18/05/2024
17 C
Tetovo

Të tjera lajme

Me transparencë kundër dezinformatave

Në kuadër të projektit “Përdor faktet” i Institutit për Studime të Komunikimit, i cili duhet të forcojë rezistencën e publikut të gjerë dhe grupeve vulnerabël në Maqedoni ndaj dezinformatave, javën e kaluar në platformën Zoom janë mbajtur disa konferenca me gazetarë nga disa mediume vendore. Në seancën, në të cilën morën pjesë gazetarë nga mediat e shkruara dhe agjencitë e lajmeve, kontributin e vet e kishte edhe gazeta KOHA në shkëmbimin e përvojave në punën e saj lidhur me transparencën e institucioneve dhe qasja deri te informacionet. Profesoresha Vesna Shopar, e cila është pjesë e ekipit që e zbaton hulumtimin, në fjalën e saj hyrëse potencoi se transparenca e institucioneve është jashtëzakonisht e rëndësishme në luftën me dezinformatat.

Të motivuar nga vetëdija se (dez)informatat janë një mjet i fuqishëm, madje edhe një armë për arritjen e qëllimeve të subjekteve dhe grupeve të caktuara interesi dhe politike, si në nivel global ashtu edhe në atë të brendshëm në Maqedoni, ky hulumtim synon të kontribuojë në zhvillimin kritik dhe aktiv të opinionit, gjegjësisht një opinion që di të njohë informacione dhe lajme të besueshme, por edhe të krijojë dhe shpërndajë përmbajtje mediatike në mënyrë të përgjegjshme dhe etike, duke përdorur avantazhet e teknologjisë dhe rrjeteve digjitale.

Qëllimi i hulumtimit është përcaktimi i nivelit të transparencës së institucioneve publike si parakusht për zvogëlimin e rrezikut të spekulimeve dhe dezinformatave. Projekti financohet nga Ambasada Britanike në Shkup dhe zgjat nga viti 2022 deri në vitin 2025. Nga përvojat e gazetarëve të ndara në debatin e së premtes, përshtypja e përgjithshme është se transparenca e institucioneve në Maqedoni është më formale, gjegjësisht dalin në prag të qasjes në informata nëse institucionet vlerësojnë se do të kenë një efekt promovues dhe afirmativ për ta, ose të paktën që institucioni specifik të mos preket nga investigimi gazetaresk. Për këtë lloj të transparencës, institucionet më shumë i praktikojnë pres-konferencat, brifinget joformale me gazetarë, dhe kumtesat. Punët me transparencën e institucioneve, rëndohen kur gazetarët kërkojnë informata për çështje të caktuara që janë më të thella nga versioni zyrtar. Si dobësi e transparencës u përmendën ueb faqet jo të azhuruara të institucioneve, por edhe nevoja të paguhet qasja deri te informacioni në disa institucione.

Regjistri Qendror dhe Kadastra u përmendën si institucionet më transparente, ndërsa institucionet shtetërore, si ministritë dhe Qeveria, janë ende relativisht më profesionale në komunikim me gazetarët sesa komunat, përkatësisht vetëqeverisja lokale. Ministria e Sistemit Politik është përmendur si ministria më jotransparente, dhe transparenca e MPJ-së është e llojit të mbajtjes së konferencave për shtyp dhe brifingjeve, por pothuajse asnjëherë nuk u përgjigjen pyetjeve specifike të gazetarëve për tema gazetareske. (koha.mk)

Të fundit