08/05/2024
14.9 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 6

Kovaçevski: Ai që nuk mund të formojë qeveri do të thotë i ka humbur zgjedhjet

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në prag të zgjedhjeve parlamentare më 8 maj, sot porositi se “ai që nuk mund të formojë qeveri, i ka humbur zgjedhjet”, sepse, siç tha, qeveria formohet me minimum 61 deputetë.

“Së pari, ai që nuk mund të formojë qeveri do të thotë se i ka humbur zgjedhjet sepse qeveria formohet me minimum 61 deputetë. Do të shohim se si do të jenë rezultatet finale më 8 maj, sepse zgjedhjet akoma nuk kanë përfunduar dhe atëherë do të mund të bisedohet lidhur me formimin e qeverisë. Unë e di si duket formimi i qeverisë, duhet të keni minimum 61 deputetë për të formuar qeveri. Ngadalë, paj ne në zgjedhje jemi konkurrentë me VMRO-DPMNE-në, 8 maji le të vijë e më pas të shohim”, tha Kovaçevski pas takimit me përfaqësuesit e kryesisë së Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me rritjen e retorikës nacionaliste në kuadër të fushatës, kryetari i LSDM-së potencoi se retorika nacionaliste nuk çon askund dhe potencoi se këto zgjedhje janë për të ardhmen.

“Unë tashmë i kam dënuar deklaratat edhe të z. Ahmetit lidhur me skandimin joadekuat në sheshin Maqedonia sepse ato janë skandime anakrone të cilat na kthejnë 20 vite pas në një të kaluar të groposur të cilën e kemi tejkaluar me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, që e kemi tejkaluar me anëtarësimin në NATO falë LSDM-së dhe të cilën e kemi tejkaluar me fillimin e negociatave me BE-në sërish falë LSDM-së dhe gjithashtu e porosita edhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe kandidates preisdenciale të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska se retorika nacionalite nuk çon aksund”, tha Kovaçevsski, i cili është bartës i listës për deputetë të Koalicionit të kryesuar nga LSDM në NJZ 1.

Shtoi se këto zgjedhje nuk janë për kthim prapa në të kaluarën, por janë për të ardhmen dhe se nuk janë për izolim, por për integrim në BE sepse, theksoi, izolimi mund të thotë izolim edhe brenda në kuadër të bashkësive etnike që do të thotë izolim edhe nga fqinjët dhe që do të thotë izolim final edhe i shtetit nga proceset evropiane.

Siç deklaroi Kovaçevski, LSDM mbetet opsioni i vetëm politik i cili lufton për shoqëri multietnike dhe për barazi të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre në çfarëdo baze dhe për integrim të shtetit në BE.

Fronti Europian për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale: Qytetarët të vendosin vet se si do të shfrytëzojnë të drejtën e votës

Fronti Europian ka dalë me njoftim në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të vendosin vetë se për cilin kandidatë do të votojnë.

“Liderët e partive pjesë e Frontit Europian në mbledhjen e sotme në Strugë konstatuan se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale më 24 prill kaloi në atmosferë të qetë, fer dhe demokratike, ndërkohë që fitorja prej 40 mijë vota e dr.Bujar Osmanit ndaj Arben Taravarit – kandidatit të opozitës, është fitore e cila do të thellohem edhe më shumë më 8 maj, në Zgjedhjet parlamentare kur Fronti Europian do ta shënojë fitoren historike”.

“Me këtë rast, meqenëse Fronti Europian nuk është më pjesë e garës presidenciale në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe meqenëse vota e qytetarëve për ne është e shenjtë dhe e drejtë e tyre, Fronti Europian konstaton se është e vullnetin ekskluziv të qytetarëve se si do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, thonë nga Fronti Europian.

Ndërkohë, edhe nga Koalicioni VLEN pritet të dalin me njoftim se cilin nga kandidatët për president do ta mbështesin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale./Telegrafi/

Serbia injoron ndërkombëtarët, zgjidhet pas disa orësh debate qeveria e re me dy ministra non-grata nga SHBA

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita.

Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

Përbërja e Qeverisë së re u kritikua paraprakisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi pjesë e saj janë dy zyrtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e re do të betohet tani dhe pastaj do ta fillojë mandatin e ri katërvjeçar.

Mandatari i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re ishte 6 maji.

Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – do të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e re serbe.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.

Ndërkohë, shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Qeveria e re e Serbisë merr detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, të cilat me shumicë votash i fitoi Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje në zgjedhje.

Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, krahinore dhe lokale, që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, vunë në dukje edhe misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.

Autoritetet, në anën tjetër, mohuan se ka pasur parregullsi të mëdha zgjedhore./REL

Bojmacaliev: Qytetarët të paraqesin nëse kanë ndonjë kërcënim për prishjen e procesit zgjedhor

Njësitë e Punëve të Brendshme të Negotinës dhe Kavadarit janë të gatshëm për zgjedhjet e tetë majit, ndërsa qytetarët nëse kanë ndonjë kërcënim për prishjen e procesit zgjedhor, të raportojnë të njëjtat, theksoi sot zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacaliev i cili së bashku me drejtorin e DSP-së, Sasho Tasevski ishin për vizitë pune në territorin e Sektorit të Punëve të Brendshme.

Nga ana e drejtuesve të këtyre njësive organizative, theksoi Bojmacaliev, është njoftuar për rezultatet e arritura në tre muajt e fundit të këtij viti, si dhe kanë vlerësuar gjendjen e favorshme të sigurisë.

Njëkohësisht, ai theksoi se janë të gatshëm për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024, në drejtim të kryerjes profesionale të përgjegjësive të tyre.

“Më lejoni t’i përgëzoj kolegët nga SPB Veles për organizimin dhe koordinimin e shkëlqyer në lidhje me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 me bindjen se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të cilat do të mbahen më 8 maj, të mërkurën, do të vazhdojnë me realizimin profesional të angazhimeve të punës së policisë për të garantuar një proces zgjedhor demokratik. Edhe një herë policia e Maqedonisë duhet të tregojë dhe të dëshmojë në veprim se është këtu që qytetarët ta shprehin votën e tyre lirshëm, pa presion dhe shantazh nga askush”, tha Bojmacaliev.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk gjejnë qetësinë, goditen sërish nga stuhitë

Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur të enjten nga mot i pazakontë me shira të dendur dhe stuhi me shkarkesa elektrike. Si shkak i motit banorëve u është thënë që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, raporton “Associated Press”.

Fluturime të shumta për në dhe nga Emiratet e Bashkuara janë ndërprerë dhe shumë madje edhe janë anuluar. Edhe pse shiu i së enjtes nuk ka shkaktuar probleme të mëdha ose përmbytje, autoritetet kanë paralajmëruar banorët një natë më parë dhe kanë ndërmarrë shumë masa paraprake.

Përmbytjet e dy javëve më parë sollën kaos në Dubai, e sidomos në Aeroportin Ndërkombëtar të vendit.

KSHZ shkarkon anëtarët e vendvotimit 1112/1 në Likovë

Shkarkohet këshilli i zgjedhor në vendvotimin 1112/1 në Komunën e Likovës, për shkak të parregullsive të paraqitur nga Kalicioni VLEN në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Vendimi i këtillë i Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve u soll pas vendimit të Gjykatës Administrative për prishjen e votimit në këtë vendvotim në Likovë.

Pas këtij vendimi, anëtari i KSHZ-së, Abdush Demiri ka dërguar apel deri tek anëtarët e të gjithë këshillave vendorë që në zgjedhjet e 8 majit të jenë më të kujdesshëm.

