Para se të merrte bursën në Universitetin e Cambridge-it në Angli, Mirlinda Ademi fiton disa çmime me punën shkencore. Çmimin “Erwin Wenzl Preis” e fiton për punimin më të mirë të diplomës në Vjenë, ndërsa “Stephen W Kuffler Award” në Hungari, si shkencëtare e re më e talentuar në BE Një tjetër histori suksesi e vajzave shqiptare në Austri. Bëhet fjalë për Mirlinda Ademin, një vajzë tejet e thjeshtë, por me një vullnet shumë të madh. Mirlinda është lindur dhe rritur në Linz, ndërsa me prejardhje është nga Gostivari. Në Linz ajo ka mbaruar shkollën e mesme. Studimet e mjekësisë i ka mbaruar në Vjenë në vitin 2018, ndërkohë vitin e fundit të studimeve e ka kryer në Zvicër ku dhe ka bërë praktikën.Ajo na tregon rreth asaj kohe: “Para se të merrja bursën e fakultetit Cambridge fitova disa çmime me punën shkencore që bëja në lidhje me arterosklerozën në fakultetin e mjekësisë në Vjenë. Ato janë “Erwin Wenzl Preis” që e fitova për punimin më të mirë të diplomës dhe “Stephen W Kuffler Award” në Hungari për shkencëtarët e rinj më të talentuar në BE si dhe disa çmime të tjera nga Meduni Wien dhe në kongrese”, thotë ajo për revistën albinfo.at
Pasioni për shkencën dhe vullneti i madh e frymëzojnë të vijojë studimet postdiplomike për doktor shkence të mjekësisë në Universitetin e “Cambridge” në Britaninë e Madhe. Për të studiuar në këtë universitet, ajo fiton 2 bursa. Në tetor të vitit 2018 fillon studimet për doktoratë dhe në vitin 2023 mbron titullin me temën „Roli i gjeneve SARM1 dhe NMNAT2 për sëmundjet nervore. Gjatë kohës së punimit të doktoratës, Mirlinda është marrë me hulumtime shkencore në departamentin e Shkencave klinike neurologjike. Një nga fokuset e punës së saj shkencore është se, pse disa individë janë më të predispozuar të kenë sëmundje degjenerative të trurit dhe çfarë faktorësh luajnë rol, sidomos në aspektin gjenetik.
Tashmë ajo punon në një spital në Heidelberg, Gjermani, si mjeke asistente në departamentin neurologjik. Qëllimi i saj kryesor është që dikur të kombinojë punën klinike me atë shkencore.
Ajo thekson: “Prindërit e mi, Hashim dhe Lumnije Ademi, kanë sakrifikuar shumë si
emigrantë në Austri për të na mundësuar ne fëmijëve një jetë më të mirë. Janë ata të
cilët i falënderoj, pasi që në vegjëli na e kanë bërë të qartë se dituria dhe edukimi
janë çelësi i suksesit”, thotë ajo dhe vazhdon: “Ëndrra ime, që e vogël, ka qenë të bëhem mjeke ose shkrimtare. Që herët lexoja libra me prindërit megjithatë duke u rritur më janë shtuar interesat, gjë kjo që ka ndikuar në formimin tim të gjithanshëm“.
Mirlinda beson se fati është ai që vendos ose të shtyn në rrugën e duhur. Pra, ndodh shpeshherë që jeta të na japë një drejtim të cilin ndoshta nuk e kemi imagjinuar. Në moshën 17 vjeçare nuk e kishte idenë se ç’do të thotë të hulumtosh apo të punosh në një laborator. Ideja e saj ishte të provojë në atë kohë duke dërguar E-Mail-e për të bërë një praktikë në laborator dhe pikërisht këtu i vjen një përgjigje nga një profesor gjerman nga Freiburg-u, i cili i thotë që nëse ka dëshirë dhe vullnet ajo do të jetë e mirëpritur. Në këtë rrugë, Mirlinda konkurron në Land Oberösterreich tek “Stiftung Talente” dhe fiton një bursë për në Freiburg, ku dhe punon në laborator me të njëjtin profesor, i cili është për të mentori kryesor në nismën e karrierës së saj.
Në Freiburg i ka lindur dhe dëshira për t´iu përkushtuar kërkimeve shkencore, pasi ajo mendon se kjo e çon shkencën përpara dhe mundëson përparim në çdo drejtim. Në fakt nuk e kishte menduar fillimisht që do të punonte si mjeke, pasi kërkimet shkencore janë pasioni i saj, ajo thekson, që për tu bërë hulumtues, pra shkencëtar i mirë, duhet patjetër dhe formimi mjekësor, sidomos i anatomisë së trupit.
Mirlinda e përshkruan mjekësinë si në vijim: “Mjekësia si degë është shumë e gjerë dhe e përgjithshme, ajo mund të krahasohet me një oqean, ndërkohë që ti kur studion një degë të saj ke arritur thjesht të prekësh me gisht sipërfaqen e oqeanit. Mjekësia ka për mendimin tim shumë anë të dobishme, kur punon me pacientë ti zbulon dhe anën sociale e njerëzore, pacientët janë falënderues dhe për gjënë më të vogël pasi bëhet fjalë për shëndetin e tyre. Nuk është e rëndësishme se çfarë ke zgjedhur të bësh, por është me rëndësi ta bësh me dëshirë e vullnet“.
Dallimi kryesor midis këtyre dy institucioneve, duke marrë parasysh këtu që bëhet fjalë për universitetin “Cambridge”, i cili është mbi 800 vjeçar dhe po ashtu shumë i famshëm, është kualiteti i studimeve. “Cambridge” është një universitet me traditë të vjetër dhe sigurisht ka mundësinë e zgjedhjes absolute të studentëve si dhe të stafit akademik nga e gjithë bota. Atje mundësitë për mjekë, shkencëtarë etj. janë shumë të mëdha. Mirlinda, tregon se Vjena dhe Austria kanë gjithashtu fakultete shumë të mira, por diçka që në Austri mungon, janë programet speciale nëpërmjet të cilave dallohen dhe zgjidhen talentet e reja.
Mirlinda thotë se të studiosh në universitetin “Cambrigde” apo universitete të tjera prestigjioze, asnjëherë mos e mendoni që është diçka e pamundur. “Unë gjithnjë kisha menduar se të studiosh në një universitet si “Cambrigde”, “Oxford”,
“Harvard” etj. është e pamundur për njerëzit normalë, por nuk është fare ashtu. Ashtu si ia arrita unë mundet gjithkush tjetër i cili ka vullnet dhe është këmbëngulës mund të arrijë të njëjtën, por ndoshta edhe më shumë. Me rastin e këtij artikulli unë dhe ofroj ndihmën time për të gjithë ata studentë të cilët duan të bëjnë këtë rrugë, psh. për të bërë aplikime apo për mbështetje dhe mentorim”, shprehet MD PHD, Mirlinda Ademi
Kjo vajzë modeste shqiptare na bën të gjithëve krenarë dhe ne i urojmë të gjithë si komunitet të arrijë më tej majat e suksesit.
Burimi: Albinfo.ch