03/05/2024
9.7 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1788

Aktivizohet shtabi i degës së PDSH-së në Tetovë

0

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, bashkë me anëtarët e Shtabit Qendror të partisë për zgjedhjet presidenciale, mbajti mbledhje me shtabin e degës së PDSH-së në Tetovë.

Në mbledhje, siç thuhet në kumtesën e PDSH-së, u bisedua për çështjet organizative, aktivitetet dhe strategjinë e punës së degës së PDSH-së Tetovë gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Informojmë se takime të tilla, Kryetari i PDSH-së, bashkë me Shtabin Qendror të partisë do të mbajë me të gjitha degët dhe shtabet e degëve tē Partisë Demokratike Shqiptare. shk/

Në Qeveri takim Zaev – Cipras

0

Në Qeveri në vijim janë bisedat e kryeministrit Zoran Zaev dhe kryeministrit grek Aleksis Cipras i cili sot po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Cipras paraprakisht u prit para Qeverisë së Zaevit dhe ministrat qeveritarë. Për shkak të vonesës së aeroplanit me të cilin arritën Ciprasi dhe dhjetë ministra të cilët e shoqërojnë, ceremonia e pritjes është shkurtuar.

Dy kryeministrat gjatë ardhjes së Ciprasit në Qeveri u përshëndetën me gazetarët dhe i bënë disa fotografi selfi ndërsa më pas u drejtuan nga godina e Qeverisë.

Vizitën zyrtare të Ciprasit në Maqedoninë e Veriut, e para e një kryeministri grek, e ndjekin 100 gazetarë të akredituar, prej të cilëve rreth 40 nga Greqia.

Vizita e Ciprasit e cila nga mediat dhe analistët e dy vendeve vlerësohet si historike do të transmetohet drejtpërdrejtë nga televizionet kombëtare të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, përshirë arritjen në aeroport, pritjen solemne para Qeverisë, seancën ndërqeveritare, pres konferencën e përbashkët të kryeministrave dhe forumin e biznesit.

Pas takimit tet-a-tet bisedimet Zaev- Cipras dhe takimi ndërqeveritar, dy kryeministrat do të mbajnë pres konferencë të përbashkët.

Kryeministri grek do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Pasdite do të mbahet Forum biznesi në të cilin fjalime do të mbajnë dy kryeministrat.

Në delegacionin që do ta shoqërojë Ciprasin gjatë vizitës në Shkup, krahas ministrave të Qeverisë, janë edhe më shumë se njëqind përfaqësues të kompanive të mëdha dhe të mesme të interesuara për investime në vend. shk/

Doktorantët e UT-së realizuan puntori në lëndën Metodologjia e hulumtimit shkencor

0

Studentët e ciklit të tretë në Universitetin e Tetovës, më 30 mars 2018, realizuan një punëtori në kuadër të lëndës Metodologjia e hulumtimit shkencor, të cilën e ligjëron Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.
Gjatë mbajtjes së punëtorisë, studentët nën udhëheqjen e mësimdhënësve të fushave specifike shkencore, u përkrahën për realizimin e aktiviteteve të tyre në kuadër të grupeve të punës me këto tematika që ndërlidhen me hapat e përpilimit të projektit ideor të hulumtimit, si: ngritja e tezës; struktura e tezës; llojet e punimeve; qëllimi i hulumtimit; problemi i hulumtimit; hipotezat; mostra; metodat; rezultatet; citimet; fusnotat; literatura; etika metodologjike; roli i mentorit; shkrimi akademik dhe drejtshkrimi.
Punëtoria me doktorantët e gjeneratës 2018/2019 edhe këtë vit u realizua në 6 grupe, ku studentët në veçanti patën mundësi që të fitojnë njohuri shtesë nga udhëheqësit e grupeve rreth përpilimit të disertacionit të doktoraturës, me qëllim që planifikimi dhe ecuria e një studimi të realizohet me matje dhe analiza përkatëse shkencore, duke respektuar të gjithë hapat e caktuar për arritjen e qëllimeve shkencore.

