17/05/2024
10.2 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1779

Ulja e prodhimit sjell deri tek rritja e çmimeve të perimeve në Maqedoni

0

Ulja e prodhimit të perimeve në rajonin e Strumicës ka sjellë në rritjen e çmimeve për disa lloje të perimeve. Nga 25 denarë tani një kilogram domatje shitet 40 denarë, një kilogram lakër shitet për 3 denarë më shumë kurse trangujt shiten për 20 denarë më shtrenjtë për një kilogram.

Për çmimet më të larta të perimeve janë ankuar qytetarët por më të lumtur janë tregtarët që kanë thënë se ky çmim i arsyeton harxhimet e tyre dhe shpresojnë se ky trend do të vazhdojë pasi ndryshe ata nuk do të mund as t’i mbulojnë harxhimet, njofton AIM.

LSDM-ja kërkon fokus në reformat dhe integrimet euroatlantike, VMRO-ja dëshiron zgjedhje të parakohshme

Ende nuk është e qartë nëse propozimi i kryeministrit Zoran Zaev për takimin e liderëve për të paktën tre tema – ligji për prokurori, regjistrimi dhe ndryshimet e kodit zgjedhor do të pranohet nga ana e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila megjithatë kërkon takim të liderëve, por për organizim të zgjedhjeve të parakohhshme. Gjatë fundjavës së kaluar ka pasur disa deklarata në këtë temë, por prej tyre nuk mund të merret informacion nëse dhe kur do të ketë një takim të tillë.

LSDM-ja qeveritare insiston në fokus të reformave dhe integrimit të vendit në NATO dhe BE, veçanërisht para vendimit të tetorit për datën për negociata, nëse VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend të negociatave për tre temat të cilat i përmendi kryeministri Zaev.

VMRO-DPMNE-ia informon se ende nuk ka ftesë për takim të liderëve, ndërsa zëdhënësi i partisë Naum Stoilovski në konferencë për shtyp tha se pushtetit dhe kryeministri Zaev duhet të tregojnë pjekuri, që të ulet dhe të bisedohet për organizim sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme, sepse, siç tha “burimi i të gjitha problemeve gjendet në Ilinden nr.2”.

Lideri i partisë, Hristijan Mickoski paraprakisht në një intervistë për Alsat M, tha se kjo që po ndodh në shtet duhet të përfundojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Apeloj për për një arsye, të ulet dhe të thirren të gjitha grupet e deputetëve dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qytetarët nuk do të vendosin nëse këto politika të politikanëve do ta marrin mbështetjen ose do të vijë një gjeneratë e re e politikanëve”, ka thënë Mickoski.

Nga LSDM-ja dje përsëritën se interes strategjik i shtetit është që të sillet Ligj për prokurori publike.

Kryeministri Zoran Zaev të premten ka thënë se pushtet dhen opozita duhet të ulen dhe të bisedojnë të paktën në tre tema – ligjin për prokurori, regjistrimin dhe ndryshimet në kodin zgjedhor.

Mickoski për atë nëse është e mundur marrëveshje për Ligjin për prokurorinë publike, në intervistën e njëjtë tha se nuk ka ambient në shtet që të funksionojë dialogu politik midis pozitës dhe opozitës.

Zaev dhe Mickoski për herë të fundit në takim të liderëve janë takuar në muajin mars para zgjedhjeve për president.

Shefi i diplomacisë turke për vizitë zyrtare në Shkup

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çaushogllu sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç kumtoi MPJ turke, Çaushogllu në Shkup do të ketë takim me nikoqirin e tij, shefin e diplomacisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe me përfaqësues të tjerë zyrtarë.

Gjatë takimeve do të bisedohet për marrëdhëniet bilaterale, për mundësitë për përforcim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe për çështje rajonale.

Vizita e Çaushogllut pason pas ratifikimit të javës së kaluar të Protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në Parlamentin turk, me çka Turqia u bë vendi i 20-t i cili i dha dritë të gjelbër inkuadrimit të vendit në Aleancë. ab/

Vendosen sot çmimet e reja të karburanteve në Maqedoni

Komisioni Rregullator për Energji sot në mesditë do të bëj të ditur çmimet e reja të derivateve të naftës.

Javën e kaluar benzina u shtrenjtua për gjysmë denari, ndërsa dizeli më lirë për gjysmë denari.

Eurosuper BS95 deri tani shitej për 69 denar për litër, Eurosuper BS98 për 71 denarë, ndërsa dizeli për 61 denarë për litër. Çmimi i dizelit D-2 për 50,50 denarë.

