Të tjera lajme

Nënshkruhet memorandumi i paqes mes SHBA dhe Iranit – 300 miliardë dollarë për ndërtimin e Iranit

Shkruan: Bahri Cani

Amerika dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftës – më herët se sa ishte planifikuar. Më parë flitej se marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Zvicër. Por Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se e ka nënshkruar marrëveshjen, në Pallatin e Versajës.

Presidenti i ShBA-së dhe ai i Iranit kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare paqeje që synon t’i japë fund luftës, duke e lejuar atë të hyjë në fuqi menjëherë.

Marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një plan prej 300 miliardë dollarësh (224 miliardë paund) për “rindërtimin” e Iranit dhe ndërprerjen e “të gjitha llojeve të sanksioneve” ndaj Iranit nga ShBA-të, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti francez Emmanuel Macron e kishte ftuar atje pas përfundimit të samitit të G7 në Évian, Francë. Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se edhe Presidenti iranian Massoud Peseshkian e ka nënshkruar dokumentin. Ishte një nënshkrim elektronik dhe një ceremoni nënshkrimi “nuk kishte vend”.

Sipas Pakistanit, i cili po ndërmjetëson në konflikt, marrëveshja kornizë tani hyn në fuqi me “efekt të menjëhershëm”. Teherani do ta “rihapë menjëherë” Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Amerika do të heqë menjëherë bllokadën detare të porteve iraniane, njoftoi kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif gjatë natës në platformën X.

Marrëveshja më parë ishte nënshkruar edhe nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryenegociatori iranian në mënyrë digjitale.

Megjithatë, shumë pyetje mbeten të hapura. Tani nuk dihet nëse ceremonia e planifikuar do të zhvillohet edhe në Zvicër të premten apo nëse samiti atje do të përdoret për negociata të mëtejshme. Sidoqoftë, marrëveshja u prit me lehtësim të madh ndërkombëtarisht.

E paqartë deri në fund mbetet edhe çështja e programit bërthamor iranian dhe nëse Izraeli do të respektojë marrëveshjen. Mes Trumpit dhe Netanjahut ka pasur disa dallime kohët e fundit.

Të fundit