20/07/2024
21.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Moszbardhja e rasteve të vrasjeve rrit pasigurinë te qytetarët në Maqedoni

Autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut thonë se me intensitet po hetohet rasti i vrasjes së dyfishtë në një lokal në rrugën që lidh Kalanë me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, megjithëse autorët e kësaj vrasjeje mbeten në arrati.

Kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të shqetësuar, veçanërisht prindërit, për sigurinë e të rinjve, të cilët e frekuentojnë këtë lokalitet gjatë orëve të mbrëmjes.

Emi Ivkovska, nënë e një djali 20-vjeçar, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngjarjes, edhe më shumë i është shtuar frika sa i përket sigurisë së të rinjve, veçanërisht gjatë daljeve në orët e vona.

Ajo thotë se kjo ngjarje po edhe shumë raste të tjera, të cilat kanë mbetur ende të pandriçuara në tërësi, bëjnë që bandat kriminele të veprojnë pa frikë madje edhe në sy të dëshmitarëve.

“Unë, si nënë, aspak nuk ndihem e sigurt për sigurinë e djalit tim për shkak të zhvillimeve të fundit – ekzekutimit në një ambient shumë të frekuentuar nga të rinjtë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë më aktive për sa i përket zbardhjes së rastit me vrasjen e dyfishtë nga personat e maskuar. Organet sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të jenë më transparente dhe me emër e mbiemër të tregojnë se kush qëndron pas aktiviteteve kriminale, kush janë porositësit, ekzekutorët dhe motivet e zhvillimeve që përfundojnë me vrasje”, shprehet Ivkovska.

Gani Sinani thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk zbardhet rasti, kjo do të paraqesë një goditje për zejtarët dhe pronarët e lokaleve në Çarshinë e Shkupit, duke ndjellë frikë që të frekuentohet kjo zonë.

“Veç pikën e zezë duan t’ia qesin Çarshisë, incidenti nuk ka ndodhur këtu por në rrugën lart, që lidh Çarshinë me Kalanë. Nëse nuk zbulohet ky rast do të na dëmtojë të gjithëve”, thotë ai.

Mbrëmjen e 6 marsit, Jeton Krivanjeva i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enes Isejni, i njohur me nofkën “Llaci”, mbetën të vrarë në hapësirat e një lokali në afërsi të Kalasë në Çarshinë e Shkupit, kur ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri pesë persona të maskuar, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjatë të shtënave është plagosur rëndë edhe A.T. që punonte si kamerier në këtë lokal.

Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se është duke punuar për zbardhjen këtij rasti, ndërkohë që autorët e vrasjes së dyfishtë ende janë në arrati.

Stefan Buxhakoski, ligjërues i Shkencave të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se moszbardhja e rasteve në tërësi bën që, për fat të keq, në liri të shëtisin persona me dosje të rëndë kriminale.

Ai, po ashtu, konsideron se mosefikasiteti i policisë jo vetëm që ngjall frikë te qytetarët, por njëkohësisht inkurajon kriminelët se mund të mbeten pa u ndëshkuar edhe pse kryejnë veprime të tilla.

“Kur kemi të bëjmë me preventivën te kriminaliteti i organizuar, çështje thelbësore mbetet efikasiteti i shërbimeve të sigurisë në raport me zbulimin e rasteve kriminogjene. Kjo do të thotë se aktivitetet kriminale duhet të shuhen me kohë dhe si të tilla të procedohen tek organet e drejtësisë”, thekson Buxhakoski.

Nga dikasteri i Policisë dhe Prokuroria deri tash nuk kanë dhënë detaje rreth pistave të hetimit e as për motivet e vrasjes së dyfishtë.

“Të gjitha provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë në objektin ku kanë ndodhur vrasjet, objektet përreth përfshirë edhe incizime nga sistemi ‘Qyteti i sigurt’.

Prokurori i rastit ka urdhëruar zhvillimin e bisedave informative me personin e plagosur dhe personat e tjerë, të cilët ishin të pranishëm në lokal gjatë kohës kur kanë ndodhur vrasjet”, është ky njoftimi i vetëm që ka bërë Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.

E, në mungesë të informacioneve zyrtare, mediat në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se personat e vrarë ishin pjesë e nëntokës kriminele.

Madje njëri nga ta, Jeton Krivanjeva “Zhilla” është raportuar se ka lidhje me sulmin e armatosur në një nga hotelet e Shkupit që u krye në vitin 2019, përkatësisht ai ishte pjesë e grupit ndaj të cilit është qëlluar me armë.

Njëherësh mësohet se tash më i ndjeri jeton Krivanjeva ka qenë njëri i afërt i Kamaer Idrizit, i cili gjithashtu mbeti i vrarë gjatë një sulmi me armë më 13 maj 2021.

Jeton Krivanjeva besohet se i ka takuar grupit të nëntokës së Gërçecit dhe ndaj tyre kanë shtënë grupi nga lagja e Hasanbegut, të njohur si “Bellanovca”.

Ish-zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë thonë se bëhet fjalë për dy grupe të nëntokës, që dëshirojnë të marrin kontrollin e Shkupit.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani thotë për Radion Evropa e Lirë se në momentin që rritet shkalla e varfërisë, ka njerëz që futen në botën e krimit veçanërisht duke marrë para me fajde, apo duke shitur lëndë narkotike.

“Faktikisht këto grupe rrisin dominimin edhe brenda shtetit po edhe jashtë. Në momentin kur ata kanë përplasje për sa i përket dominimit të shtrirjes gjeografike, vjen deri te përleshja e tyre, kjo nuk i bën mirë shoqërisë, pasi krijon pasiguri… Për sa i përket zbardhjes, ne në drejtësi themi se nuk ka krim pa gjurmë, po nëse shteti është indiferent atëherë ai është që humb gjurmë, në këtë rast nuk zbardh vrasjet mes bandave”, vlerëson Selmani.

Përplasjet mes dy grupeve, atij të Sarajit dhe Gërçecit, i njohur si “Grupi i Gërçecit” dhe grupit të Çairit dhe Haraçisë i njohur si “Grupi i Bellanocit”, që njihen për veprime kriminogjene, si shitja e lëndëve narkotike, dhënia e parave me fajde dhe vepra të tjera të paligjshme ka filluar që në vitin 2005.

Nga atëherë mes këtyre grupeve kanë ndodhur disa vrasje, por deri më sot kanë mbetur të pandriçuara nga autoritetet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut./REL/

Të fundit