Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, që drejton koalicionin Mundemi, foli nga Manastiri e ku bëri thirrje që të votohet numri 3, sepse sipas tij, kjo është votë për siguri dhe përparim ekonomik.
“Më 15 korrik vendosim a do të rriten pagat dhe pensionet e qytetarëve apo do të mbushen xhepat e njerëzve të Gruevskit. Zgjedhja është e thjeshtë, por puna nuk është kryer akoma. Se a do të shkojmë përpara varet nga secili prej nesh, nga secili prej jush”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Partneri i koalicionit “Mundemi”, Lëvizja Besa fushatën mbrëmë e mbylli në Tetovë, qytet ku kryetari i kësaj parti Bilall Kasami është edhe bartës i listës së koalicionit.
“Barazia është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ne ju garantojmë që në 4 vitet e ardhshme do të arrijmë të reformojmë gjyqësorin, do të arrijmë që të biem drejtësi për të gjithë, ju garantojmë që ligji do të jetë i barabartë për të gjithë”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Përveç LSDM-së dhe Besës, në kuadër të koalicionit “Mundemi” janë edhe 20 parti të tjera.