Të tjera lajme

“MALI SHARR” SHËNOI PESËVJETORIN E SHPALLJES SI PARK KOMBËTAR

Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, me një ceremoni solemne të organizuar në lokalitetin Leshnicë, shënoi pesëvjetorin e shpalljes së Malit Sharr Park Kombëtar. Nga institucioni theksojnë se shpallja ishte një akt historik, me të cilin u plotësua pjesa e fundit e mozaikut të zonave të mbrojtura dhe Ballkani fitoi një nga zonat më të mëdha ndërkufitare të mbrojtura, me një sipërfaqe prej afro 240.000 hektarësh natyrë të pandërprerë, të përbashkët për Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë.

Parku Kombëtar Mali Sharr administron pothuajse të gjithë masivin e Sharrit, nga Jazhinca deri në Duf, një territor që përbën strehë për biodiversitet të jashtëzakonshëm, dhjetëra liqene akullnajore, kullota malore, pyje dhe shumë vendbanime që prej shekujsh jetojnë në harmoni me natyrën.

Me rastin e jubileut u organizua një ecje malore nga Bozovca deri në Leshnicë, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të përjetojnë nga afër bukuritë natyrore të Malit Sharr. Përmes prezantimeve të rojtarëve të zonës së mbrojtur dhe vullnetarëve udhërrëfyes, ata u njohën me pasurinë e biodiversitetit, vlerat natyrore dhe aktivitetet që zhvillon institucioni.

Një nga rezultatet më të rëndësishme është edhe regjistrimi i rrëqebullit të parë nga vetë institucioni, pikërisht në Luginën e Leshnicës, duke konfirmuar se kjo zonë vazhdon të jetë një strehë e sigurt për disa nga kafshët e egra më të rralla dhe më të rëndësishme të Ballkanit.

Edhe pse Parku Kombëtar Mali Sharr është një nga institucionet më të reja të këtij lloji në vend, ambicia e tij mbetet e qartë: përmes menaxhimit modern, mbrojtjes së bazuar në shkencë, partneritetit me komunitetet lokale dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, Mali Sharr të shndërrohet në një nga destinacionet natyrore më të njohura dhe më të vizituara në Evropë./Tv Koha/

Të fundit