vazhduar t’i analizojmë dy faktorët tjerë për aksidentin, gjegjësisht rrugën dhe shoferin”, tha Mamuti.

Ai tha se në vazhdimësi dhe paralelisht kanë bashkëpunuar me kolegët që e kanë kryer superekspertizën makinerike.

“Ne jemi konsultuar me ekspertët e superekspertizës makinerike dhe ata na kanë konfirmuar se asnjëri prej sistemeve të autobusit nuk është shkaktar për aksidentin”, tha Mamuti.

Ekspertët pritet të dëshmojnë për disa seanca me radhë, ndërkaq paralajmëruan edhe prezantim të gjetjeve të tyre nëpërmjet kompjuterit.

Në seancat paraprake kanë dëshmuar ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

Të fundit