“Të nderuar koleg, i nderuari opinion. Pas vendimit për të prishur rezultatin dhe pas vendimit për shkarkimin e këshillit vendor në vendvotimin 1112/1 në Komunën e Likovës, shfrytëzoj rastin që t’u drejtohem gjithë këshillave vendore si organe të rëndësishme për realizimin e procesit zgjedhor, që të jenë në nivel të detyrës të mundësojnë proces zgjedhor të qetë, fer dhe demokratik, për çdo shqetësim dhe parregullsi t’i notojnë dhe paraqesin në mënyrën e paraparë me ligjin për zgjedhje. Nga vendimi i sotëm për shkarkim sigurisht do të ketë iniciativë për ngritje të procedurës për përgjegjësi diciplinore dhe penale nga organet përkatëse për antarët e vendvotimit përkatës. Apeloj deri te të gjithë këshillat vendore që të mos lejojnë për asnjë çmim që dikush të ndikojë në punën tuaj, kryeni obligimin me përputhje me detyrimit e juaja sipas ligjit për zgjedhje”, deklaroi Demiri nga KSHZ.

KSHZ: Në zgjedhjet e dyfishta – qytetarët mund të votojnë vetëm një herë!

Në zgjedhjet e dyfishta të 8 Majit, qytetarët kanë të drejtë vetëm njëherë të paraqiten nëpër vendvotime. Bëhet fjalë për rregullin zgjedhor që do të vlejë të mërkurën e 8 majit, kur mbahet rrethi I dytë I zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare.

KSHZ-ja miratoi udhëzuesin, ku qytetarët njoftohen se nëse vendosin të votojnë vetëm për një palë zgjedhje, më pas nuk mund të ndërrojnë mendje dhe sërish të kthehen për të votuar për zgjedhjet tjera.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, gjatë një interviste për MIA-n, theksoi se me rëndësi është që qytetarëve t`u sqarohet se kanë të drejtë për të votuar për dy llojet e zgjedhjeve ose vetëm për parlamentaret dhe presidencialet.

“Qytetari mund të vijë vetëm një herë dhe të votojë për dy zgjedhjet. Procedura është si vijon ; kur vjen jep letërnjoftimin, shkon në identifikimin biometrik, rrethohet në listë dhe i japin fletëvotime për të votuar” – tha Dashtevski.

Por, me rëndësi për qytetarët është se kur në vendvotime do të pyeten, të kenë përgjigje të saktë nëse do të votojnë vetëm për një palë zgjedhje apo në zgjedhjet e dyfishta. Kjo është e rëndësishme pasi për zgjedhjet presidenciale ekziston cenzusi prej 40%.

“Supozoj se më së shumti do të votohet për dy zgjedhjet, kurse mund të ndodh vetëm për zgjedhjet parlamentare, pasi dihet se jehona dhe interesi është më I amdh për parlamentaret” – tha Dashtevski.

Kreu I KSHZ-së ka theksuar se natën e 8 majit, rezultatet e zgjedhjeve mund të dihen deri në mesnatë, duke marrë parasysh ndryshimet që KSHZ-ja I ka bërë gjatë periudhës së kaluar, por edhe përvojës me zgjedhjet paraprake.

“Kemi ndërmarrë masa për këto zgjedhje që të përforcojnë harduerin që njëkohësisht të pranojë sa më shumë informacione, kemi trajnuar më shumë njerëz në terren. Kemi të trajnuar rreth 1.700 njerëz që të fusin të dhënat, për të gjithë, në bashkëpunim me Entin e Statistikës, kemi siguruar 1.700 laptopë. Gjithashtu që të përshpejtohet procesi zgjedhor nëpër vendvotime, në vend të 5 personave do të ketë 7, kurse gjatë numërimit do të jenë të gjithë të pranishëm” – deklaroi Dashtevski.

Zgjedhjet e 11-ta me rradhë parlamentare mbahen më 8 maj bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presideciale.

