20/06/2024
21.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Tetovë u mbajt edicioni VIII i manifestimit kulturor “LIDHJA NA BASHKON”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” më 10 qershor 2021, në Qendrën për kulturë në Tetovë, organizoi Edicionin VIII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Në kuadër të këtij manifestimi u shënua 143-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, u përkujtuan masakrat në Tivar dhe Dubrovnik, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetëve, si dhe u nda Çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2021.

Manifestimin “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” z. Selam Sulejmani. Sipas tij, organizimi i një veprimtarie kulturore – artistike synon të kontribuojë në afirmimin kulturor të një shoqërie, në kultivimin e vlerave dhe në përmbushjen e qëllimit kryesor të artit që aspiron t’i japë formë jetës sonë dhe se mbi këto premisa është ideuar edhe manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, i cili në edicionet e tij e ka shënuar njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historiografisë sonë – përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Në realizimin e programit të këtij manifestimi ndër vite kanë kontribuar studiues të njohur të kulturës shqiptare, ekspertë të arsimit dhe njohës të mirëfilltë të proceseve historike. Bashkëpunimi i shoqatës “Tradita” me emrat më përfaqësues të inteligjencies sonë ka rezultuar tejet i suksesshëm në veprimtarinë botuese, në hulumtimet shkencore dhe në përkujtimin e ngjarjeve dhe të personaliteteve nga arsimi, kultura dhe arti. Ne besojmë se “Lidhja na bashkon” tashmë e ka ndërtuar identitetin e saj dhe këtë e ka arritur falë punës e përkushtimit të dhjetëra bashkëpunëtorëve nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova Lindore dhe nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre për këtë veprimtari që e zhvillojmë për 8 vjet me radhë, duke mos e harruar publikun e gjerë që nuk na ka munguar asnjëherë në manifestimet letrare, në konferencat shkencore dhe në tryezat e ndryshme debative” – tha Selam Sulejmani.

Në vijim, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve ai shtoi se takimet e tilla janë më shumë sesa veprimtari kulturore. Për më tepër, janë arena të vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit për të kaluarën tonë plot dhimbje e sakrifica që nuk guxojmë ta harrojmë. “Sot bashkërisht do ta përkujtojmë masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetëve, masakra këto të kryera nga shteti komunist jugosllav. Sipas historianëve tanë, në dimrin e ftohtë të vitit 1945, të ashtuquajturit “çlirimtarë” jugosllavë u vërsulën në trojet shqiptare për t’i pushtuar ato. Dhe për ta bërë më të lehtë pushtimin e tyre, njësitë vendore partizane, si çetat, batalionet e brigadat ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm dhjetëra e mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se t’i dërgonin në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë kryen vrasje monstruoze dhe masakra të tmerrshme mbi ushtarët përkatësisht – rekrutët e paarmatosur shqiptarë” – theksoi mes tjerash kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, z. Selam Sulejmani.

Referatin qendror për masakrën mizore të Tivarit dhe për helmimet në uzinat e barutit në Dubrovnik ndaj shqiptarëve, e lexoi profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe Profesor Xhelal Zejneli.

Të fundit