29/05/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbi 100 laureatë të Nobelit kërkojnë lirimin e Byalyatskit

Njëqindetre laureatë të Çmimit Nobel kanë nënshkruar një letër duke kërkuar lirimin e fituesit të Nobelit të Paqes për vitin 2022, bjellorusin Ales Byalyatski.

Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut në këtë letër përshkruhet si simbol shprese dhe frymëzimi për kolegët në mbarë botën.

Apeli për lirimin e tij është publikuar në faqen e klubit ndërkombëtar PEN International.

Në letër theksohet se Byalyatski “ia kushtoi jetën e tij promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Bjellorusi” duke “guxuar të thërriste Aleksandër Lukashenkan të jepte llogari për shtypjen e tij të pamëshirshme, të vazhdueshme dhe sistematike të zërave të pavarur”.

Në mesin e nënshkruesve janë laureatët e çmimit në kimi, mjekësi dhe fiziologji, fizikë, ekonomi, letërsi dhe paqe.

Dy laureatë – astronomi 87-vjeçar Robert Woodrow Wilson dhe mikrobiologu 91-vjeçar Hamilton Smith – e fituan çmimin në vitin 1978.

Midis nënshkruesve janë dy rusë, fituesi i Çmimit të Paqes Dmitry Muratov dhe fizikani Konstantin Novosyolov.

Autorët e letrës kërkojnë lirimin dhe heqjen e akuzave jo vetëm ndaj Byalyatskit, por edhe ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës për të drejtat e njeriut Viasna, të themeluar prej tij.

Gjashtëdhjetë vjeçari Byalyatski u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2022 për punën e tij për të drejtat e njeriut. Ai ndodhet në burg që nga viti 2021.

Aktivisti veteran u dënua me 10 vjet burg në mars me akuza për kontrabandë dhe evazion fiskal dhe për organizim të protestave kundër sundimtarit autoritar, Alyaksandër Lukashenka.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore e kanë quajtur dënimin e motivuar politikisht.

Më 21 maj, në Bjellorusi, me iniciativën e aktivistëve të të drejtave të njeriut, shënohet Dita e Solidaritetit me të Burgosurit Politik. Aksione në mbështetje të tyre u zhvilluan në dhjetëra qytete evropiane.

Sipas organizatës Viasna, të paktën 1,525 të burgosur politikë mbahen në burgjet e Bjellorusisë. /REL/

Të fundit