19/05/2024
15.4 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1784

Reka nga Tetova: Shënojmë histori për një Republikë për të gjithë, ligji mbi të gjithë

Kandidati për president Blerim Reka nga Tetova në tubimin e fundit në kuadër të fushatës së tij kërkoi që votuesit në mënyrë masive të votojnë pa marrë parasysh se cilës parti i përkasin. Porositi se votat e të gjithëve do ta bëjnë Maqedoninë e Veriut multietnike dhe euroatlantike.

“Shënojmë histori për një Republikë për të gjithë,. me ligjin mbi të gjithë. Për Republikën ku sundon drejtësia, e jo individi. Kundër shtetit të robëruar, të privatizuar, kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive. Veçanërisht kundër tregtisë me vota”, tha Reka.

Ai i porositi oponentët politikë se kot merren me të dhe se votuesit do t’i fitojnë të dielën.

“Kjo prani e juaj është përgjigjja më bindëse drejtë atyre të cilët me ditë të tëra me gjuhë të urrejtjes paralajmëronin varrime dhe merreshin me të vdekurit e familjes sime. Por sonte nuk do të merrem me ta, sepse votuesit do t’iu përgjigjen më së miri të dielën. Së bashku me ju përfundojmë drejtë rrugës së fitores”, potencoi Reka.

Liderët e Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, Ziadin Sela dhe Billall Kasami kërkuan që shqiptarët të votojnë për Blerim Rekën.

“Vota për Rekën është respekt për të gjithë shqiptarët të cilët ishin në burg për barazi dhe dinjitet të popullit. Të tregoni më 21 prill revoltë kundër premtimeve të parealizuara për drejtësi. Kjo do të jetë porosi se shqiptarët janë këtu dhe do të mbeten”, tha Sela.

Kasami porositi se në këto zgjedhje presidenciale duhet të delegjitimohet pushteti.

“Të mos harrojë Zaevi se regjimi i Gruevskit ishte rrëzuar me votën e shqiptarëve. Mund të them se edhe regjimi i Zaevit dhe bashkëpunëtorëve të tij do të rrëzohet njëjtë me votën e shqiptarëve, me votën e Blerim Rekës”, theksoi Kasami.

Në tubim mbështetje për Blerim Rekën kërkoi edhe lideri i lëvizjes Vetëvendosje nga Kosova, Albin Kurti. as/fc/

Përfundon fushata, nga mesnata heshtje para zgjedhjeve të së dielës

Në mesnatë përfundon fushata njëzetditore dhe fillon heshtja para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen të dielën dhe zgjedhjeve lokale të parakohshme që do të mbahen po të dielën në komunat e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës dhe fillon heshtja zgjedhore.

Dy prej tre kandidatëve për president e përfundojnë fushatën zgjedhore me takime me qytetarët dhe tubimet ndërsa kandidati i cili përkrahet nga Aleanca e Shqiptarëve dhe “Besa”, Blerim Reka dje me tubimin në Tetovë e përfundoi fushatën zgjedhore.

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski fushatën e përfundon sot në pjesën perëndimore të vendit, respektivisht do të mbajë tubim në Strugë dhe në Ohër, ndërsa gjatë ditës do të ketë takime me qytetarët e Debarcës, Vevçanit dhe të Labunishtit, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska -Davkova do të jetë në pjesën lindore të vendit, më saktë do të ketë tubim në Shtip, ndërsa paraprakisht do të mbajë tubim edhe në Probishtip.

Nesër, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e votës mund ta realizojnë 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, shtatë persona të shpërngulur brenda vendit, si dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.

Personat e zhvendosur brenda vendit votojnë në strehimoret ku strehohen, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara në shtëpitë e tyre dhe votuesit që në ditën e votimit janë në masën e arrestit shtëpiak në vendin ku e vuajnë këtë masë.

Votimi edhe nesër edhe pasnesër në ditën e zgjedhjeve fillon në orën shtatë dhe do të zgjatë deri në orën 19.

Në 3.480 vendvotime në Republikë dhe në 32 jashtë vendit në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

1.726.795 votues janë të regjistruar në ekstraktet nga lista zgjedhore, 77.579 votues janë në punë të përkohshme ose rezident jashtë vendit, 1.640 janë duke vuajtur dënimin ose janë në paraburgim dhe shtatë zgjedhës janë të regjistruar si persona të zhvendosur brenda vendit. Në ekstraktin special të listës së zgjedhësve janë regjistruar 1,781 votues që kanë paraqitur një kërkesë në Përfaqësitë Diplomatike-Konsullore jashtë vendit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 5 maj.

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia e tij në vitin 1991.

