13/07/2024
31.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani: Ahmeti angazhohet për zgjidhjen e politikave strategjike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mbrëmë ishte mysafir në emisionin Klik Plus në TV21, ku foli për tema lidhur me ndryshimet kushtetuese, tensionet në BDI, tubimin e BDI-së në Çair, negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut.

“Ahmeti është personalitet historik. Ahmeti 20 vite punon për interesat e shtetit. Ai është njeriu që çdoherë i mbron interesat e shtetit. Ali Ahmeti ka punuar për Maqedoninë e Veriut që të bëhet anëtare e NATO-s, tani fuqimisht punon që t’i bashkojë të gjitha partitë politike, të cilat dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në BE”, tha mes tjerash, Osmani.

Sipas Osmanit, Ahmeti edhe në Ohër ka qenë në komunikim të plotë me faktorin ndërkombëtar që të gjendet kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të kemi rajon stabil, e kjo është posaçërisht e rëndësishme tani kur jo larg prej këtu ka luftë.

Ministri i Punëve të Jashtme tha se të shtunën, në Ohër ka marrë SMS porosi nga një përfaqësues i lartë diplomatik, i cili i ka thënë se është krenar në përpjekjet e Ali Ahmetit që të ndihmojë rreth negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe se Ahmeti është politikan me ndikim në rajon.

“Siç thotë një analist nga Kosova, Ali Ahmeti është arkitekt i Maqedonisë së Veriut bashkëkohore. Vizioni i tij për shtet është shtet evropian, të gjithë së bashku ecim drejt BE-së – maqedonas, shqiptarë dhe të gjithë së bashku”, deklaroi Osmani.

Në intervistë ai po ashtu foli edhe për Kosovën dhe Serbinë.

“Unë jam ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e mia publike janë qëndrime shtetërore, nuk janë personale. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme edhe me Kosovën edhe me Serbinë dhe dëshirojmë që këto dy shtete të gjejnë kompromis”, theksoi Osmani.

Ai thotë se prej se është ministër i Jashtëm, u modifikua qëndrimi i MPJ-së ndaj çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëndrimi i ynë thotë: Ne përkrahim zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila çon drejt njohjes së ndërsjellë të dy shteteve”, tha Osmani.

Të fundit