Drejtoresha rajonale e UNDP-së për vizitë dyditore në Shkup

0

Mirjana Spolariq Eger, ndihmës administratore e UNDP-së dhe drejtoresh e Byrosë Rajonale për Evropën dhe Unionin e shteteve të pavarura, nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare dyditore në vend.

Gjatë qëndrimit, Eger do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev dhe me zëvendëskryetarin e Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

Proceset për integrim në BE, reformat aktuale në institucionet shtetërore kyçe, krijimi i vendeve të punës, përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe ulja e rrezikut nga katastrofat, janë temat në të cilat do të bisedojnë Eger, Zaev dhe Osmani.

Pjesë e agjendës janë Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm.

Në suaza të vizitës drejtoresha e UNDP-së për Euroazinë do të vizitojë disa programe dhe projekte që për momentin i zbaton UNDP.

Vazhdon gjykimi për vrasjen e Sazdovskit

0

Në Gjykatën Penale sot duhet të vazhdojë gjykimi i Besir Belës dhe Skender Demirit, të akuzuar për vrasjen e njëzetvjeçarit, Nikolla Sazdovski.

Rastin e udhëheq gjykatësja, Daniela Aleksovska – Stojanovska.

Më 7 shkurt u bë rikonstruimi i vrasjes së Sazdovskit në prani të dëshmitarëve dhe ekspertëve në stacionin e autobusëve në Autokomandë.

Sipas aktakuzës, Bela dhe Demiri së bashku me J.L. (19), i cili është në arrati, më 29 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin e autobusëve para fabrikës “Alkaloid” në bulevardin “Aleksandar Makedonski” në Autokomandë.

Nga lëndimet e marra, Sazdovski më 9 korrik 2018 vdiq në Klinikës për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv – KARMI në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

Dy sulmuesit, Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim, ndërsa për personin e tretë i cili akoma nuk është në dispozicion për organet e përndjekjes, është shpallur urdhër-arrestim vendor dhe ndërkombëtar. shk/

Kandidatët për kryetar shteti filluan fushatën, kërkojnë votat e qytetarëve duke ju premtuar ndryshime

0

Kandidatët për kryetar shteti në Maqedoninë e Veriut gjatë ditës së djeshme kanë filluar fushatën për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 21 prill, ndërsa raundi i dytë eventual është paraparë për më 5 maj.

Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura aktivitetet e Blerim Rekës, Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovskës, të cilët dje dërguan mesazhe dhe premtime për qytetarët.

Kandidati i opozitës shqiptare Blerim Reka, mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup mbajti konventën promovuese, ku edhe njoftoi për aktivitetet e tij gjatë fushatës.

Ai tha se vota duhet të jepet kundër nepotizmit korrupsionit dhe padrejtësive.

“Këtu në Shkup lidhim besën për republikën e të gjithëve, për sundimin e ligjit, kundër shtetit të kapur që zbrazi çerekun e popullsisë. Duhet votuar kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive. Vota juaj është e shenjtë, s’mund të të blihet. Vota juaj për mua do të bëj Maqedoninë e Veriut euroatlanitike”, tha mes tjerash Reka.

Ndërsa kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska, dje fushatën e ka filluar në qytetin e saj të lindjes Ohër. Ajo tha se është kandidate mbipartiake dhe se do të punojë për të gjithë qytetarët.

“Ka gjëra në jetë për të cilat ia vlen të luftosh. Kjo është koha, kjo është beteja e brezit tonë, beteja që njerëzit e guximshëm do ta kujtojnë. Kjo është lufta për të ardhmen e Maqedonisë. Këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale dhe presidenciale. Këto janë zgjedhjet për të cilat vendoset e ardhmja e Maqedonisë, e ardhmja e familjeve tuaja. Ky është një shans për të korrigjuar të gjitha padrejtësitë e kryera në atdhe”, tha mes tjerash Siljanovska.

