03/05/2024
9.7 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1789

Fillon gara presidenciale – kandidatët premtuan zgjedhje korrekte

0

Blerim Reka, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, sot e fillojnë fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale.

Fushatën Blerim Reka kandidat presidencial i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa e fillon në Shkup , Siljanovska-Davkova e cila është kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit fushatën e fillon nga Ohri, ndërsa Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe koalicionit prezentimin e tij do ta fillojë para votuesve të Prilepit.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të zgjasë deri më 19 prill, me ç’rast pason heshtje zgjedhore 24-orëshe, para ditës së votimit.

Sipas paralajmërimeve të shtabeve zgjedhore, kandidatët do t’i vizitojnë pothuajse të gjitha vendbanimet, do të kenë takime me qytetarë dhe mitingje në qytetet më të mëdha. Premtojnë fushatë të qetë dhe korrekte.

Një ditë para fillimit zyrtar të fushatës, kandidatët për shef të ri të shtetit në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Apele për zgjedhje korrekte dhe të rregullta për kandidatët, partitë politike dhe qytetarët bëmë bashkësia ndërkombëtare, përfaqësuesit shtetërorë dhe KSHZ.

Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet presidenciale të gjashta është caktuar për më 21 prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahet më 5 maj.

Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut (ODIHR) do t’i mbulojë zgjedhjet presidenciale me 279 vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë. Ata do të punojnë në nëntë ekipe nga dy, të cilët do të sistemohen nëpër të gjithë territorin e vendit. Në ditën e zgjedhjeve misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR do t’i bashkojë forcat me delegacionet e Asambleve parlamentare të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.

Presidentin e ri duhet ta zgjedhin 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Në zgjedhjet presidenciale, të drejtën e votës jashtë vendit do të mund ta realizojnë gjithsej 1.782 qytetarë në 32 Përfaqësi diplomatiko – konsullore dhe zyra konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.

Sipas shortit të bërë të KSHZ-së, në fletëvotim Reka do të jetë nën numër rendor një, Siljanovsk-Davkova nën numrin dy, ndërsa Pendarovski nën numrin tre.

Sipas ligjeve të Maqedonisë, kandidati për president mund të fitojë në raundin e parë nëse i fiton mbi 50 për qind të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore. Ndryshe do të mbahet edhe raundi i dytë më 5 maj në të cilin do të garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i parë. Jehona në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Sipas Kushtetutës, kandidati presidencial duhet të jetë mbi 40-vjeç dhe të jetë banor i shtetit së paku në 10-15 vitet e fundit. Një mandat presidencial është pesë vjet.

Profesori Blerim Reka, i cili mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, për një periudhë të gjatë është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2006 deri në vitin 2010 ishte ambasador i Maqedonisë në BE. Ai ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2002 e ka marrë titullin doktor i të Drejtës ndërkombëtare.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” për të drejtë kushtetuese dhe sistem politik. Siljanovska ka qenë ministre pa resor në Qeverinë e RM-së nga viti 1992 deri në vitin 1994, kur kryeministër ishte Branko Cërvenkovski, eksperte në Grupin e Gjenevës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe eksperte në Kombet e Bashkuara.

Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski për herë të dytë merr pjesë në garën presidenciale. Ai në zgjedhjet paraprake humbi nga presidenti Gjorge Ivanov. Pendarovski ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit të shtetit, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, këshilltar për politikë të jashtme të presidentit, ndërsa tani është koordinator kombëtar për NATO-n.

Mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov përfundon më 12 maj 2019.

Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, me të cilin është zgjidhur kontesti për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe vendi e mori emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

Më 21 prill në vend krahas zgjedhjeve presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme për kryetarët e komunave Ohër, Novosellë dhe Dibër. shk/

Godina e Qeverisë dhe institucionet e tjera sonte do të ndriçojnë me ngjyrë të kaltër për Ditën Botërore të Autizimit

0

Në prag të 2 Prillit – Ditës Botërore të Autizmit sonte në orën 20.00 me ngjyrë të kaltër do të ndriçohen godinat e Qeverisë, të Muzeut Arkeologjik, të OBM-së, objektet e komunës së Tetovës, Manastirit dhe Ohrit, në shenjë të solidaritetot me fëmijët me autizëm.

