07/10/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Masat anti-krizë”, qytetarët: Për shkak të zgjedhjeve dhe të vonuara

Qytetarët thonë se me masat anti-krizë, pushteti po shtron shtegun parazgjedhor. Sipas tyre, këto ndihma është dashur të jepen nga shtatori kur shpenzimet ishin rritur dukshëm e disa të tjerë nuk besojnë fare se do ti marrin.

“Zoti bereqet ju dhashtë! Po për çfarë e kanë bërë këtë, a po ta lidh hiç që është para zgjedhjeve? Kjo duhet të ketë ndonjë pasojë por nuk e di! Pensionet e rregullta mjaft kërkuan ti rrisin por këto janë me afat të shkurtër.”

“Dardha ka bisht o birë! E bëjnë, por nuk e bëjnë si duhet, nuk është në terezi. Nuk vlen ajo shkurt e shqip. Gjitha anët ikin, të rinjtë dolën jashtë, çfarë na duhen këto ndihma kur vendi u zbraz. Asgjë nuk janë këto!“.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe! Asnjëherë nuk kanë dhënë e as që do japin. Kush është atje do të merr, të tjerët nuk do të kenë sërish. Neve nuk na takojnë ato masa, 21 mijë denarë marrim pension a jemi dy persona, unë nuk marr por burri merr pension. Dhe si tu besosh! Ata i fusin vetë në xhepa”.

“Para zgjedhjeve u bë! U deshtë ti përkrahin ata që thanë 3,500-5,000 denarë të ju rrisin të gjithëve njësoj pensionet, por para zgjedhjeve tash dikujt i japin e dikujt mos ti japin.”

“Për pensionet s’na del hesapi. O vëlla, unë kam punuar 41 vite dhe marr vetëm 20 mijë denarë, po kjo eshtër katastrofë”.

Ndërkaq autoritet thonë se këto masa janë projektuar që moti dhe janë paralajmëruar sikurse ato paraprake që kanë për qëllim zbutjen e krizës. Kriteri kryesor në krijimin e masave nga pakoja e nëntë e masave anti krizë, sipas Ministrisë së Financave është përkrahja për kategoritë më të ndjeshme, të cilat janë gjithsej 662 milionë euro, prej të cilave 81 milionë euro janë përkrahje direkte nga buxheti, ndërsa pjesa tjetër janë mjete jashtëbuxhetore përmes huave të favorshme për ekonominë dhe për EMV-në për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike. Për zbatimin e masave anti krizë në vitin 2023 janë ndarë 189 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 do të ndahen edhe 327 milionë euro.

“Me anë të këtyre masave do të përmirësohet standardi i pensionistëve, do të përkrahen nxënësit dhe bujqit. Qëllimi është ruajtja e standardit, por edhe përkrahja e ekonomisë përmes konsumit. Masat do të kenë efekt më të madh në ekonomi, që do të përkrahet nga kreditë e Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale prej rreth 400 milionë eurove investime dhe efekti multi-plifikues. Mjetet do të jenë me kushte të favorshme, me interes më të ulët që do të subvencionohen përmes Buxhetit në mënyrë që kompanitë të paguajnë interes më të ulët se ato në treg”, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Njëri nga burimet tjera që do mbush arkën e masave anti-krizë është edhe tatimi solidar. Nga pagesa e 156 kompanive do arkëtohen jo më shumë se 49 milion e 260 mijë euro thonë nga DAP. Edhe këto nuk janë paguar të gjitha në afat! Kanë mbetur edhe 11 kompani pa paguar tatimin solidar, për çka DAP ka nis të bllokoj xhirollogaritë bankare të 8 prej tyre duke u marrë paratë që i takojnë tu kthejnë shtetit. /Alsat.mk

Të fundit