03/02/2023
2.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Më 27 tetor 1927, Lady Elisabeth Carnarvon peruroi shkollën e Kavajës.

Themelimi i këtij institucioni arsimor erdhi në kuadër të akteve të shumta mirëbërëse të familjes britanike Herbert në Shqipërinë e viteve ‘20. Realizimi i projektit për çeljen e shkollës u motivua prej kujtimit të birit të ndjerë të familjes Herbert, Habry.
Në vitin 1923, Lady Carnarvon pajisi Spitalin Psikiatrik të Vlorës me mjete, ilaçe dhe dy infermiere të specializuara. Nëpërmjet fondacionit “Herbert”, krijoi dhe solli në Shqipëri fondacionin “Rockfeller” dhe shoqatën bamirëse “Near East Foundation”, që dhanë një kontribut të konsiderueshëm në luftën kundër varfërisë.
Lady Carnarvon institucionalizoi luftën kundër malaries duke ngritur qendra shëndetësore për mjekimin e rregullt të mijëra shqiptarëve të prekur. Dha ndihmëse të paçmueshme në strehimin e familjeve të shqiptarëve të Kosovës në Kavajë.
I dhuroi Shkollës Teknike Amerikane pajisje, orendi dhe punishte të vogla industriale. Në tërësi të veprave të saj bamirëse, veçohet ndërtimi i Bibliotekës për Djelmërinë Shqiptare, e cila zotëronte një fond prej 5.000 librash në gjuhë të huaj.
Më poshtë, vendim i Këshillit të Ministrave drejtuar Prefekturës së Durrësit dhe Nënprefekturës së Kavajës, mbi ndihmën që ka dhënë zonja Hober Herber për strehimin e emigrantëve kosovarë, si dhe emërimin “Herbert” të katundit të ri që po formohej.      Autori i shkrimit; Gazmend Arifi

Të fundit