Aktiviteti është në nismë të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, ndërsa zbatohet së bashku me OJQ “Në botën time” në bashkëpunim me Qeverinë dhe me komunat.

Më 2 Prill, megjithatë, në Ditën Botërore të Autizmit fëmijë nga Bullgaria, të cilët marrin pjesë në Festivalin folklorik në Ohër, në bregun pranë Liqenit të Ohrit do të lëshojnë tullumbacë të kaltër në shenjë të solidaritetit me fëmijët me autizëm.

Siç deklaroi në intervistën për MIA-n ambasadori bullgar Angel Angelov, në suaza të angazhimeve që i bëjnë si vend anëtar i BE-së, do të hapet edhe qendër e re, e dyta për trajtim të hershëm të fëmijëve me autizëm, të cilin mund ta vizitojnë fëmijë nga pjesa perëndimore e shtetit. Për këtë projekt janë ndarë 102.000 euro.

“Tashmë pp punohet në renovimin e hapësirave të qendrës, ku është vendosur në Repartin e Pediatrisë në Komunën e Spitalit të Përgjithshëm në Ohër. Shpresojmë se deri në fund të shtatorit apo tetorit do të fillojë me punë”, tha Angelov.

Në bashkëpunim me OJQ-në “Në botën time” Ambasada bullgare ka ndihmuar hapjen e Qendrës ditore në Shkup në të cilën kujdesen, gjegjësisht punohet me fëmijë me autizëm në fazën e hershme, projekt me vlerë prej mbi 100.000 euro.

Mobingu si dukuri në shoqërinë e Maqedonisë

0

Mobingu mund të manifestohet në numër të pafund të formave, si për shembull përqeshje dhe nënçmim i vazhdueshëm në vendin e punës, dhënie e obligimeve poshtëruese dhe/apo bërtitje е vazhdueshme dhe fyerje me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë sulmohet dinjiteti i punëtorit.

Etiologu austriak Konrad Lorenc, fitues i Çmimit Nobel për mjekësi në vitin 1973, është i pari i cili e ka identifikuar dhe e ka përdorur fjalën “mobing” në një hulumtim të vetin në vitin 1958. Ai, duke e mbikëqyrur sjelljen e llojeve të caktuara të kopeve, ka vënë re se në disa situata individët më të dobët bashkohen që të sulmojnë një anëtar të ri më të fortë dhe këtë dukuri e ka quajtur „mobing“. Përdorimi i sotëm i nocionit, në thelb do të thotë shqetësim dhe keqpërdorim në vendin e punës. Në kuptim më të gjerë, mobingu mund të manifestohet në numër të pafund të formave, si për shembull përqeshje dhe nënçmim i vazhdueshëm në vendin e punës, dhënie e obligimeve poshtëruese dhe/apo bërtitje е vazhdueshme dhe fyerje me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë sulmohet dinjiteti i punëtorit.

Ligji për marrëdhëniet e punës (LMP) shqetësimin e definon si secila sjellje e papëlqyeshme e cila ka për qëllim lëndimin e dinjitetit të kandidatit për punësim apo të të punësuarit, dhe e cila nxit frikë apo krijon sjellje armiqësore, poshtëruese apo fyese. Në qoftë se sjellja e tillë, pa marrë parasysh a është verbale, jo-verbale apo fizike, është me karakter gjinor, atëherë bëhet fjalë për shqetësim gjinor. Me ndryshimet dhe plotësimet e LMP të vitit 2009, për herë të parë si dukuri u vendos ndalesa për shqetësim psikik në vendin e punës (mobing) në artikullin 9-a. Në definicionin në lidhje me atë se çfarë konsiderohet si shqetësim psikik në vendin e punës është shtuar kushti që sjellja të përsëritet shpesh, respektivisht për një periudhë prej më së paku gjashtë muajsh. Megjithatë, rregullimi i tillë i përgjithshëm i mobingut u tregua si mekanizëm i shkurtër, jo i tërësishëm dhe i pamjaftueshëm për mbrojtje, që rezultoi me praktikë jashtëzakonisht të dobët të vendimeve fuqiplota gjyqësore pozitive me të cilat përcaktohet mobing. Duke pasur parasysh faktin që as ndryshimi i barrës së vërtetimit ndaj individit apo grupit kundër të cilit ngritet kontesti për mobing, në nenin 11 të LMP, nuk ndihmoi ndaj sigurimit të një mekanizmi efikas për mbrojtje të viktimave, ligjdhënësi vendosi ta kërkojë shpëtimin në sjelljen e një ligji të posaçëm për mbrojtje nga mobingu.

