Vendi po ballafaqohet me valë të virusit më të fuqishëm nga i pari. Numri i rasteve me Kodvid 19 të regjistruar dje ka qenë 135 informoi Ministria e Shëndetësisë. Buletini shëndetësor ka evidentuar edhe gjashtë të vdekur dhe 75 pacientë të shëruar.
Këshilltari i drejtorit rajonal për Evropë i OBSH-së, dr. Fabio Skano shfaqi shqetësim për atë që po ndodh në Republikën e Maqedonisë së Veriut me Kovid-19. Por, tha se situata mund të vihet nën kontroll, me testim masiv, identifikim të rasteve, kontaktet e tyre dhe izolimin e tyre. Ai porositi se qytetarët dhe Qeveria duhet të bashkëpunojnë dhe të mos lejohet që të përkeqësohet gjendja, e cila do të kërkojë masa rigoroze të karantinës.
“Këtë që po e shohim për momentin në Maqedoni është shqetësuese. Mësimin që duhet ta nxjerrim është se deri në gjetjen e vaksinës, nuk duhet të relaksohemi, gjegjësisht të mos largohemi nga qyteti. Veprimet që do të ndërmerren këto ditë, por edhe në javët dhe muajt tjerë të cilët vijojnë do të jenë të rëndësishme në mënyrë kritike me qëllim që të pengohen rastet e të infektuarve të rinj dhe të shpëtohen jetët e njerëzve. Kjo vizitë e imja në vendin tuaj, ishte me kohë. Atë që po e shohim përgjatë gjithë botës tregon për konkluzionin se virusi nuk do të largohet shumë shpejtë, përkundrazi, ai shpejtë përhapet dhe merr jetë dhe duhet të bëjmë gjithçka që nevojitet që ta kundërshtojmë në mënyrë proaktive, gjegjësisht të jemi para tij”, theksoi dr. Skano.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ishte shembull i mirë në Evropë, për atë se si përballet me Kovid-19 dhe beson se situata me infeksionin përsëri mund të vihet nën kontroll. Sa i përket lehtësimit të masave, dr. Skano tha se secili shtet ndërmerr lehtësime të tilla, por tha se është e rëndësishme që herët të identifikohen rastet pozitive me virus korona.
Ministri Filipçe vlerëson se për momentin vendi ynë po përballet me valë të virusit më të fuqishëm se ai i pari si pasojë e lehtësimit të masave, por më shumë si pasojë e një seri ngjarjesh, tubimet familjare dhe festat në të cilat nuk u respektuan masat e rekomanduara për mbajtje të maskës, distancës, dezinfektimit dhe larjes së shpeshtë të duarve.
“Shumë herë deri tani e dërgoj këtë porosi te qytetarët se këto janë masa universale gjithkund në botë dhe për momentin mënyra e vetme për ta mbrojtur veten, familjet tona, miqtë, gjithsesi edhe punonjësit shëndetësor, por edhe sistemin shëndetësor në përgjithësi” ka thënë Filipçe në konferencën e djeshme për media.
Sistemi ynë shëndetësor në këtë moment është tërësisht i përshtatshëm ndaj gjendjes së re, çdo ditë e ndjekin gjendjen e kapaciteteve spitalore, të kuadrit mjekësor dhe në bazë ditore sipas nevojave bëjmë edhe përshtatje, rotacione të punonjësve shëndetësor me qëllim që të përgjigjemi në këtë sfidë.
“Por, më e rëndësishme është mbështetja e qytetarëve, respektimi i tërësishëm i masave dhe solidariteti. Nëse këtë e kemi shumë shpejtë do ta tejkalojmë këtë gjendje. Tani kur në tërësi gradualisht kthehemi drejt aktiviteteve të rregullta të jetës më shumë se kurrë e rëndësishme është ta japim kontributin tonë në parandalimin e përhapjes së virusit. Të gjithë jemi së bashku në këtë betejë dhe secili nga ne është i rëndësishëm”, potencoi Filipçe në konferencën për media. sn/