25/07/2024
18.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Një ari mbyti dhe hëngri gjashtë dele në fshatin Raven të Gostivarit

Dy ditë më parë, një ari ka mbytur dhe ngrënë disa dele pasi ka hyrë në vathën e deleve në afërsi të fshatit Raven të Gostivarit, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) mëngjesin e sotëm, transmeton Portalb.mk.

Siç bëjnë të ditur nga atje, rasti është raportuar mbrëmë në orën 20:45 në numrin e vetëm të emergjencës 112.

“Denoncuesi ka informuar se dy ditë më parë, më 11 qershor, e martë, një ari i ka vrarë dhe hëngër gjashtë dele të tij. Fusha ku ka mbajtur tufën ka qenë në periferi të fshatit Raven”, thuhet në informacionin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave.

Pas raportimit të rastit në terren ka dalë një ekip nga Stacioni Policor i Gostivarit dhe pas konstatimit të situatës pritet që ministritë kompetente, institucionet, ndërmarrjet publike dhe Komuna e Gostivarit të ndërmarrin hapat e radhës.

Ndryshe, rastet me paraqitjen gjithnjë e më të shpeshtë të arinjve në zonat e banuara, sidomos në pjesën veriperëndimore të vendit, filluan të marrin përmasa shqetësuese.

Gjuetia e arinjve është e ndaluar në Maqedoni. Por kjo specie është shumuar shumë, sidomos në parqet kombëtare “Mavrovë” dhe “Malin Sharr”.

Më alarmante ka qenë në fshatin Reka të Zhirovnicës, sidomos gjatë verës dhe vjeshtës së vitit të kaluar, kur arinjtë sulmuan kafshët shtëpiake dhe kishte raste kur tentonin të hynin nëpër shtëpi.

Këtë vit është raportuar një rast ku një ari ka sulmuar një bari në malin Mukos, afër lokalitetit “Seça”, në atarin e fshatit Omoran të Komunës së Çashkës, duke i shkaktuar lëndime në trup.

I plagosur ka mbetur edhe një turist nga Danimarka, i cili është sulmuar nga një ari, i cili ndodhej me të vegjlit e tij, teksa po bënte ski me një grup prej dhjetë anëtarësh në shtigje të pashënuara në afërsi të vendit Jelak mbi Kodrën e Diellit.

Këto kafshë mund të shiheshin shpesh në rrugët e pjesës veriperëndimore të shtetit dhe kishte raste kur disa u goditën duke kaluar rrugën me të vegjëlit e tyre.

Qeveria miratoi masa, duke përfshirë pastrimin e deponive të egra në mënyrë që ata të mos tërheqin arinjtë që të ushqehen me to, si dhe rrethimin e deponive të ligjshme. Në seancën e qeverisë u ngarkuan edhe ministritë kompetente që të hartojnë planin për zgjidhjen e problemit.

Të fundit