Qëllimi i Ligjit për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës (LMSHVP, 2013), para së gjithash është që të ndikojë si preventivë në parandalimin e mobingut si dukuri dhe të sigurojë mbrojtje më të shpejtë dhe më efikase, si dhe parandalim dhe zvogëlim të pasojave nga mobingu (neni 2 nga LMSHVP). LMSHVP e definon mobingun njëlloj si edhe LMP dhe precizon se është e domosdoshme të bëhet fjalë për shqetësim psikik i cili përsëritet në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike dhe paraqet lëndim të dinjitetit, integritetit, reputacionit dhe nderit të të punësuarit. Megjithatë, për dallim nga LMP, ku deklarohet që sjellja duhet të përsëritet së paku për një periudhë prej gjashtë muajsh, ligji i posaçëm nuk përcakton periudhë kohore që duhet të kalojë që të konsiderohet se ka ndodhur shqetësim psikik në vendin e punës. Kjo krijon pasiguri ligjore pasi që mbetet e paqartë se a kanë qytetarët të drejtë për mbrojtje para skadimit të afatit prej gjashtë muajsh i cili parashikohet sipas LMP. Interpretimi i LMSHVP si ligj i posaçëm, i cili ka përparësi mbi ligjin e përgjithshëm – LMP, shpie në konkluzën se skadimi i afatit prej gjashtë muajsh nuk është kusht i domosdoshëm që të sigurohet mbrojtje. Nga ana tjetër, LMSHVP plotëson se qëllimi i fundit i mobingut mund të jetë cenimi i shëndetit fizik dhe mendor, komprometimi i ardhmërisë profesionale të të punësuarit, ndërprerja e marrëdhënies së punës apo lëshimi i vendit të punës.

Ligji i posaçëm parashikon dy procedura përmes së cilave mund të realizohet mbrojtja nga mobingu. Nëpërmjet procedurës paraprake (pjesa IV), në të cilën mund të realizohet mbrojtja e të punësuarit apo personit të angazhuar me kontratë, si dhe përmes procedurës për mbrojtje gjyqësore (pjesa V). Procedurat nuk janë të kushtëzuara njëra me tjetrën dhe nuk ekziston përparësi në përdorimin e tyre.

Procedurë paraprake për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës tek punëdhënësi
Qëllimi i procedurës paraprake, e cila sipas natyrës së vet është e brendshme, është të sigurojë mbrojtje nga mobingu në mënyrë të shpejtë dhe efikase në suaza të vetë mjedisit të punës pasi që ajo zbatohet drejtpërdrejtë tek punëdhënësi.

Kjo procedurë iniciohet përmes paraqitjes së kërkesës me shkrim nga i punësuari i cili konsideron se është viktimë e mobingut deri tek personi i cili e kryen mobingun, me specifikim se sjellja e tillë është joadekuate, e papranueshme dhe e padëshirueshme. Kërkesa me shkrim duhet të përmbajë edhe paralajmërim se në qoftë se sjellja e tillë nuk ndërpritet menjëherë, viktima potenciale do të detyrohet të kërkojë mbrojtje ligjore.

