13/04/2024
13.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në UT u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta

Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës dje përmes një manifestimi e ka shënuar 3 Dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta. Për ta shënuar në mënyrë sa më dinjitoze këtë datë, studentët dhe profesorët e kësaj katedre në bashkëpunim me paralelet me nevoja të posaçme të shkollës fillore “Liria” ne Tetovë organizuan disa aktivitete të tjera me qëllim promovimin e të rejtave, mirëqenies si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës mbi këtë kategori të shoqërisë.

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në hapjen e këtij manifestimi u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta është një ditë shumë e veçantë sepse thekson rëndësinë e përfshirjes dhe barazisë në komunitetin tonë global e cila shënohet duke festuar qëndrueshmërinë, forcën dhe kontributet unike të individëve me aftësi të veçanta.

“Ndërsa përkujtojmë këtë ditë, le të reflektojmë mbi progresin e bërë në promovimin e aksesit dhe heqjen e barrierave që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të veçanta në të gjitha aspektet e shoqërisë.  Ne duhet të përpiqemi t’u mundësojmë atyre një botë ku jo vetëm barrierat fizike, por edhe qëndrimet dhe paragjykimet shoqërore do të shpërbëhen. Prandaj, duhet të bëjmë përpjekje maksimale për një shoqëri më inkluzive dhe të respektojmë diversitetin në të gjitha format e tij.” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit tonë Prof. Dr. Lulzim Memeti u shpreh  “Fatkeqësisht personat me nevoja të veçanta janë ende në margjinat e shoqërisë. Duke e pasur parasysh nevojën e mungesës së kuadrit për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, në vitin 2013 akredituam programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, program ky i cili zgjoi interes të madh te maturantët, në veçanti tek ata me sukses të shkëlqyeshëm – theksoi Prof. Dr. Lulzim Mehmeti.

Për nder të kësaj dite u mbajt edhe një punëtori me titull “Strategjitë efektive për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta në ambientet e mësimit” nga Fidan Nuhiu.

Pjesëmarrësit në këtë punëtori u ndanë shumë të kënaqur dhe në fund u pajisën edhe me certifikata nga ana e Fakultetit Pedagogjik për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në këtë sesion shumë të rëndësishëm pedagogjik.

Të fundit