22/10/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia e Veriut po zbrazet – Qeveria duhet të balancojë pagat me standardin jetësor!

Maqedonia e Veriut çdo ditë e më shumë po zbrazet. Sipas të dhënave më të fundit, rreth 700 mijë qytetarë janë larguar nga Maqedonia e Veriut. Tendencat aktuale tregojnë se një numër i madh i qytetarëve po largohen nga vendi dhe parashikimet janë që ky numër do të rritet edhe në të ardhmen. Ka disa arsye kryesore të emigrimit, por esenca është te mungesa e besimit tek institucionet.

Korrupsioni i lartë dhe paqëndrueshmëria e madhe politike, dëshira për një standard më të mirë jetese, problemet me arsimin, shëndetin, mungesa e perspektivës për fëmijët, janë vetëm një pjesë e arsyeve që i shtyjnë në radhë të parë të rinjtë e arsimuar për të realizuar ëndrrën e tyre jashtë vendit.

Në raportin “Kapitali njerëzor, migrimi dhe si ta formojmë së bashku të ardhmen” që është publikuar nga OECD thuhet se numri i emigrantëve nga Maqedonia e Veriut në BE është rritur për pesë herë në dekadën e fundit. Një e katërta e popullsisë e cila është e aftë për punë po largohet nga vendi, duke ndikuar në produktivitetin, por edhe sistemin shëndetësor dhe pensional.

Në raport thuhet se nga viti 2011 deri në vitin 2019, janë mbi 700 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut që janë larguar nga vendi ose pothuajse çdo i katërti është larguar nga vendi, shkruan zhurnal.mk.

Ndërkaq në sondazhin e fundit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), i cili ka në fokus problemet ekonomike që shqetësojnë qytetarët dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, thuhet se 56 për qind e qytetarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, krahasuar me 11.1 për qind të të anketuarve që deklaruan se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Ndërkaq, 31.3 për qind e të anketuarve kanë qëndrim neutral.

Korrupsioni dhe krimi, çmimet e larta dhe inflacioni, politikat e këqija të qeverisë, varfëria, politikanët dhe papunësia janë arsyet kryesore pse shumica e të anketuarve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Për 4,3 për qind të të anketuarve, arsyeja është emigracioni, ndërsa 3 për qind mendojnë se janë negociatat me BE-në dhe problemet me Bullgarinë. Integrimi në BE dhe çështja e hapur me Bullgarinë është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet shteti vetëm për 6,7 për qind të qytetarëve dhe është në vendin e pestë sipas sondazhit, ku mbizotërojnë problemet ekonomike. Standardi i jetesës, pagat dhe pensionet e ulëta janë në krye të listës së problemeve më të rëndësishme për 27.2 për qind të të anketuarve. Anketa është kryer në periudhën prej 13 deri më 24 prill të këtij viti.

Katër nga dhjetë të anketuar shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit të familjes (mbi 60 përqind) për ushqim. Pothuajse gjysma e popullsisë (48%) thonë se shpesh ose herë pas here kanë vështirësi në pagesën e faturave në fund të muajit, ndërsa qytetarët me status më të ulët socio-ekonomik (89%) dhe ata që jetojnë në zonat rurale (53%) kanë vështirësi më të mëdha për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Shumica e qytetarëve (91%) besojnë se rritja e çmimeve është kërcënimi më i madh për gjendjen e tyre financiare dhe sugjerojnë që Qeveria t’i japë përparësi “stabilitetit të çmimeve”. Qytetarët mirëpresin vendimet e qeverisë për ngrirjen e çmimeve (83%), rritjen e pagës minimale neto (72%) dhe kufizimin e marzheve të fitimit për produktet ushqimore bazë (68%). Shumica e qytetarëve (67%) mendojnë se Qeveria duhet të vazhdojë me subvencionet për produktet ushqimore dhe faturat e energjisë elektrike (48%) si masë efektive për zbutjen e efekteve negative të krizës. Në planin afatshkurtër, shumica e qytetarëve mendojnë se ulja e çmimeve të produkteve të caktuara ka efekte, por kjo duhet të plotësohet me masa afatgjata si rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve.

Maqedonia e Veriut duhet të diskutojë politikat për të mbushur këtë boshllëk në rrafshin njerëzor dhe ekonomik. Në Agjencinë e Punësimit përqindja e të papunëve është ende e lartë – por 93.4% e të papunëve janë analfabetë funksionalisht, pra aftësitë e tyre nuk përputhen me tregun e punës. Prandaj është e nevojshme të bëhen ndryshime, që nënkupton rikualifikim dhe ndryshim të shprehive të punës.

Problemi qëndron gjithashtu në politikat e gabuara të 30 viteve të fundit që kanë prodhuar një fuqi punëtore që nuk përputhet me nevojat e tregut. Është shqetësuese edhe fakti se përqindja e personelit me arsim të lartë dhe të rinj që tani po largohen nga vendi është shumë më e lartë, për dallim nga tendencat e 20, 30 viteve më parë kur largoheshin ata me arsim të ulët.

Regjistrimi i fundit tregoi se popullsia e Maqedonisë së Veriut po plaket, dhe përqindja e të rinjve që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit po rritet. Në dy dekadat e fundit numri i banorëve në vend është ulur me 185,834 persona ose me 9.2 për qind. Kjo do të thotë se ka humbur një popullsi e barabartë me dy ose tre qytete më të mëdha në vend.

Aktualisht plani i Qeverisë nuk është kthimi i të larguarve, por përfshirja aktive e tyre në krijimin e politikave për të ardhmen e brezave të rinj. Të rinjve duhet t’iu krijojmë mundësi që do t’i lejojnë të arrijnë potencialin e tyre të plotë në vendin e tyre, por në të njëjtën kohë do t’i bëjnë ata mjaft konkurrues për botën.

Fatkeqësisht, mungesa e punëtorëve imponon nevojën e importit të fuqisë punëtore dhe ky është një proces i pashmangshëm, ku Maqedonia e Veriut ngjashëm si vendet tjer atë rajonit po shkon drejt saj.

Nëse në Gjermani ka mungesë të fuqisë punëtore dhe njerëzit tanë shkojnë të punojnë atje, duhet të kuptojmë se jemi një vend tërheqës edhe për disa punëtorë që do të vinin këtu, sidomos nga vendet e Azisë.

Pagat e Maqedonisë së Veriut duket se janë më konkurruese sesa vendet nga vijnë këta punëtorë. Për shembull, në sektorin e ndërtimtarisë tashmë ka një fluks punëtorësh nga Turqia, pagat e të cilëve janë deri në 50 për qind më të larta se ato që merrnin në vendin e tyre, por ka pasur interes edhe për sektorin e IT-së, i cili është tërheqës për punëtorët nga India dhe Pakistani. Megjithatë, pagat e popullatës vendase duhet të balancohen me standardin jetësor, ndryshe e gjithë popullata që është e aftë për punë do të largohet dhe shteti do të detyrohet të hapë dyert për punëtorë nga vendet e varfëra.//Zhurnal.mk

Të fundit