Në situata kur kërkesa fillestare me shkrim nuk do të japë kurrfarë rezultati, respektivisht nuk do ta ndërpresë shqetësimin në vendin e punës, kërkesa me shkrim e personit i cili i nënshtrohet mobingut paraqitet tek punëdhënësi. Përjashtim nga kjo procedurë paraprake është situata kur si kryerës i mobingut paraqitet organi drejtues. Në rast të tillë, menjëherë pas paralajmërimit paraprak me shkrim tek kryerësi i shqetësimit, pa procedurën paraprake, në mënyrë të drejtpërdrejtë ngrihet kontest në gjykatën kompetente përmes paraqitjes së padisë. Duke pasur parasysh faktin që kryerës i mobingut mund të jetë cili do person apo grup personash, pa marrë parasysh pozitën e tyre, respektivisht pa dallim se a bëhet fjalë për punëdhënës si person fizik, person përgjegjës apo punëtor, në rast se nuk bëhet fjalë për përjashtimin e përmendur, kërkesa me shkrim paraqitet tek personi përgjegjës tek punëdhënësi. Kjo kërkesë me shkrim, gjatë procedurës paraprake dërgohet në afat prej më së voni gjashtë muaj nga dita kur për herë të fundit është kryer sjellja e cila konsiderohet të paraqesë mobing, në të kundërtën, e drejta për mbrojtje në suaza të procedurës paraprake skadon .

Në pjesën e parë të procedurës paraprake, personi përgjegjës tek punëdhënësi obligohet që menjëherë, e më vonë në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës për mbrojtje nga mobingu, palëve tu sugjerojë ndërmjetësim si mënyrë të zgjidhjes së mosmarrëveshjes si dhe të zgjedhin person nga lista e ndërmjetësuesve. Në rast se nuk ekziston pajtueshmëri midis palëve dhe personit të autorizuar tek punëdhënësi për përcaktim të ndërmjetësuesit, personi i autorizuar është i obliguar që në afat prej tetë ditësh të paraqesë lajmërim me shkrim deri tek të dy palët se ndërmjetësues nuk është zgjedhur. Nga dita e paraqitjes apo mosparaqitjes së lajmërimit fillon të rrjedhë afati prej 15 ditësh për ngritje të padisë tek gjykata kompetente për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës.

Ndërmjetësuesi mund ti qaset procedurës në mënyra të ndryshme: të mbajë biseda të përbashkëta apo të veçanta me palët, në pajtim me njërën palë ti transmetojë dhe paraqesë propozim dhe qëndrime për çështje të posaçme palës tjetër apo të bëjë biseda edhe me persona të cilat janë të propozuar si dëshmitarë. Ai/ajo është i/e obliguar për çdo veprim të ndërmarrë në suaza të procedurës për tu marrë vesh të përgatisë raport të posaçëm në të cilin saktësisht do të jenë të deklaruara gjërat të cilat janë ndërmarrë për veprimin konkret dhe ka më së shumti 15 ditë që ta mbarojë tërë procedurën. Varësisht nga suksesi i ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi ka afat prej tre ditësh të përgatit marrëveshje me rekomandime (nëse ndërmjetësimi përfundon me sukses), ose të përgatisë lajmërim me shkrim se marrëveshje nuk është arritur (nëse ndërmjetësimi është i pasuksesshëm) dhe ti udhëzojë ndaj zgjidhjes së kontestit në gjyq.

Mbrojtje gjyqësore
Në Maqedoni kontestet të cilat iniciohen si rezultat i veprimeve të mobingut konsiderohen si konteste të marrëdhënieve të punës dhe ato u nënshtrohen dispozitave të Ligjit për procedurën kontestimore. Viktima potenciale e mobingut mund të paraqesë disa lloje të padive:

padi për vërtetimin e rrethanës se ka ndodhur shqetësim në vendin e punës;
padi me të cilën kërkohet ndalesë për përsëritje të shqetësimit në vendin e punës;
padi për ndërmarrje të veprimeve për shkak të mënjanimit të pasojave nga shqetësimi në vendin e punës dhe
padi për kompensim të dëmit material dhe jo-material të shkaktuar përmes shqetësimit në vendin e punës.
Ligji parashikon edhe mundësi për shqiptimin e masave të përkohshme, dhe ashtu, para fillimit apo gjatë rrjedhimit të procedurës gjykata mundet në sajë të propozimit nga pala të përcaktojë masa të përkohshme me qëllim të parandalimit të sjelljes së dhunshme apo me qëllim të mënjanimit të dëmit të pa kompenzueshëm. Gjykata mund të shqiptojë ndalesë për afrim tek vendi i punës i të punësuarit dhe ndalesë për telefonim dhe komunikim (verbal apo elektronik).

Mbrojtja në praktikë
Përkrah të gjitha këtyre zgjidhjeve ligjore, shteti nuk mund të lavdërohet me praktikë domethënëse në këtë lëmi. Dy mënyrat e zgjidhjes së kontesteve të cilat krijohen si rezultat i mobingut, në kushte të shkallës së lartë të papunësisë si rezultat i situatës së vështirë ekonomike, aktualisht nuk paraqesin institute ligjore me domethënie më të gjerë praktike dhe teorike. Megjithatë, një pjesë e caktuar e fajit për gjendjen e tillë qëndron edhe te mosnjohja e të punësuarve me mundësitë për mbrojtje nga mobingu. Vetë përdorimi i cilit do nga mekanizmat e përmendura do ti përdëftojë personit që e kryen mobingun se sjellja është joadekuate, e papranueshme dhe e padëshirueshme dhe do t’ia bëjë me dije se keni në dispozicion mbrojtje gjyqësore të cilën planifikoni ta shfrytëzoni në qoftë se nuk e korrigjon sjelljen e tij. Rrjedhimisht, letra me shkrim mund të ndikojë që kryerësi i mobingut ta rivlerësojë sjelljen e vet në vendin e punës, e nëse kjo nuk ndodh, ajo mund të shfrytëzohet si dëshmi në procedurën kundër saj ose tij.

Nga ana tjetër, mobingu si dukuri në Evropën perëndimore trajtohet tejet seriozisht dhe institucionet ndërmarrin hapa të vendosura për mbrojtjen e punëtorëve. Për shembull, një nga dëmshpërblimet më të larta për mobing në Evropë shënon 817 mijë paunde dhe e njëjta është paguar në Britaninë e Madhe. Paditësja ka ngritur padi kundër „Dojçe bank“-ës pasi që në vendin e punës ka qenë e nënshtruar në mobing, nga ana e shefit të saj edhe nga katër kolege tjera të saj, për më shumë se 4 vite. Gjykata e lartë në Londër ka sjellë vendim gjyqësor se Helen Grin ka qenë e nënshtruar ndaj maltretimit në vendin e punës dhe e ka obliguar kompaninë ta dëmshpërblejë me shumën e lartpërmendur dhe shumën e shpenzimeve gjyqësore pasi që si punëdhënës, banka nuk ka ndërmarrë asgjë për ta ndërprerë shqetësimin psikik të të punësuarës. Banka e ka respektuar vendimin gjyqësor dhe e ka paguar shumën e plotë, ndërkohë që Helen edhe më tej ka mbetur në vendin e saj të punës në selinë e bankës në Londër.

Dogana zbuloi 350 kilogramë marihuanë në një kamion me targa të Shqipërisë

Nëpunësit doganorë në vendkalimin kufitar Tabanocë, sot kanë parandaluar tentim për trafikim të 350 kilogramëve marihuanë.

Nëpunësit doganorë e kanë gjetur gjatë kontrollit të një automjeti transportues me targa të Shqipërisë, të drejtuar nga një shtetas shqiptar F.B. (62).