Në zgjedhjet parlamentare, qytetarët votojnë për përbërjen e re parlamentare. Në Kuvend zgjidhen 120 deputetë sipas modelit proporcional, ku territori i vendit është ndarë në 6 njësi zgjedhore të konstatuar me Kodin Zgjedhor dhe në çdo njësi zgjedhore zgjidhen nga 20 deputetë. /tvklan.mk/

Kasami: VLEN si pjesë e Qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve

Koalicioni VLEN sot ka realizuar takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në të cilën kanë folur për avancimin e bizneseve në vend.

Gjatë takimit kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se bashkërisht do të angazhohen në implementimin e politikave të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në drejtim të avancimit të bizneseve për arritjen e zhvillimit ekonomik për të mirën e qytetarëve.

“Ne ishim në takim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për të bashkëpunuar për pjesën ekonomike të programës dhe mundësitë e bashkëpunimit si qeveri e ardhshme me biznese. Ne jemi të lumtur që kemi pasur një komunikim shumë të rregullt me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore ku si rezultat ne kemi implementuar shumë pika të programës të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në programën tonë parazgjedhore. Ajo që është më me rëndësi është se ne sot nënshkruam një memorandum bashkëpunimi, ku bashkërisht të angazhohemi që të implementojmë gjitha politikat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në drejtim të avancimit të bizneseve që do të jetë një motor i zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, tha Kasami.

Kasami shtojnë nga atje, nga zyrat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore tha se besojnë fuqishëm që pas 8 majit, koalicioni VLEN si pjesë e Qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve tona me qëllim të ndaljes së këtij ekzodusi të rinisë tonë dhe qytetarëve tonë drejt perëndimit.

Qytetarët lidhin pushimet – Mbingarkohen pikat kufitare!

Kolona veturash dhe pritje ishte atmosfera e 30 prillit dhe 1 majit në pikat kufitare të vendit. Shumë qytetarët priten deri në një orë për të hyrë në Greqi, e kjo pamje vazhdon edhe ne ditët në vijim.

Edhe pse dy maji është ditë pune, rrugët e Shkupit sot dukeshin të zbrazura.

Shumë qytetarë festën e 1 majit dhe festat e pashkëve i kanë kombinuar me fundjavë të zgjatur dhe kjo ka bërë që pikat kufitare të jenë më të frekuentuara gjatë këtyre ditëve. Disa nga qytetarët mendojnë se në kalendarin vjetor kemi mjaftueshëm ditë jo pune dhe janë kundër ndërlidhjes së ditëve të pushimit me ditët e punës.

“Nuk pajtohem me ndërlidhjen. Shumë ditë jo punë ka në një vit, por edhe kur punohet e kam atë përshtypjen që njerëzit nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme që të punojnë në mënyrë efikase kohen e punës dhe kjo me lidhjen mendoj se nuk është në rregull”, tha një qytetar.

“Pushim pranverorë çdoherë është i nevojshëm disa ditë apo një javë që të pushohet pakës nga ngecja të themi. Ju i lidhet ditët që nuk punohet? Jo ne punojmë, sektori privat patjetër të punoje”, u shpreh një qytetar tjetër.

Nga lidhja Auto Moto thonë se intensiteti i qarkullimit në vendkalimet kufitare nga vendi ynë nuk ka më vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi për dallim nga kufiri grek, ku intensiteti i kalimit është më i ngadaltë. Ndër ditët tjera jo punë të kësaj jave edhe 8 maji është ditë jo pune për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. / Alsat.mk

Eurovision 2024: Këngëtarja e Izraelit, Eden Golan është urdhëruar të qëndrojë në dhomën e hotelit nën masa të rrepta sigurie

Këngëtarja e Izraelit në Eurovision, Eden Golan, i është kërkuar të qëndrojë në dhomën e saj të hotelit, përveç momentit kur performon.

Si pasojë e protestave pro-palestineze dhe ngjarjeve që mund të ndodhin në qytetin nikoqir të Eurovisionit, Malmo, Eden Golan është këshilluar të qëndrojë jashtë vëmendjes kur nuk është në skenë.

