Ministria e Punëve të Brendshme në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi fotografi e cila, bazuar në karakteristikat e saj vizuale, sugjeron mundësinë që ajo të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, postimi nuk përmban asnjë tregues se është përdorur një teknologji e tillë e përparuar, njofton Portalb.mk.
Fotografia është publikuar së bashku me kumtesë për shtetasin e gjetur nga Rumania. Në të tregon oficerë policie që ndihmojnë personin, por mund të vërehen edhe disa parregullsi vizuale tipike për imazhet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Midis tyre, bien në sy mospërputhjet në pamjen e uniformave të policisë, si dhe një dorë e vendosur në çantën e shpinës së personit të shpëtuar e cila, bazuar në kompozimin e fotos, nuk mund të ndërlidhet me asnjërin nga policët e pranishëm.
Për më tepër, sipas deklaratës së Qendrës së Menaxhimit të Krizave, personi është gjetur në orën 03:45 të mëngjesit. Megjithatë, fotografia tregon një varkë me disa persona në sfond, gjë që nuk përputhet me rrethanat e përshkruara në deklaratë, pasi nuk është e zakonshme që trafiku turistik të ketë në ujë në atë kohë. Edhe pse kjo në vetvete nuk përbën provë se fotografia është gjeneruar nga inteligjenca artificiale, është një element shtesë që ngre dyshime për vërtetësinë e saj.
Nga perspektiva etike, në qoftë se institucionet përdorin përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale, ajo duhet të etiketohet qartë si e tillë, me qëllim që të shmanget mashtrimi i publikut dhe të ruhet besimi në komunikimin zyrtar.