Pas ndërmarrjes së rastit nga ana e inspektorëve të Departamentit për Hetime, Drejtoria Doganore kundër F.B (62) do të parashtrojë kallëzim penal për vepër të kryer penale “Prodhim të paligjshëm dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, ndëshkues sipas nenit 215 paragrafi 1 dhe paragrafi 7 nga Kodi Penal” deri te Prokuroria Themelore Publike Kumanovë. aa/mp/

Mustafa: Nuk kemi informata se ku janë Demiri dhe Ismailloviq, por do të bashkëpunojmë me Shkupin

0

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa sot deklaroi se nuk ka informata se ku janë Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq të cilët janë të akuzuar në rastin “Monstra”.

Mustafa pas stërvitjes së sotme trilaterale taktiko-treguese “Western Balkan’s flash”, tha se Prishtina do të bashkëpunojë me Shkupin dhe do të veprojë në pajtim me ligjet lidhur me kërkesën për ekstradimin e tyre.

“Për momentin nuk kemi informata se ku ndodhen, por në pajtim me procedurat ligjore, ne do të veprojmë dhe do të bashkëpunojmë me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Mustafa duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ka informata për Dmeirin dhe Ismailloviqin dhe kur ata do të ekstradohen.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, janë në mesin e të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012. Që të dy kanë ikur në Kosovë, ndërsa autoritetet në Shkup shpallën fletë arrest ndërkombëtar për ta dhe nga Kosova kërkuan të ekstradohen në vend. ab/

Takimi i parë trelateral i stërvitjes taktiko-demonstruese „Western Balkans flash“

0

Njësitet Speciale të Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës sot në kazermën e Shkupit “Gjorçe Petrov” e zbatuan stërvitjen e parë taktiko-demonstruese „Western Balkans flash“.

Qitje taktike, ulje me helikopter dhe hyrje në objekt, pritë me automjet me arrestimin e personave të rrezikshëm ishin tre pikat e demonstruara para ministrave të Punëve të Brendshme të vendit tonë, Oliver Spasovski, të Kosovës, Ekrem Mustafa dhe zëvendësministres së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Rovena Voda.

“Jam krenar që sot kemi mundësi ta promovojmë këtë aktivitet të përbashkët i cili na çon drejt thellimit të bashkëpunimit tonë dhe përmes së cilës do të bartim mesazh të qartë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha ministri Spasovski pas përfundimit të stërvitjes.

Stërvitja e përbashkët demonstruese e njësiteve speciale të policisë të tre vendeve, theksoi Spasovski, është dëshmia më e mirë se vendet e rajonit arrijnë të dërgojnë mesazh të vërtetë për bashkëpunimin e suksesshëm rajonal.

Kjo nismë, siç tha, tregon se së bashku mund ta zhvillojmë rrjetin e bashkëpunimit, të zhvillojmë njohuri, të këmbejmë përvoja, si edhe t’i përforcojmë teknikat dhe aftësitë e fituara dhe zbatimin e tyre praktik për ballafaqim më të lehtë me sfidat më të mëdha nga sfera e sigurisë.

Ai shprehu falënderim për mbështetjen në trajnime dhe mjete teknike nga Programi ICITAP në kuadër të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Spasovski shprehu bindje se stërvitja ka mundësuar thellimin e njohurive dhe praktikën e tyre permanente në zhvillimin e mëtejmë.

“Si nikoqirë jemi krenarë në këtë segment të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë të përbashkët që është vërtetim plotësues i angazhimeve të Qeverisë për promovimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal përmes ndërtimit të marrëdhënieve miqësore dhe profesionale me vendet e rajonit, si edhe promovimin e metodologjive dhe standardeve për punë policore në pajtim me standardet evropiane”, tha midis tjerash, Spasovki.

Pas përfundimit të stërvitjes trilaterale të pjesëmarrësve të njësiteve speciale policore u janë ndarë certifikata dhe mirënjohje. shk/

Mbyllje e përkohshme e rrugës Kaçanik – kufiri me Maqedoninë prej sot deri më 2 prill

0

Ministria e Infrastrukturës së Kosovës informoi se për shkak të kryerjes së punëve ndërtimore në autostradën Prishtinë – Shkup, në pesë ditët e ardhshme përkohësisht do të mbyllet rruga rajonale Kaçanik – Hani i Elezit, gjegjësisht deri në vendkalimin kufitar me Maqedoninë, Bllacë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pjesa do të mbyllet pjesërisht prej sot (e premte 29 mars) deri më 2 prill (të martën e ardhshme), edhe atë në periudhën nga ora 8 deri më 11 dhe nga 13 deri më 15:30. ia/mb/

Të paktën pesë të vdekur në një zjarr në Ankara

0

Pesë njerëz kanë humbur jetën, ndërsa 11 janë lënduar në zjarrin që ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në një zonë industriale në Ankara.

