25/07/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

MINISTRI DURMISHI NË TAKIM ME OEMPV: PRIORITET MBËSHTETJA E BIZNESEVE TË VOGLA DHE TË MESME

Sot realizova takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Mendi Qyra i shoqëruar nga Nazmi Ejupi, Xhemail Dauti dhe Durim Zekiri. Qëllimi i takimit ishte njoftimi me subjektet afariste anëtare të kësaj ode, si dhe prezantimi i masave, instrumenteve dhe aktiviteteve të parashikuara në Buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës deri në fund të vitit.

Në këtë takim theksova se fokusi kryesor i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës tani e tutje do të jetë bashkëpunimi i ngushtë me sektorin e biznesit përmes të cilit do të krijohen politika të qarta për mbështetjen e kompanive. Porosita përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të mbështesin të gjitha iniciativat që vijnë nga Odat ekonomike, iniciativa që do të nënkuptojnë përmirësimin e mjedisit ekonomik në shtet, si dhe përmirësimin e kushteve jetësore e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, respektivisht vlerën e shtuar në cilësinë e jetës së tyre.

Bashkëpunimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës me përfaqësuesit e odave në të ardhmen do të zhvillohet në të gjitha fazat e hartimit të ligjeve, programeve, dokumenteve strategjike, etj. Ky bashkëpunim përfshin marrjen parasysh dhe përfshirjen e sugjerimeve, propozimeve dhe indikacioneve të tyre në të gjitha dokumentet dhe aktet ligjore që përpilohen.

Gjithashtu, në diskutimin me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, u shkëmbyen mendime edhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit duke marrë parasysh zhvillimet aktuale ekonomike dhe politike, si dhe për nevojën e përfshirjes më të madhe në përgatitjen e zgjidhjeve ligjore që prekin drejtpërdrejt sektorin e biznesit.

Të fundit