Përfaqësuesja e Izraelit për Eurovisionin e këtij viti është nën masa të rrepta sigurie, duke mbajtur një simbol në shenjë solidariteti me të burgosurit që mbahen nga Hamas. Policia suedeze është në gatishmëri të lartë dhe ka kërkuar ndihmë edhe nga Danimarka dhe Norvegjia për konkursin më të madh të muzikës në Evropë, i cili po rezulton të jetë një nga edicionet më kontroverse – kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Ka pasur thirrje për bojkotim të ngjarjes, dhe më shumë se 1,000 artistë suedezë kanë kërkuar që Golan të mos lejohet të marrë pjesë, ashtu si edhe 1,400 punonjës të industrisë së arteve në Finlandë.

Këngëtarja ruso-izraelite thuhet se është kërkuar nga shërbimi i sigurisë së Izraelit, Shin Bet, të mos dalë nga dhoma e saj e hotelit për sigurinë e saj dhe është nën mbrojtje të truprojeve.

Golan shkroi në Instagram: “Ndërsa filloj këtë udhëtim, jam e mbushur me kaq shumë emocione – entuziazëm, pritje, pak nervozizëm, por më e rëndësishmja dëshira për të dhënë performancën më të mirë që di. Jam e nderuar dhe plot me krenari që përfaqësoj vendin tonë – kjo këngë na përfaqëson të gjithëve ne, përfshirë ata që janë në shtëpi dhe ata që nuk janë – ne jemi duke ju pritur”.

Organizatorët kishin kërcënuar të përjashtonin Izraelin nëse Golan nuk do ta rishkruante tekstin e këngës së saj ‘October Rain’, pasi i gjetën vargjet e tekstit si shumë të ngarkuara politikisht – e njohur gjerësisht si referencë për sulmet e 7 tetorit të Hamas. Kënga u modifikua dhe u riemërtua si ‘Hurricane’, duke siguruar kështu pjesëmarrjen e saj.

Duke folur me AFP, Golan është shprehur e befasuar që organizatorët që refuzuan versionin e parë të këngës, të titulluar ‘October Rain’. “U çudita kur Bashkimi i Radio-Televizioneve Evropiane nuk e miratoi këngën”, tha Golan. “Nuk mendoj se versioni i parë ishte politik”.

Megjithatë, disa nga vargjet e këngës si “Nuk ka më ajër për të marrë frymë” dhe “Të gjithë ishin fëmijë të mirë, secili prej tyre”. u veçuan dhe mendohet të jenë në lidhje me viktimat e sulmit të Hamasit. Vargjet e reja si “Jam ende e thyer nga ky uragan” shihen si referencë ndaj sulmeve, por EBU i dha dritën jeshile.

Golan argumenton se ‘Hurricane’ funksionon në shumë nivele dhe është i hapur për interpretim. “Çdo person që e dëgjon mund të lidhet me këngën në nivelin e tij”, tha ajo. “Populli ynë, vendi ynë, lidhet me të në një nivel shumë më të thellë emocional për shkak të tragjedisë që kemi kaluar”.

Më parë, EBU ka denoncuar “fushata të caktuara në rrjete sociale” kundër artistëve pas kërcënimeve me vdekje për përfaqësuesen izraelite Eden Golan.

Ka pasur frikë se Eurovisioni i këtij viti do të jetë një objektiv i dukshëm për ekstremistët islamikë për shkak të përfshirjes së Golan. Gjithashtu ka shqetësime në lidhje me sulmet kibernetike dhe anëtarësimin e Suedisë në NATO, të gjitha këto kërcënojnë moton e Eurovisionit “Të bashkuar nga muzika”.

Gjysmëfinalja e parë Eurovision Song Contest është të martën më 7 maj dhe e dyta, të enjten 9 maj përpara finales së madhe, të shtunën më 11 maj.