Gjithsej 840 qytetarë kanë aplikuar për inverterë, subvencionimi në vijim

Gjithsej 840 qytetarë kanë paraqitur në thirrjen publike për subvencionimin për furnizimin e pajisjeve më bashkëkohore për ngrohje – kondicionerë inventerë për vitin 2019, që Qyteti i Shkupit e ka publikuar në mars të këtij viti. Subvencionimi ende është në vijim dhe qytetarët mund të kompensojnë një pjesë të shpenzimeve të bëra gjatë furnizimit të inventorëve.

Siç bëri të ditur Qyteti i Shkupit, me këtë thirrje përfshihen të gjithë kondicionerët inventerë që janë blerë në një janar të vitit 2019. Lartësia e subvencionimit është në vlerë prej 50 për qind nga vlera e pajisjes, por jo më shumë se 15.000 denarë me tatim të përfshirë personal të të ardhurave. Thirrje do të realizohet sipas parimit “i ardhuri i parë, i pari shërbehet” ndërsa do të zgjasë deri më 30 nëntor apo deri te shterja e mjeteve të parapara financiare nga Buxheti i Qytetit të Shkupit për këtë dedikim.

Të drejtë të pjesëmarrjes në thirrjen publike kanë banorët e Shkupit, në komunat Aerodrom, Gazi Babë, Kisella Vodë, Karposh, Çair, Shutkë, Qendër, Gjorçe Petrov, Butel dhe Saraj të cilët kanë blerë kondicioner inventer për ngrohjen e amvisërive të tyre (objekt banimi) në periudhën nga një janari e deri më 30 nëntor të këtij viti dhe të parashtrojnë kërkesë për kompensimin e një pjese të shpenzimeve.

Në thirrjen publike nuk kanë të drejtë në pjesëmarrje banorët (amvisëritë) të cilët kanë objekt banimi me kyçje të ngrohjes qendrore, pa marrë parasysh në atë nëse e përdorim, si dhe banorët (amvisëritë) të cilët kanë objekt banimi në fazën e ndërtimit dhe nuk jetojnë në të.

Aplikuesi duhet ta parashtrojë kërkesën dhe dokumentacionin në zar të mbylltë deri te “Komisioni për zbatimin e procedurës për subvencionimin e qytetarëve në rajonin e Qytetit të Shkupit për furnizimin e stufave me peleta”, në arkivin e Qytetit të Shkupit, në adresën; bulevardi “Ilnden” numër 82, çdo ditë pune nga ora 08.30 e deri në orën 16″, theksojnë nga Qyteti i Shkupit.

Në vijim janë edhe thirrjet publike për subvencionimin e qytetarëve për furnizimin e stufave me peleta dhe për biçikleta.

CIVIL: Liria e informimit nuk guxon të rrezikohet!

CIVIL -Qendra për liri e shpreh tmerrimin dhe dënimin më të ashpër për sulmin mbi ekipit të Televizionit 21, nga ana e familjarëve të afërt të kryetares së Komunës, Milikije Halimi, gjatë incizimit në komunë.
Pikërisht këto veprime dhe sjellja kundër ligjit nga dhunuesit janë mes arsyeve më të mëdha për rrënimin e reputacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në opinionin ndërkombëtar, në aspektin e mediave.
Liria e informimit nuk guxon të rrezikohet, ndërsa gazetarët dhe punëtorët e mediave nuk guxojnë të pengohen në kryerjen e punës së tyre. Ata nuk guxojnë të jenë objekt i sulmeve verbale dhe fizike dhe i kërcënimeve!
Fakti se kjo sjellje primitive dhe e dhunshme vjen nga struktura të afërta me figura politike, është plotësisht i papranueshëm. Prandaj, Civili e përshëndet dënimin nga ana e kryetares së komunës Halimi dhe i bën thirrje t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në kontekstin për zgjidhje sa më të shpejtë të këtij akti të dhunshëm.
Civili kërkon nga Ministria për punë të brendshme dhe Prokuroria publike menjëherë të zbatojnë hetime dhe kryesit e këtij akti të sanksionohen ashpër!
Njëkohësisht, Civili përkujton për rastet e shumta të dhunës mbi gazetarët, për të cilët ende nuk ka zgjidhje. Mosndëshkimi i këtyre veprimeve, për fat të keq, vetëm edhe më tepër u jep guxim dhunuesve në pengimin e lirisë së informimit!

Boksierja e parë iraniane mund të përfundojë në burg

Sadaf Kadim, gruaja e parë boksiere nga Irani, e anuloi kthimin në shtëpi nga Franca, sepse për të ishte dhënë urdhër-arrest.

Sadaf Kadim të shtunën e fitoi boksieren franceze Ana Shovan dhe kishte plan të kthehet në Teheran, së bashku me trajnerin.

Kadim është akuzuar sepse nuk i ka respektuar rregullat, në ring ka qenë “e veshur në mënyrë joadekuate”, sepse ka pasur pantallona të shkurtëra dhe bluzë me aski.

