20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nesër në Tiranë do të mbahet Samiti Ballkani Perëdimor-BE, në fokus Ukraina, siguria, migrimi dhe lufta kundër terrorizmit

Nesër (më 6 dhjetor) do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Tiranë. Ky është samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së”, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian.

Temat kryesore të diskutimit do të jenë:

pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës,
intensifikimin e angazhimit politik,
përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja
adresimin e sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Liderët pritet të lëshojnë deklaratë në fund të samitit.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës
Udhëheqësit do të diskutojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

Ata do të shikojnë më konkretisht se si të trajtohen efektet e tij negative në energjinë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.

Angazhimi politik
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik, me fokus të veçantë te të rinjtë.

Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit të bërë:

drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së,
në modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së
në fushën dixhitale,
në zbatimin e korsive të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, një nismë për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave
Siguria dhe qëndrueshmëria ndaj ndërhyrjeve të huaja
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.

Menaxhimi i migracionit
Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.

Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.

Të fundit