Në ndërtesë ka pasur të akomoduar afganë, të cilët në katin e parë kanë deponuar letër për reciklim.

Ende hetohet shkaku për zjarrin. mb/

Holanda kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët

0

Gazeta më e madhe në Holandë “De Telegraaf” së fundmi ka publikuar një shkrim lidhur me kërkesën e disa partive politike në këtë shtet që kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët.

Siç shkruan “Bota Sot”, tre parti në Holandë kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët pasi e shohin si të vetme mundësi për të frenuar fenomenin e krimit të organizuar shqiptar në këtë shtet.

Partitë të cilat kanë mbështetur këtë masë drastike për shqiptarët janë Partia Socialiste, Partia për Liri dhe Partia Demokristiane, tre parti të rëndësishme. Sipas deputetit Fritsma problemet nisën kur u liberalizuan vizat. “Kriminelët përfitojnë kur s’ka kontrolle”, ka deklaruar ai.

Edhe deputetja Van Toorenburg, anëtare e të njëjtës forcë politike të ministrit holandez për Drejtësi dhe Siguri, Grapperhaus, kërkoi direkt rikthimin e vizave për Shqiptarët. “Unë dua të di se cilët futim në shtëpi. Do të vijë shumë shpejt një debat me ministrin”, tha ajo.

Mbetet për të parë në seancën e radhës të planifikuar me tematikën “krimi i organizuar shqiptar në Holandë” nëse një shumicë e deputetëve do mbështesin propozimin e 3 partive kryesore për të rikthyer vizat për Shqiptarët.

Por nëse në Holandë diskutohet tashmë kjo masë e ashpër, atëherë premtimi i hapjes së negociatave në qershor nga ministri i Jashtëm duket më shumë një ëndërr sesa një realitet i arritshëm.

ASH-ja, NON PAPER deri te zyrtarët e lartë të BE-së

0

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH) Zijadin Sela ka nisur një NON PAPER zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, duke i informuar edhe për rolin konstruktiv të ASH-së me përkrahjen e të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE si dhe duke votuar pro referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës.

Megjithatë kreu i ASH-së ka shprehur shqetësimet e tij dhe të partisë në lidhje me mos gatishmërinë e plotë të kësaj Qeverie e cila nuk ka ndërmarr masa të mjaftueshme për t’i përmbushur kërkesat e BE-së për të instaluar shtetin e së drejtës në të gjitha segmentet e jetës politike në Maqedoninë e Veriut.

“Kryetari Sela në dokumentin “Sulmet e Qeverisë LSDM – BDI mbi shtetin e së drejtës, duke shkelur vlerat evropiane në emër të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, ka nënvizuar vërejtje serioze ndaj qeverisjes LSDM – BDI, e cila ka dështuar në çështjet kryesore që ndërlidhen me proceset demokratike dhe integruese të vendit edhe atë në këto segmente kryesore të cilat janë edhe pjese kyçe të rekomandimeve të BE për marrjen e datës së Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE:

– përgjegjësi për sulmin e 27 prillit 2017 ndaj Parlamentit;
– reforma gjyqësore dhe hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë nivelin e lartë dhe krimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015;
– reforma e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë;
– reforma e administratës publike.

Ky dokument (NON PAPER) është dërguar:
1. Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikë të jashtme znj. Federika Mogerini
2. Përfaqësuesit të lartë të BE për zgjerim. Z. Johanes Han
3. Ministrave të Punëve të jashtme për çështje Evropiane të shteteve anëtare të BE.