30/04/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ministria e Shëndetësisë: Dy mjekët e kthyer nga Madridi nuk janë të infektuar me coronavirus

Dy mjekët që u testuan për coronavirusin rezultojnë negativ. Edhe pse ata nuk kishin simptoma të virusit testimi u krye për shkak të pjesëmarrjes së tyre në një kongres në Madrid, ku njëri nga ligjëruesit ka qenë i prekur nga korona.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë është theksuar se edhe përkundër rezultatit negativ dy mjekët do të jenë në izolim dyjavor në shtëpi. Ndërkohë negative rezultojnë edhe testet e kryera ndaj dy personave të tjerë, njëri shtetas kinez dhe tjetri shtetas i Maqedonisë së Veriut-student i ardhur nga Italia.
Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se gjendja shëndetësore e gruas me coronavirus po përmirësohet. Ndërkohë edhe pse sot pritej furnizimi i shkollave me mjete dezinfektuese, Filipçe thotë kjo do të ndodhë brenda javës.

Gjatë fundjavës në Maqedoni kanë arritur rreth 10 autobusë me udhëtarë në kalimin kufitar Tabanoc si dhe disa aeroplanë me pasagjerë në dy aeroportet e vendit, ku të gjithë udhëtarët janë intervistuar dhe për asnjërin deri më tash nuk ka dyshime për prezencën e virusit.

Numri i të vdekurve në korniza botërore ka tejkaluar 3,000 ndërsa i të prekurve vetëm në Kinë është më shumë se 88,000 ndërsa në pjesën tjetër të globit më shumë se 7,000. Në rajonin e Evropës deri më tash numri i të prekurve ka shkuar në mbi 2000.

Të fundit