Kandidati i përbashkët i partive në pushtet, Stevo Pendarovski, dje fushatën e ka nisur në Pllasnicë, Makedonski Brod, Dollnen, Llazhan, Krivogashtan dhe Krushevë. Ai kërkoi nga qytetarët votat e tyre, pasi siç tha, do ta nxjerr Maqedoninë nga errësira.

“Më 21 prill dhe 5 maj, do të ketë referendum për gjithë atë që e bëri kjo strukturë politike, për të vendosur Maqedoninë në hartën evropiane. Prandaj, nuk do të votoni për Stevo Pendarovskin, por do të votoni për këtë politikë që e nxori Maqedoninë nga fundi”, tha mes tjerash Pendarovski.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Stevo Pendarovski do të qëndrojë në Sopishte dhe Studeniçan, Gordana Siljanovska do të takojë qytetarët në Dibër, Strugë dhe Resnjë, ndërsa Blerim Reka sot nuk do të ketë aktivitete të fushatës./Telegrafi/

Aksident i rëndë në aksin Tetovë-Gostivar, ka viktimë (Foto)

Sot afër orës 07:00 në pikë pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar ka ndodhur një aksident komunikacioni.

Është aksidentuar vetura Mercedes dhe Tuareg.

Sipas informacioneve një person ka ndërruar jetë dhe tre të tjerë janë në Spitalin Klinik të Tetovës.

Personat e hospitalizuar në Spitalin Klinik të Tetovës mendohet të jenë nga Dibra dhe Kërçova./Telegrafi/

Mbyllet sezoni dimëror në Ski-Qendrën “Kodra e Diellit”

0

“ELEM Turs” SHKPNJ – Shkup dhe Ski-Qendra “Kodra e Diellit” i informojnë të gjithë dashamirët e skijimit se dje është mbyllur ski-sezoni në qendrën tonë më të madhe të skijimit.

Paralajmërojnë se në periudhën e ardhshme, veçanërisht pr festat e Pashkëve dhe të 1 Majit dhe në periudhën e verës, hoteli “Sllavia” (120 shtretër) adhuruesve të maleve dhe natyrës u ofrojnë pako aranzhmane për qëndrim dhe shfrytëzim të përmbajtjeve shtesë.

Cipras : Përgjegjësia ime dhe e Zoranit është të tregojmë se popujt tanë vetëm se mund të përfitojnë nga rruga që është hapur

0

Nëse Qeveria ime frikësohej nga çmimi politik, nuk do të mundej as ta nxirrte vendin nga kriza dhe programi ekonomik, as dhe të gjejë zgjidhje për sistemin e sigurisë, as edhe të përballet me krizën e refugjatëve, as edhe ta zgjedh emrin, as të promovojë dialogun e domosdoshëm me Turqinë edhe krahas vështirësive, as edhe të bëjë ndryshime radikale të nevojshme në sferën e të drejtave njerëzore. Këtë në prag të vizitës në Shkup në intervistën ekskluzive për MIA apo të ndonjë mediumi për Maqedoninë e Veriut e ka thënë kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras. Në të ai hap kartat për bisedimet e ardhshme me kolegun e tij Zoran Zaev dhe delegacionin e dy vendeve dhe planet e ardhshme për bashkëpunim, ndërsa flet edhe për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës.

Sipas Ciprasit, Marrëveshja e Prespës ka inspiruar shumëkë i cili njohu se është e mundur të zgjidhen dallimet ndërkombëtare me respektim të ndërsjellë, duke siguruar interesat e saja pa e nënçmuar palën tjetër.

“Megjithatë ka pasur çmim politik, pasi një pjesë e rëndësishme e popullit grek ka qenë seriozisht e shqetësuar për këtë çështje. Përgjegjësi e jonë- e imja dhe e Zoranit- është të tregojmë se popujt tanë mund vetëm të fitojnë nga rruga që është hapur. Poashtu, përgjegjësi e jonë është t’u përgjigjemi forcave të nacionalizimit që në botën e sotme forcohen dhe synojnë të na kthejnë në kohët e turbullta.