Sadaf ka mbajtur bluzë të gjelbërt, pantallona të shkurtëra të kuqe dhe rripa të bardhë. Ai kombinim është sikur flamuri i Iranit. Edhe krahas lejes Të Ministrisë së Sportit të Iranit, dukshëm pritjen e madhe, në të cilën aq shumë ka shpresuar, nuk do ta ketë.

“Kam luftuar në garën legjendare në Francë. Kam mbajtur pajisje, e cila në tërë botën është normale, ndërsa jam munduar edhe t’i respektoj zakonet e vendit tim. Kam mbajtur hixhab dhe trajneri im është burrë, dhe si duket ajo dikujt nuk i ka pëlqyer”. deklaroi Sadaf Kadim.

Ambasada iraniane në Francë gjithashtu nuk ka dashur ta komentojë këtë situatë të pakënaqshme, ndërsa aleati i tyre boksier kumtoi se nuk ka organizuar kurrfarë garimi në konkurencën e femrave dhe se çdo grua duhet ta respektojë kodeksin, në të kundërtën do t’i durojë pasojat, ndërsa dënimet ligjore lëvizin nga ato financiare deri në dënim me burg në periudhën prej maksimum dy muajve. sa/

Dy opsione në disponim nëse nuk arrihet cenzusi i nevojshëm në zgjedhjet presidenciale

Nëse nuk arrihet cenzusi i nevojshëm për zgjedhje të presidentit në zgjedhjet e ardhshme, ekzistojnë dy mundësi – shefi i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët pa shumicë të nevojshme në rrethin e dytë apo të zgjidhet në Kuvend.

Këtë e deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, e pyetur nëse po mendohet për ndryshim të Kushtetutës në pjesën e zgjedhjes së presidentit nëse nuk arrihet dalja e nevojshme në zgjedhje që duhet të mbahen më 21 prill dhe 5 maj.

“Ne kemi rekomandim nga Komisioni i Venecies se cenzusi që ekziston në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit është diçka që nuk është adekuate dhe duhet të hiqet. Ky është rekomandim që po zvarritet që nga zgjedhjet e kaluara, Ekspertët e huaj tashmë bënë vërejtje se ka diçka që është jotipike në vendet e tjera që ndonjëherë në ndonjë mënyrë mund të paraqesë rrezik që të mos mund të mbahen me sukses zgjedhjet presidenciale. Ndryshimi i Kushtetutës me qëllim që të lehtësohet procesi i zgjedhjes së presidentit është diçka që tashmë është rekomanduar edhe nga OSBE-ja, përkatësisht ODIHR-ja. Ka dy opsione, njëri është që presidenti të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta pa shumicë të nevojshme të daljes në rrethin e dytë. Kjo do të thotë se kush fiton më shumë vota, fiton dhe këtu nuk keni mundësi të minoni zgjedhje përmes bojkotit. Opsioni i dytë është zgjedhja e presidentit në Kuvend. Ato janë dy opsione të ndryshme të cilat janë të mundshme dhe të cilat ekzistojnë në të drejtën komparative”, deklaroi Deskoska pas Konferencës së sotme evropiane për mediacion.

Sipas vendimit të tanishëm në Kushtetutë, në mënyrë që të zgjidhet presidenti në rreth të parë të zgjedhjeve, është e domosdoshme për të të votojnë shumica e të gjithë votuesve të regjistruar – 1.808.131, përkatësisht së paku 904.066 qytetarë me të drejtë vote.

Nëse në rrethin e parë nuk e merr shumicën e nevojshme, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më së shumti vota në rreth të parë.

President do të zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicën e votave, nëse në vendvotime kanë dalë mbi 40 për qind të votuesve të regjistruar, përkatësisht 723.253 votues.

Nëse edhe në rreth të dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk merr numër të nevojshëm të votave, e tërë procedura do të përsëritet. ab/

Lëvizja BESA dënon aktin e dhunshëm ndaj gazetarëve që ndodhi në Komunën e Haraçinës

Pas materialit tronditës të publikuar nga TV21 në Komuna e Haraçinës, ku shihet sesi disa persona, kërcënojnë dhe marrin peng gazetarët, duke i detyruar të fshijnë edhe inçizimet e tyre, për Lëvizjen BESA, ky akt është shumë i ulët dhe i pa precedentë.
Dënojmë fuqishëm çdo tentativë që do të pamundësonte informimin jo të drejt dhe punën e gazetarëve për përcjelljen e lajmit në mënyrë transparente dhe pa anime. Pengimi i fjalës së lirë trysnia ndaj gazetarëve, është në kundërshtim me raportet e BE-së, ku kërkohet, pavarësi e medieve, gazetarë të lirë në kryerjen e punëve të tyre dhe në asnjë mënyrë, ushtrim apo kërcënim ndaj fjalës së lirë.
Ne si Lëvizje BESA, apelojmë fuqishëm tek të gjithë organet kompetente, të marrin seriozisht këtë çështje dhe ushtruesit e dhunës të dalin para drejtësisë. BESA në asnjë moment nuk do të hesht për dukuritë negative në shoqëri që prishin imazhin e një vendi, që pretendon të bëhet pjesë e familjes së madhe Europiane
Lëvizja BESA
18.04.2019

