14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

MPB njofton: 4 persona janë ndaluar në kuadër të aksionit për fshehje tatimi dhe pastrim parash

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se katër persona janë ndaluar në stacion policor në kuadër të aksionit të djeshëm për fshehje tatimi, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Kreu i MPB-së, tha se bëhet fjalë për krim të përmasave epike.

“Ky është një prej lëndëve të cilat lirisht mund të them se ka dyshime të bazuara se bëhet fjalë për krim të përmasave epike, e cila fatkeqësisht është në dëm të buxhetit të Maqedonisë, gjegjësisht parave të popullit. Informatat fillestare janë se bëhet fjalë për shuma milionëshe, të cilat janë pasojë e disa veprave penale, fshehje tatimi, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Në interes të procedurës së plotë nuk mund të hyj më tepër në detaje”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

I pyetur nëse bëhet fjalë për kompani të lidhura me ish-funksionarë të lartë shtetërorë, ministri nuk dha detaje, duke theksuar se e respekton prezumimin e pafajësisë.

Gjatë ditës së djeshme, me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, janë kryer bastisje në Shkup, Strumicë dhe Gostivar ku sipas policisë dhe organit të akuzës janë siguruar dokumentacione. Në aksion, përveç Prokurorisë dhe MPB-së, kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Drejtorisë për të Ardhura Publike, Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Financave.

Për rastin u deklarua edhe ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila tha se vetë ka marrë pjesë në zbatimin e aksionit në Strumicë, pavarësisht se nuk është praktikë që një ministër të marrë pjesë në veprime të cilat kryhen nga shërbimet profesionale të institucioneve.

“Dua të shpreh falënderim të madh deri te Drejtoria për të Ardhura Publike dhe drejtoresha Elena Petrova, dhe veçanërisht deri te kolegët nga Strumica dhe qytetet e tjera të cilët sot bashkë me mua tërë ditën pa u lodhur punuan në zbatimin e aksionit në Strumicë. Një pjesë e tyre drejtpërdrejt me mua në Strumicë, ndërkaq një pjesë edhe në qytete të tjera të Maqedonisë”, deklaroi Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministre e Financave.

Prokuroria ende nuk ka dalë me detaje për të përfshirët në këtë parahetim. Prej atje thonë se opinioni do të informohet në kohë për detajet që nuk do ta pengojnë procedurën.

Të fundit