19/06/2024
29.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Po helmohemi me ajër toksik, po digjen gjymtyrë të njerëzve” – Batinca proteston kundër deponisë “Drislla”

Me fjalët duam ajër të pastër dhe boll na helmuat, banorët e Batincës dhe zonave përreth sot organizuan protestë për shkak siç thonë, keqmenaxhimit të mbeturinave dhe mbetjeve medicinale nga ana e deponisë Drislla.

Organizatori i kësaj proteste Senih Brahoviç, akuzon se në këtë deponi ka një furrë e cila mund të djegë vetëm 30% të mbeturinave, por thotë se aty djegen madje gjymtyrë të amputuara të njerëzve të vdekur.

“Kështu duket furra e deponisë sonë “Drislla”. Kjo është furra për mbeturina medicinale. Vetëm 30% nga mbeturinat medicinale digjet, pjesa tjetër groposet në tokë. Këtu kemi problem, në të njëjtën furrë pa filter, digjen duar dhe këmbë të amputuara në spitalin e shtetit dhe spitalet tjera nga Maqedonia e Veriut. Këto janë mbeturinat medicinale që e hedhin dhe groposin, ja shihet se është hedhur anash”, tha Brahoviç.

Pjesë e protestës ishte edhe imami i xhamisë Sanxhak në Ljubosh. Ai u bëri thirrje autoriteteve që të marrin sa më shpejtë masa sepse nuk u besojnë më premtimeve të tyre.

“Bëjmë thirrje deri te autoritetet të mos premtojnë, na premtuan të gjithë, edhe ata që ishin në pozitë, edhe ata në opozitë. Ne premtimeve më nuk u besojmë. Ne paguajmë tatim, jemi banorë të ndershëm të këtij shteti, dhe kërkojmë të na jepet e drejta themelore e frymëmarjes të fëmijëve tanë, grave tona shtatzëne dhe fëmijëve të palindur ende”, tha Kadrija Muriç, imam në xhaminë Sanxhak.

Nga iniciativa thonë se posedojnë një raport mjekësor ku thuhet se 68% e të sëmurëve në Batincë dhe rrethinë, janë me sëmundje të mushkërive dhe si pasojë të njëjtit vdesin nga kanceri.

“Si rezultat i kësaj dhe dokumenteve zyrtare nga dy ambulanta në fshatin Batincë, konstatohet që 68% e pacientëve janë me sëmundje të mushkërive dhe si shkak i kësaj kemi të vdekur prej kancerit, dhe shumë të tjerë të sëmurë me kancer”, tha Avni Xhemaili nga Iniciativa “Rinia e Batincës”.

Përndryshe njoftuan që autoritetet përkatëse kanë afat dhjetë ditë të marin parasysh kërkesat e tyre, ose në të kundërtën do të vazhdojnë me aktivitete tjera për të cilat do të njoftojnë më tej.

Të fundit