02/11/2024
18.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mungesa e mërgimtarëve, gjysmë miliard euro humbje nga remitencat

Kriza e pandemisë la shtjerrë bizneset në vend edhe në pikun e sezonit të verës. Mos ardhja e mërgimtarëve ka çuar në prag të falimentimit shumë ndërmarrje të vogla. Madje fusha më e prekur e sezonit është industria e dasmave që përbën një zinxhir të madh biznesesh të varur prej diasporës.

“Në lëmine time jemi të dëmtuar shumë, se duke filluar prej në mars ne jemi të bllokuar, të gjitha dasmat e rezervuara janë anuluar. Prej vjet deri më sivjet ka rënë puna për 90% sepse nuk ka dasma, nuk ka interes as për fustane e as për sende tjera që nevojiten për dasma.”

“Kurbetqarët thuajse sivjet hiç nuk kanë ardhur apo një numër i vogël i tyre. Ata që janë këtu dihet nga epidemia që nuk kanë punuar 2-3 muaj andaj kanë buxhet të vogël dhe interesimi është i ulët.”

“Nëse vazhdon kështu mundet gjysma e Çarshisë mos të ekzistojë dhe të shkojnë në likuidim, duke mbetur në ndihma sociale apo do të detyrohemi edhe ne të shkojmë në kurbet.”

Mungesa e mërgimtarëve ka ndikuar dukshëm në ekonominë e vendit, thonë ekspertët. Llogaritë në këto 6 muaj janë se Maqedonia ka humbur afër gjysmë miliardë euro vetëm nga remitancat.

“Remitencat janë shumë të rëndësishme dhe paraqesin vlerë të madhe financiare e cila hy në ekonominë e vendit. Kryesisht këto të ardhura rrisin konsumin e përgjithshëm, ku si pasojë e kësaj vjen deri te ndihma direkte te subjektet afariste dhe te ekonomia në përgjithësi.”

Një rritje e lehtë është vërejtur në bilancin pagesor të tre mujorit të parë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Banka Popullore sivjet ka regjistruar një rritje të hyrash prej 2,26 milion euro.

Këtë rritje të transferove parash përmes bankave ekspertë e fushës e lidhin me mos ardhjen e mërgimtarëve, të cilët zakonisht sjellin para të gatshme me vete, për t’i shpenzuar të gjitha këtu.

Sipas raportit të Bankës Popullore të RVM-së gjatë vitit të kaluar janë transferuar mbi 195 milion euro nga të ardhurat personale të mërgimtarëve nga e gjithë Bota në vendin tonë.

Përgatiti: Adnan Qaili

Të fundit