03/03/2024
8.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nga familja Obama tek Elton John, mesazhet ngushëlluese në nder të Tina Turner

Emra të njohur të botës së muzikës dhe fansa i kanë bërë nderimet e saj këngëtares legjendare, Tina Turner e cila ndërroi jetë një ditë më parë në Zvicër në moshën 83-vjecare.

Beyonce e quajti yllin e hiteve “The Best” dhe “What’s Love Got To Do With It” si mishërimin e “pasionit dhe forcës”. “Ajo ishte me të vërtetë një interpretuese jashtëzakonisht e talentuar,” shkroi në rrjetet sociale Mick Jagger.

“Ishte frymëzuese, e ngrohtë, bujare dhe plot humor. Më ndihmoi shumë kur isha i ri dhe unë këtë, nuk do ta harroj kurrë,” shtoi ylli i Rolling Stones.

Sir Elton John e cilësoi Tina Turner një “legjendë totale në rekord dhe në skenë”. “Ne kemi humbur një nga performueset më emocionuese dhe elektrizuese që mund të ekzistojnë. Ajo ishte thjesht e paprekshme,” u shpreh këngëtari i madh.

Familja Obama e lavdëroi atë për “faktin që i këndoi të vërtetës si përmes gëzimit, ashtu edhe përmes dhimbjes. Atyre iu bashkua presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden, i cili vuri në dukje sakrificat e këngëtares që e nisi jetën si bijë fermeri, ndërsa përshëndeti “talentin e saj të rrallë, që vjen një herë në brez”.

Lëvdata të mëdha patën për këngëtaren e ndjerë edhe Mariah Carey dhe Oprah Winfrey, të cilat e vunë theksin veç të tjerash tek forca e saj për të kapërcyer vite të tëra abuzimi në familje.

E pagëzuar si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, zëri i Turner është krahasuar me një uragan, e po kështu edhe performanca e saj skenike ishte e pashoqe. E lindur në Tenesi dhe e rritur në kishë, këngëtarja preku majat e famës në vitet 1960.

Fillimisht në një grup me të shoqin Ike Turner, pas ndarjes ajo gjeti suksesin e saj të madh si artiste solo me hite, duke përfshirë What’s Love Got To Do With It, Let’s Stay Together, Steamy Windows, Private Dancer dhe temen e James Bondit, GoldenEye.

Shumë prej homazheve iu referuan faktit që ajo arriti t`i largohej abuzimeve të bashkëshortit. Organizata e bamirësisë Women’s Aid zgjodhi pikërisht njërën nga këngët e Tina Turnerit për t`i bërë këngëtares këtë përshkrim: Ajo gjithmonë do të jetë thjesht më e mira./shqip/

Të fundit