Zaev kritikohet nga ekonomistët për marrjen e drejtimit të Ministrisë së Financave

0

Ekspertët e ekonomisë thonë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mund të përshpejtojë shpërndarjen e mjeteve financiare, e cila sipas tyre, do t’i jepte shtytje dinamikës së realizimit të projekteve kapitale, të cilat janë vendosur si prioritet nga Qeveria. Megjithatë, ekspertët shtojnë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga Zaevi është “thikë me dy tehe”, sepse kjo, sipas tyre, ndikon edhe në disiplinën rreth menaxhimit të parave nga arka e shtetit.

Realizimi i ulët i investime kapitale nga buxheti, ishte një ndër arsyet kryesore që e shtyn kryeministrin Zaev të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Financave.

Mirollub Shukarov, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se në këtë mënyrë tejkalohen disa barriera administrative që kanë frenuar realizimin e investimeve kapitale.

“Marrja e detyrës si ministër i Financave nga ana e kryetarit të Qeverisë, nuk duhet të ketë impakt në funksionalitetin e këtij dikasteri. Shumë çështje nuk mund të zgjidhen vetëm brenda dikasterit sepse për ndryshime të mëdha duhet të ketë dhe ndryshime në politikat e përgjithshme të Qeverisë. Pra, nuk pres ndonjë ndryshim drastik, as një aspektin pozitiv dhe as atë negative”, thotë Shukarov.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Visar Ademi thotë për Radion Evropa e Lirë se marrja e drejtimit të Ministrisë së Financave nga kryeministri Zaev, do të thotë vendosje e kontrollit absolut në buxhetin e shtetit nga ana e tij.

“Si synon të ketë vendime të pakushtëzuar se si shpenzohen paratë publike dhe e dyta të ketë shpejtësi në ndarjen e financave publike përmes ndarjes së tenderëve të caktuar, të cilët do të ishin të proceduara nga Qeveria”, thotë Ademi.

Ademi thotë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga kryeministri maqedonas, prish edhe bilancin e kontrollit për shpenzimin e mjeteve publike.

“Nuk ka një person tjetër që është në krye të financave dhe një person tjetër që menaxhon pjesën operative të Qeverisë. Tani, zoti Zaev kryeministër dhe zoti Zaev ministër i Financave është një dhe kjo tregon se ka indikacione se Zaev kërkon të ketë kontroll edhe mbi politikën, por edhe mbi financat në Maqedoninë e Veriut, që është indikativë se mund të ketë këtu korrupsion nga ana e Qeverisë”.

“Kësi lloj kontrolli nuk ka pasur as ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ka drejtuar Qeverinë më shumë se dhjetë vjet dhe habitem se pse i duhet Zaevit ky lloj kontrolli në arkën e shtetit përmes drejtimit të Ministrisë së Financave”, thotë Ademi.

Maqedonia e Veriut gjatë vitit të ardhshëm futet në zgjedhje dhe ky vit është vendimtar për rimëkëmbjen e ekonomisë, premtim të cilin, Zaev e kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Por, ekonomistët nuk besojnë se mund të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm në ekonominë e vendit.

“Politika nuk ka ndryshuar. Nuk janë ndryshuar as rregullat, normat, prandaj besoj se nuk do të ndryshojë asgjë”, thotë profesori Shukarov.

Ndërkohë, Komisioni shtetëror Kundër Korrupsionit ka theksuar se kryeministri Zaev duhet të emërojë një ministër të ri të Financave sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me marrjen e drejtimit të dikasterit të financave nga Zaev kanë reaguar edhe organizatat joqeveritare, në mesin e tyre edhe fondacioni “Shoqëri e Hapur”, Transparency International, Euro Thing, e shumë organizata të tjera. OJQ-të kanë theksuar se koncentrimi i pushtetit në një individ nuk është i shëndetshëm për demokracinë, duke nënvizuar se kontrolli dhe përgjegjësia duhet të shpërndahen në shumë faktorë, me qëllim që të mund të monitorojnë punën e njëri-tjetrit.

Por, Zaev ka theksuar se me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Financave ka për qëllim që të ndërmarrë veprime të guximshme, nga të cilat, që sipas tij, do të përfitojnë të gjithë qytetarët. /REL/

Përdhosen tabelat në gjuhën shqipe brenda parkut të Shkupit

Vazhdojnë të përdhosen tabelat në gjuhën shqipe në Shkup. Këtë herë vandalizmi i tabelave në gjuhën shqipe ndodh brenda parkut të qyteti të Shkupit.

Siç shihet edhe nga fotoja e dërguar pranë redaksisë tonë tabela në gjuhën shqipe është hequr me forcë nga shtylla e ndriçimit dhe është hedhur për tokë, ndërsa ajo në gjuhën maqedonase qëndron “krenare” sipër saj në vendin e duhur.

