Të tjera lajme

Në kufirin me Shqipërinë u ndaluan edhe dhjetëra aktivistë të VLEN-it, në mesin e tyre edhe këshilltarë komunalë

Nuk janë vetëm deputetët e VLEN-it, Adnan Azizi dhe Bekim Qoku, të cilëve u është ndaluar hyrja në Shqipëri. Sipas burimeve të Televizionit KOHA, autoritetet shqiptare kanë ndaluar hyrjen edhe për dhjetëra aktivistë dhe persona të afërt me VLEN-in, shumica prej tyre nga rajoni i Tetovës.

Të shtunën rreth mesditës, nga pika kufitare e Bllatës janë kthyer mbrapsht disa automjete me aktivistë të VLEN-it, të cilët po tentonin të hynin në territorin shqiptar e që ishin nisur për të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë shqiptare.

Në mesin e tyre kishte persona të afërt me deputetin Adnan Azizi dhe me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në grupin e personave që nuk janë lejuar të kalojnë kufirin kishte edhe këshilltarë komunalë nga Tetova, Zhelina dhe Tearca.

Lajmin se aktivistë të VLEN-it janë kthyer nga kufiri e ka konfirmuar edhe deputeti Adnan Azizi. Në një deklaratë për TV KOHA, ai tha se gjatë ditës është kontaktuar nga shumë aktivistë të partisë.

“Më kanë telefonuar shumë aktivistë duke u ankuar se policia shqiptare nuk u ka lejuar hyrjen në Shqipëri”, deklaroi Azizi për TV KOHA.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e moslejimit të hyrjes së këtyre personave në territorin e Shqipërisë. Gjithashtu, nuk është bërë e ditur nëse bëhet fjalë për masa individuale apo për një vendim më të gjerë administrativ.

Të fundit