23/05/2024
11.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbrojtja e të dhënave personale dhe marketingu i drejtpërdrejtë

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e përkufizon marketingun e drejtpërdrejtë si çdo lloj komunikimi i cili kryhet në çfarëdo mënyre sipas arritjeve më të fundit teknologjike, me qëllim dërgimin e përmbajtjeve reklamuese, të marketingut ose propaganduese drejtuar drejtpërdrejt një subjekti të caktuar të të dhënave personale, si dhe përpunimin e të dhënave personale që përfshin edhe profilizimin deri në atë shkallë në të cilën është i lidhur me këtë lloj komunikimi.

Me fjalë të tjera, marketingu i drejtpërdrejtë nënkupton përdorimin e të dhënave personale të një qytetari (emri, mbiemri, numri i telefonit, adresa e postës elektronike, adresa IP, etj.) me qëllim një person që përpunon të dhëna personale të reklamojë produktin e tij ose produktin e një pale të tretë drejtpërdrejt tek ai person. Për shembull, dërgimi i materialit reklamues me postë elektronike ku personi i cili përpunon të dhëna personale i drejtohet drejtpërdrejt një personi tjetër konsiderohet marketing i drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, lënia e materialit të përgjithshëm reklamues me ofertat më të reja të personit i cili përpunon të dhëna personale në kutinë postare të qytetarëve nuk konsiderohet marketing i drejtpërdrejtë në kontekstin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale sepse personi i cili i përpunon të dhënat personale në këtë rast nuk i përdor të dhënat personale të qytetarit për të arritur tek ai.

Përpunimi i të dhënave personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë lejohet sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, por vetëm me pëlqimin paraprak të personit të dhënat personale të të cilit përpunohen për këto qëllime. Për shembull, shumë ueb faqe ofrojnë opsion për t’u abonuar në buletinin e tyre në mënyrë që t’ju dërgojnë periodikisht informacione për risi dhe produkte që gjenden në atë ueb faqe. Me fjalë të tjera, këto ueb faqe kërkojnë pëlqimin tuaj për t’i përdorur të dhënat tuaja personale në mënyrë që t’ju dërgojnë periodikisht oferta, përkatësisht të bëjnë marketing të drejtpërdrejtë. Në rastet kur personi ka dhënë pëlqimin e tij për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, ai në çdo kohë mund t’i paraqesë kundërshtim personit i cili i përpunon të dhënat personale me qëllim revokimin e pëlqimit të tij, pra ta urdhërojë personin i cili bën përpunimin e tyre që ta ndërpresë procesin e përpunimit të të dhënave të tij personale për ato qëllime. Më shumë rreth pëlqimit mund të lexoni këtu.

Kur bëhet fjalë për të dhënat personale dhe marketingun e drejtpërdrejtë, duhet doemos të flitet për rrjetet sociale. Përveç qëllimit dhe funksionit të tyre themelor – lidhja e njerëzve nga e gjithë bota, rrjetet sociale kohët e fundit janë shndërruar në “banka” të të dhënave personale që më pas përdoren ekskluzivisht për marketing të drejtpërdrejtë. Gjegjësisht, çdo rrjet social, si Facebook, Instagram, Twitter dhe të tjerë, kërkojnë disa të dhëna personale bazë me qëllim për të lejuar qasje në të (të paraqitur si “krijim i profilit” në rrjetin social. Gjithashtu, ato ofrojnë opsione të ndryshme për plotësim të profilit të përdoruesit me qëllim për të zhvatur edhe më shumë të dhëna personale. Më në fund, ato përdorin algoritme dhe funksione të ndërlikuara, për të mbledhur informacione për sjelljen e përdoruesit, interesat e tij, mënyrën e përdorimit të rrjeteve sociale etj. Këto “pako” të të dhënave personale janë mjaft joshëse për t’u përdorur për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, sepse paraqesin profilizim shumë preciz të përdoruesve, për t’i shndërruar më tej në konsumatorë. Marketingu i drejtpërdrejtë është në fakt burimi më i madh i financimit në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, pëlqimi i nevojshëm për kryerjen e marketingut të drejtpërdrejtë nga rrjetet sociale (ose palët e treta të lidhura me rrjetet sociale) shpesh zhvatet nëpërmjet kushtëzimit të përdoruesve se pa atë pëlqim ata nuk do të fitojnë qasje në rrjetin social. Përdoruesit, gjithashtu, shpeshherë dhe në mënyrë të pavetëdijshme japin pëlqim për shumë prej mënyrave në të cilat rrjetet sociale mbledhin të dhëna. Për shembull, në të kaluarën “bëhej zhurmë” për shkak të kërkesës së rrjeteve të veçanta sociale për të pasur qasje në kamerën ose mikrofonin e pajisjes së përdoruesit – opsion që tani është standard te të gjitha rrjetet sociale dhe përdoret si një mënyrë e lehtë për shpërndarjen e fotografive ose videove në to.

Për shkak të sulmeve dhe rrjedhjeve të shpeshta të të dhënave personale që janë mbledhur nga rrjetet sociale, si dhe mënyrave gjithnjë më intrusive të mbledhjes së të dhënave personale, për shkak të mbrojtjes së përdoruesve, nevojitet kujdes më të madh, si dhe informim rreth qëllimeve për të cilat kërkohet pëlqimi nga përdoruesit. Gjithashtu, përdoruesit duhet të kenë kujdes se çfarë dhe në çfarë mase shpërndajnë në rrjetet sociale, në mënyrë që të mos keqpërdoret nga një palë e tretë.

Nga ana tjetër, nëse ueb faqja nga shembulli i lartpërmendur i përdor të dhënat personale me pëlqim të dhënë për marketing të drejtpërdrejtë nga personi, do të konsiderohet se personi i cili i përpunon të dhënat personale ka kryer shkelje. Për shembull, nëse personi i cili i përpunon të dhënat personale, me pëlqim të personit i cili dëshiron të marrë informacione periodike nga ueb faqja, e ka mbledhur dhe e përpunon datëlindjen e tij për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë dhe pastaj e përdor atë të dhënë personale për t’ia uruar ditëlindjen, do të konsiderohet se janë tejkaluar qëllimet për të cilat është marrë pëlqimi.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale lejon përpunimin e të dhënave personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, me kusht që të merret pëlqim nga qytetari. Meqë marketingu i drejtpërdrejtë luan rol gjithnjë më të madh në jetën e përditshme, qytetarët duhet doemos të jenë të kujdesshëm se ku dhe në çfarë mase e japin pëlqimin e tyre për përpunimin e të dhënave të tyre personale, në mënyrë që të shmangen veprimet e mëtejshme të padëshiruara ose keqpërdorimet e tyre.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Të fundit