11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Masat qeveritare anti-krizë: Masa konkrete stabilizimi apo ryshfet i lirë parazgjedhor?

Mjete financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vauçerë për studentët dhe ndihmë për pensionistët, mbështetje për bujqërit dhe kompanitë. Kjo parashikohet në pakon e nëntë të masave antikrizë të Qeverisë, me 26 paragrafe në vlerë 662 milionë euro. Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se parashikohet një ndihmë financiare disamujore për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve. Masat do të vlejnë nga 1 dhjetori dhe paratë sigurohen nga taksa e solidaritetit dhe parashikohen në buxhet.

Një pjesë e opinionit është e kënaqur me këtë lloj ndihme, por një pjesë nuk është e kënaqur dhe e konsideron këtë një “ryshfet” për qytetarët në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara. Sipas nënkryetares së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, pakoja nuk është gjë tjetër veçse “një pako e lirë e ryshfetit parazgjedhor që vjen vetëm disa muaj para zgjedhjeve të dyfishta parlamentare dhe presidenciale”.

– Dhe sigurisht shuma është shumë më e vogël se sa thonë ata. Kjo më kujton një periudhë të kaluar (si kjo për zgjedhjet) kur ofertimi bëhej me shifra, kur dëgjuam se 1 miliard euro ndihma për qytetarët dhe ekonominë, dhe Enti Shtetëror për Revizion konstatoi shumë më pak, por edhe keqpërdorime të mëdha, thotë Dimitrieska-Koçoska, përcjell PRESSonline.al

Ajo potencon se vendi është në një krizë të vazhdueshme financiare dhe energjetike vitet e fundit për, siç thotë ajo, paaftësinë e kësaj qeverie. Ajo beson se “do të kishte qenë e virtytshme që ata të dilnin dhe ta thonin atë, të thonë se kjo qeveri i gaboi të gjitha masat në lidhje me inflacionin, se ka shkatërruar standardin e jetesës dhe tani ka vendosur në këtë mënyrë të ju ndihmojë pak.”

-Kujdes, në deklarata me saktësi potencojnë numra të pensionistëve, të të rinjve që të ardhurat në shtëpi janë nën 50.000 denarë. A nuk janë këto shifra dërrmuese? Në vend që të ulin varfërinë, e kanë rritur atë që nga viti 2017. Kush e ka fajin që vendi nuk ecën përpara? Kush e ka fajin që çmimi i energjisë elektrike është rritur me mbi 50%? Kush e ka fajin që sot 1000 denarë nuk vlejnë? Prandaj tashmë është qesharake t’i referohemi një lloj krize, por duhet thënë qartë se kjo krizë ka emër dhe mbiemër, që janë BDI dhe LSDM, thekson nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së.

Bashkëbiseduesja pajtohet se masat duhet të jenë sistematikisht të qëndrueshme në afat të gjatë. Ajo beson se nuk mund të ndryshosh një herë metodologjinë e përllogaritjes së pensioneve për pensionistët dhe si rrjedhojë për disa vite me radhë pensionet thuajse nuk kanë rritje dhe pastaj të kthesh metodologjinë e vjetër dhe të mburresh se ke bërë diçka.

– LSDM dhe BDI shkatërruan pensionistët dhe sot diferenca mes pensionit më të lartë dhe atij më të ulët është më e madhe se kurrë. Sot ka një varfëri të madhe mes pensionistëve. Prandaj ne si VMRO-DPMNE propozuam masën për vitin e parë, rritje lineare të pensioneve për 5000 denarë. Jemi duke punuar seriozisht edhe në zgjidhje sistematike për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, për studentët, për arsimim dual, që fëmijët të qëndrojnë në Maqedoni. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë biznesit dhe i kushtojmë vëmendje të madhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Programi ynë do të hartohet me shumë kujdes sepse është përgatitur nga një ekip i ekonomistëve më të mirë të cilët janë të fokusuar në zgjidhje sistemike dhe afatgjata, tha Dimitrieska-Koçovska.

Nga ana tjetër, profesori i financave dhe ekonomisë, Zoran Ivanovski, thekson se Qeveria ka mbetur konsekuente në politikën e saj për të intervenuar me një paketë të caktuar masash për t’u përballur me pasojat e krizës. Në një bisedë për “Lokalno”, ai tregon se një politikë e tillë i ngjan “përdorimit të kovës për të ujitur kopshtet”, ku burimet financiare të shtetit shpërndahen mbi një numër të madh përfituesish, më së shumti për të ndihmuar kategoritë vulnerabël dhe për të reduktuar varfërinë, ndërsa “mbetet perceptimi se një pjesë e madhe e ndihmës ka një shans të lartë për të përfunduar tek përfituesit e gabuar.”

– Vlerësimi im është se një politikë e tillë nuk do të sjellë përparim ekonomik në vend, domethënë do të ndikojë vetëm në zbutjen e tendencave të pafavorshme ekonomike në vend në afat të shkurtër. Rezultate shumë më të mira si për ekonominë ashtu edhe për qeverinë do të ishin marrë me përdorimin e përqendruar të fondeve buxhetore për ndërtimin e projekteve kapitale dhe infrastrukturore, nga të cilat do të përfitonte e gjithë shoqëria dhe efekti do të reflektohej në rritjen e PBV-së, thotë Ivanovski.

Sipas tij, shumica e shoqërisë pret të shohë rezultate konkrete nga Qeveria, siç janë projektet e mëdha të realizuara në energjetikë, infrastrukturë të trafikut, shëndetësi dhe në sferën sociale.

– Masa do të ndikojë në ngrohjen afatshkurte të konsumit dhe ndoshta në rritjen e inflacionit, me një efekt modest në rritjen ekonomike. E konceptuar në këtë mënyrë, paketa e masave i ngjan masave nga Serbia fqinje, ku po zhvillohet një fushatë zgjedhore dhe që opozita atje akuzon se ka për qëllim tërheqjen e votuesve. Mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme nëse përllogaritjet e Qeverisë do të kenë efekt te votuesit, konkludon profesori.

Të fundit