Në bisedën me korrespondenten e MIA-s nga Athina, Cipras ka theksuar se vizita është e rëndësisë historike, e bazuar në vizion të ri strategjik për dy vendet, zbulon se do të vjen me 10 ministra dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje në sfera të ndryshme.

Thotë se Greqia dhe Maqedonia e Veriut patjetër të jenë partnerë dhe aleatë, dërgon porosi se Athina duhet të ketë fqinj stabil verior dhe të sigurt, ndërsa Shkupi ka nevojë për fqinj të fuqishëm që do të mbështes hapat e saja drejt perspektivës evropiane.

“Kjo është vizitë e rëndësisë historike, e bazuar në vizion të ri strategjik për vendet tona. Greqia dhe Maqedonia e Veriut patjetër të jenë partnerë dhe aleatë. Përveç kësaj, rezultati i Marrëveshjes së Prespës nuk është vetëm zgjidhje e çështjes së emrit dhe zhbllokimi i perspektivës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja vendosi themelet për raporte të fuqishme bilaterale që parashohin bashkëpunim në nivel ndërkombëtar, evropian dhe rajonal. Në kuadër të kësaj, do të mbahet edhe takimi i parë i Këshillit tonë për bashkëpunim në nivel të lartë me pjesëmarrje të 10 ministrave nga më shumë sfera (ekonomi, energjetikë, mbrojtje, politikë të jashtme, infrastrukturë/transport, zhvillim bujqësor, politikë digjitale, shëndetësi) dhe do të mbahet forumi i parë biznesor me dhjetëra biznesmenë të vendeve tona. Do të merremi vesh për Planin aksionar që do të përfshijë të gjitha kategoritë e bashkëpunimit tonë, Marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje, Marrëveshje për hapjen e vendkalimit të ri kufitar që do të lidhë Promahin me Majdenin, Memorandum për bashkëpunim të procesit qasës të Maqedonisë së Veriut, energjetikës, zhvillimit të infrastrukturës, Shërbimet tona për aviacion civil”, ka thënë Cipras.

Përgjigje e koordinuar ndaj kërcënimeve trans-nacionale në fokus të konferencës rajonale të mbështetur nga OSBE-ja

0

Përgjigje e koordinuar ndaj kërcënimeve trans-nacionale ekzistuese dhe atyre në zhvillim është në qendër të konferencës rajonale të mbështetur nga OSBE që po mbahet sot dhe nesër në Shkup. Konferenca u hap nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e agjencive kufitare dhe doganore të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnje dhe Herzegovinës, Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë do të ndajnë praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Pjesëmarrësit nga Kosova po marrin pjesë gjithashtu në këtë ngjarje. Konferenca dy-ditore do të nxisë bashkëpunimin e përforcuar ndërmjet agjencive për zbatimin e ligjit në rajon përmes shkëmbimit më të mirë të të dhënave në kohë reale.

“Kjo konferencë është një nga sërë diskutimesh praktike që kemi organizuar duke u fokusuar në sigurinë dhe menaxhimin e kufijve në rajon. Këto aktivitete kanë për qëllim zhvillimin e qëllimeve të përbashkëta dhe praktikave më të mira për të luftuar kërcënimet e krimit të organizuar trans-nacional dhe terrorizmit,” tha Koja.

Ai shtoi se OSBE është e angazhuar të arrijë një ekuilibër midis nevojës për të ruajtur sigurinë përballë kërcënimeve ndërkufitare nga njëra anë, dhe lirisë së lëvizjes për personat, mallrat, shërbimet dhe tregtinë nga ana tjetër.

Kryeministri Zaev tha: “Aktivitetet e paligjshme ndërkufitare kërkojnë një përgjigje adekuate. Në botën e sotme të globalizuar, për të bërë më efikase lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar, përfshi korrupsionin dhe migracionin e paligjshëm, përhapjen e armëve, kontrabandën e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.”