Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si “lajm të shkëlqyeshëm” e ka përshëndetur rezultatin e hulumtimit të parë klinik, gjë që tregon se steroidi i lirë dhe i përhapur deksametazoni mund të ndihmojë në shpëtimin e pacientëve të sëmurë rëndë nga koronavirusi.
“Kjo është terapia e parë që është treguar për të zvogëluar vdekshmërinë tek pacientët me Kovid-19, të cilët janë me oksigjen ose ventilim artificial”, deklaroi mbrëmë vonë drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejsus.
“Ky është lajm i shkëlqyeshëm dhe urim për Qeverinë e Britanisë së Madhe, Universitetin e Oksfordit dhe shumë spitale dhe pacientë në Britaninë e Madhe që kanë kontribuar në përparimin shkencor që shpëton jetë”, tha Tedros.
Ai shtoi se studiuesit ndanë konkluzionet e tyre fillestare në lidhje me rezultatin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe i gëzohen analizës së plotë të të dhënave në ditët në vijim.
“OBSH-ja do të koordinojë një meta-analizë për të rritur kuptimin e përgjithshëm të kësaj ndërhyrje. Udhëzimet klinike të OBSH-së do të azhurnohen për të treguar se si dhe kur ilaçi duhet të përdoret për të trajtuar Kovid-19”, thonë nga OBSH-ja.
Në studimin e bërë nga ekipi i shkencëtarëve të Oksfordit, rreth 2.000 pacientëve në spital u është dhënë deksametazoni dhe rezultatet e tyre u krahasuan me rreth 4.000 pacientë që nuk e morën ilaçin.
Pacientët në respiratorë kishin rrezik të zvogëluar të vdekjes nga 40 në 28 për qind, ndërsa pacientët me oksigjen kishin rrezik të zvogëluar të vdekjes nga 25 në 20 për qind.
Mjekët, gjithashtu, do ta theksojnë çmimin e tij, pasi trajtimi me këtë ilaç për rreth 10 ditë kushton rreth pesë funta për pacient, ose 35 funta për të shpëtuar jetë, e me këtë rast ai është në dispozicion në tërë botën. bs/bsh/