Na informojnë se kjo tabelë është përdhosur në këtë mënyrë prej të paktën një jave, por mesa duket drejtorit shqiptar të Parqeve dhe Gjelbërimeve të Qytetit të Shkupit por edhe punëtoreve të tij, ku një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë, nuk iu intereson shumë kjo tabelë e përdhosur dhe as kanë marrë guximin ta rregullojnë brenda një jave të plotë.

Ky akt shpreh qartazi se shqiptarët nuk kanë vend në këtë park, edhe pse ata që kujdesen për të duke filluar nga drejtori e deri te punëtori më i thjesht janë shqiptarë.

Gashi: Do të shqyrtojmë pjesëmarrjen e mëtejshme në qeveri

Për skandalet dhe aferat që përfshinë qeverinë kohëve të fundit duhet të ketë përgjegjësi individuale thekson kreu i Alternativës Afrim Gashi.

Në një intervistë për Alsat, Gashi pranon se qeveria përveç kontesteve me fqinjët nuk ka arritur t’i zgjidh problemet reale të qytetarëve.

Pavarësisht këmbënguljes së opozitës ai thotë se zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë pa u përmbyllur më parë proceset euro-atlantike të vendit, respektivisht pasi vendi të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në në vjeshtë dhe anëtarësimit të plotë në NATO. Pas rrumbullakimit të këtyre proceseve Gashi nuk përjashton mundësinë e braktisjes së qeverisë.

Strugë, helmohen 10 persona në një dasmë

Mysafirë të cilët mbrëmë kanë qenë në një dasmë në një restorant në rajonin e Strugës kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Arsyeja, jozyrtarisht, ka qenë torta e cila është blerë e më pas është sjellë në dasmë. Nga spitali në Strugë shprehen se kanë pranuar 10 pacientë, ndonëse sipas burimeve të Alsat-it kjo shifër ka qenë më e madhe. Sipas drejtorit të spitalit Muhamet Asani, pacientët janë pranuar me simptome të diarresë dhe vjelljes. Pas kontrollit mjekësor, pacientët janë lëshuar për shërim shtëpiak.

“Nuk ka pacientë të hospitalizuar në repartet tona. Asnjëri prej pacientëve të pranuar nuk është hospitalizuar, meqë nuk kanë qenë në gjendje të rëndë dhe pas intervenimit mjekësor janë lëshuar në shtëpi- sqaroi Muhamet Asani, drejtor i Spitalit të Strugës.

Nga Qendra rajonale e shëndetit publik në Ohër për Alsat njoftuan se nëse si institucion pranojnë thirrje nga Agjencia për ushqim dhe veterineri, atëherë do të marrin mostra nga ushqimi. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër na njoftuan se te ata deri në këtë moment nuk është lajmëruar asnjë rast i tillë. Tentuam të sigurojmë përgjigje edhe nga Agjencia për ushqim dhe veterineri, por pa sukses. Nga Agjencia në ueb-faqen e tyre informojnë se më shumë se 7 tonë ushqim i pasigurt me prejardhje të kafshëve dhe jokafshëve janë shkatërruar vetëm në maj të këtij viti. Në periudhën e njëjtë kohore janë realizuar 5.534 kontrolle inspektuese. Për parregullsitë e konstatuara, janë shqiptuar gjithsej 636 masa inspektuese.

Të shkyçurit nga “ngrohja qendrore”, me kërkesë deri te KRRE-ja

Deri tek Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) janë parashtruar 1300 kërkesa nga qytetarët të cilët janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes qendrore. Pjesa më e madhe e kërkesave janë shqyrtuar dhe në 99.2 për qind të tyre pozitivisht është vendosur.

“Procedura përfundoi më 31 maj. Kemi marrë rreth 1300 kërkesa prej të cilave ndaj 1120 jemi përgjigjur. Kanë mbetur edhe 180 deri në 200 kërkesa për të cilët po bëhen analizat e fundit dhe gjatë javës së ardhshme do t’ju përgjigjemi të gjithë qytetarëve të cilët kanë dorëzuar kërkesë deri tek KRRE”, deklaroi sot Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Mbesa e Skënderbeut, Sophie Castriota publikon këngën e saj të parë

Ajo është njëra ndër pasardhëset e vetme të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pasardhësja e gjeneratës së 14-të me radhë.

Sophie Castriota, e cila edhe kohë më parë është marrë me muzikë, sapo ka lansuar këngën e saj të re.

Në kanalin e këngëtares në Youtube, ka edhe materiale të tjera ndërsa kësaj here ajo ka lansuar “Gone for the night”.

Ajo madje ka realizuar edhe një klip të kësaj këngë, të cilin mund ta ndiqni në linkun më poshtë!