13/04/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nxiren goma të automjeteve nga kanali për ujitje

Më shumë se një javë janë duke vijuar punimet për lirimin e kanalit në rrugën 172 në Reçicë të Vogël. Kjo pasi që reshjet e fundit shkaktuan bllokimin e kanalit me mbeturina dhe rërë duke bërë që uji të rrjedhë mbi sipërfaqe respektivisht nëpër rrugë. Pamjet e fundit, tregojnë se në atë kanal janë gjetur goma të automjeteve dhe mbeturina inerte të cilët kanë bërë të zihet kanali. Dyshimet janë se këta veprime mund të jenë të qëllimshme që ky problem mos të zgjidhet. Por, nuk përjashtohet mundësia që edhe bujqit të bllokojnë kanalin me qëllim që të ujisin pronat e tyre bujqësore që janë aty afër dhe më pas nuk bëjnë zhbllokimin e kanalit. Në këtë formë vjen deri tek grumbullimi edhe I sasisë së rërës që vjen nga pjesa e lartë e kësaj lagje.

Nga ana e Sektorit për Veprimtari Publike, kërkojnë që qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos hedhin mbeturina por edhe nëse e shfrytëzojnë ujin të mos shkaktojnë probleme shtesë. Gjatë ditës së sotme janë nxjerrë gypat e dëmtuar në këtë kanal. Përgjatë kësaj rruge çdo herë kur ka më shumë reshje atmosferike, mbushet me rërë kanali dhe uji del në sipërfaqe. Edhe pse disa herë janë ndërmarrë masa që të lirohet kanali megjithatë zgjidhje nuk gjendet dhe problemi përsëritet. Në atë pjesë ka qenë një kanal i vogël që ka mbledhur ujrat sipërfaqësor kur ka patur reshje por që është përdorur për ujitje. Tashmë ai kanal është futur në gypa dhe zihet shumë shpesh duke krijuar edhe vërshime të tjera në këtë pjesë të Tetovës gjegjësisht në lagjen Reçicë e vogël.

Nga komuna e Tetovës ditë më parë thanë se problemi është që nga viti 2015 ku pas vërshimeve janë vendosur gypa dhe kanali tashmë është më sistem të mbyllur dhe nuk mund të absorbojë tërë rërën. “Sa i përket pjesës nga rruga e Lubotenit e deri në rrugën e ilindenit, ne atje kemi dërguar makineri për të punuar por ka patur defekt makineria që ka bërë pastrimin e gypave. Shpresojmë se atje do të vazhdohet të intervenohet dhe uji të shkojë përmes gypave dhe jo mbi rrugë”, njoftuan nga komuna e Tetovës.

Të fundit