Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac, në Podujevë, ku dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas raportimeve paraprake, një 31-vjeçare, e identifikuar si Ardita Gashi, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri një 45-vjeçar nga Obiliqi, Iliaz Brahimi, me të cilin kishte qenë në një lidhje intime. Mësohet se marrëdhënia mes tyre kishte pasur probleme kohët e fundit dhe ishte drejt përfundimit.
Burime mediatike bëjnë me dije se e dyshuara e ka ftuar viktimën në banesën e saj, ku më pas dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.
Pas të shtënave, situata është përshkallëzuar, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe një familjare e autores së dyshuar, konkretisht bashkëshortja e xhaxhait të saj, 73-vjeçarja me inicialet M.G., e cila ka mbetur e plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ajo nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë më pas në spital.
Raportohet se pas krimit, e dyshuara është mbyllur në banesë dhe ka kërcënuar persona të tjerë që tentonin t’i afroheshin. Më pas, ajo vetë ka mbetur e plagosur në rrethana që po hetohen nga autoritetet.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa 31-vjeçarja është shoqëruar dhe aktualisht ndodhet nën kujdes mjekësor.
Sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e dyshuara po merr trajtimin e nevojshëm dhe raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar rastin, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje tragjike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.







