Sipas Mexhitit, biblioteka e re do të jetë një hapësirë moderne shumëfunksionale, e përshtatur për nevojat e studentëve, studiuesve akademikë, si dhe të gjithë qytetarëve që kërkojnë mundësi të reja për arsim dhe zhvillim kulturor.
“Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe. Po nisim procedurën për transformimin e hapësirës mbi Sheshin ‘Skënderbeu’ në një bibliotekë moderne, të hapur për nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët. Kjo do të jetë një shtëpi e dijes dhe kulturës në zemër të Çairit,” u shpreh Mexhiti.
Ai njoftoi se projekti do të “pasurojë jetën kulturore në komunën e Çairit dhe se do të mundësojë qasje më të lehtë në literaturë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera, për të gjitha brezat”.
Nga ana tjetër, Komuna njoftoi se më shumë detaje rreth zgjidhjes arkitekturore të hapësirës, si dhe afatit kohor në të cilin biblioteka pritet të presë vizitorët e saj të parë, do të shpallen në periudhën e ardhshme.
Kupolat gjysmësferike (tendat) në Sheshin Skënderbeu në Shkup janë pjesë e projektit origjinal të sheshit. Ndërtimi i sheshit filloi në vitin 2012, ndërsa projekti u përmbyll dhe u hap zyrtarisht në fund të gushtit / shtator 2017, kur edhe kupolat u vunë në funksion si e vetmja pjesë e mbuluar e sheshit për mbrojtje nga shiu dhe temperaturat e larta. Megjithatë, me kalimin e viteve ato u dëmtuan dhe u grisën për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.