Shpërndarja e materialit zgjedhor konfidencial deri te komisionet komunale

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot do ta shpërndajë materialin zgjedhor konfidencial deri te komisionet komunale.

Karvani i KSHZ-së për shpërndarjen e materialeve fillon nga Manastiri, pasi materialet zgjedhore konfidenciale do të merren nga shtypshkronja “Kiro Dandaro”.

Pasi që karvani i KSHZ-së do të vazhdojë me shpërndarjen në të gjitha 80 komisionet zgjedhore komunale, ndërsa siç theksuan nga Komisioni për MIA-n shpërndarja duhet të përfundojë deri në të fund të ditës.

Reporterë pa kufij: Maqedonia e Veriut mbetet në vendin e 95-të sipas indeksit të lirisë së mediave

Maqedonia e Veriut mbetet në vendin e 95-të sipas indeksit të fundit botëror për lirinë e mediave të Reporterë pa kufij (RSF), njejtë sikur vitin e kaluar, kur vendi kërceu për 14 vende.

Vërejtja kryesore e Reporterë pa kufij këtë vit është gjendja në servisin publik, RTVM, ku Qeveria ende nuk ka zbatuar reforma.

“Edhe pse institucioni është stabilizuar në vitin 2018, Qeveria e re ende nuk e ka ndryshuar Ligjin për radiodifuzer publik, në kundërshtim me atë që e ka paralajmëruar në vitin 2017”, thekson organizata.

“Ashtu që tani për tani, programi i servisit publik vazhdon t’i shërbejë interesat e ish partisë konservatore qeveritare, VMRO-DPMNE, qëndron në raportin e Reporterë pa kufij për këtë vit.

Edhe pse nuk janë regjistruar sulme ndaj gazetarëve gjatë vitit të kaluar në Maqedoni dhe siguria e gazetarëve shënon përparim të madh, Reporterë pa kufij paralajmërojnë se kultura e mosndëshkimit vazhdon të qeveris në vend.

Vetëm dy prej 59 sulmeve të regjistruara ndaj gazetarëve viteve të fundit janë lëndë e hetimeve dhe kanë marrë përfundim.

“Kjo nuk e arrin shkallën e nevojshme të dekurajohen përgjegjësit për sulmet”, transmeton RSF.

Në pjesën e rregulloreve ligjore, organizata për mbrojtje të gazetarëve shënon se nevojiten ndryshime në pjesën për shpifje dhe qasje te institucionet shtetërore. RSF thekson edhe se amendamenti kontravers me të cilin i lejohet Komisionit Shtetëror Zgjedhor ta vëzhgojë raportimin e zgjedhjeve në mediumet elektronike, është miratuar pa debat dhe pa konsultime.

Përfundimisht, Reporterë pa kufij kërkojnë t’i kushtohet vëmendje faktit që “funksionarë të lartë qeveritar kanë tendencë të rrënjosur t’u kërcënohen dhe t’i ofendojnë gazetarët”.

Ky është kërcimi më i mirë për lirinë e mediave në Maqedoni në pesë vitet e fundit. tm/sa/

LDSHM: Ju që mundeni të vini në vendlindje, votoni Blerim Rekën

0

“Ju që mundeni të vini në vendlindje të votoni, pra në Maqedoninë Veriore, ejani dhe votoni z. Blerim Reka kandidatin shqiptar. Që të kuptojnë të gjithë, sidomos Evropa, se ne jemi popull i civilizuar dhe nuk duam ngatërresa, marrim pjesë në zgjedhje edhe pse e dimë se cili do të jetë rezultati përfundimtar, ngase maqedonasit nuk votojnë shqiptar, kurse për maqedonas jo një por janë rreshtuar 3 subjekte politike të ashtuquajtura shqiptare të japin votën për kandidatin maqedonas vetëm e vetëm të ruajnë kolltukun, por edhe për të ju shpëtuar drejtësisë! Sa do të shpëtojnë do të shohim!?

Mërgata gjithmonë e ka dhënë provimin, kemi besim se edhe kësaj radhe do të jep provimin, ejani, ne jemi këtu dhe do të votojmë, ejani edhe ju.”, thuhet në një komunikatë të Lidhjes për Diasporën Shqiptare për Maqedoni. (INA)