02/05/2024
10.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Premtoi depolitizimin e arsimit e nga ana tjetër shkollat i shndërroi në parlamente pa opozitë;

Departamenti i arsimit pranë “Aleancës për Shqiptarët” fton ministrin e arsimit që është radha të reflektojë dhe sa më shpejtë të jap dorëheqje duke marrë parasysh skandalet që e kanë përcjellë këtë ministër dhe që përsëriten sot e kësaj dite. Veç një demagog i llojit të tillë pranon dhe vazhdon të qëndrojë ende në atë pozitë.

Departamenti i arsimit pranë “Aleancës për Shqiptarët” e informon dhe e përkujton opinionit publik një numër të vogël të skandaleve të ministrit dhe dikasterit që udhëheq. Edhe pse këto janë skandale të përditshme, ministri shtiret sikur asgjë nuk ndodh gjithmonë duke folur për kohën e ardhshme dhe duke përdorur frazat: “veç sa nuk u realizua”, “projekti është gati”, “tenderi u anulua”, etj.

Ja dhjetë (10) prej tyre:

-Premtoi depolitizimin e arsimit e nga ana tjetër shkollat i shndërroi në parlamente pa opozitë;

-Premtoi reforma ku profesorët do të vlerësohen dhe do të rangohen sipas meritave, ndërsa i shndërruan në profesor që jetojnë me frikën e përjashtimit nga puna nëse nuk je militant partiak;

-Premtoi decentralizimin e arsimit, nga ana tjetër merr ingerencat nga e vetmja komunë opozitare – Gostivarit, dhe jo të bashkëpartiakut nga Struga dhe bashkëqeveritarit nga Gazi Baba për skandale shumë më të mëdha;

-Premtoi barabarësi në arsim, ndërkaq që bën segregacion etnik: shkolla “Kiro Gligorov” me kopsht botanik ndërsa shkollat shqiptare në Çair si në shekullin e kaluar; libra të muzikës me recensent shqiptar, ndërkaq që lejon që shqiptarët të mësojnë këngë vetëm nga kompozitor maqedonas dhe i njëjti emërohet në grupin e punës për krijimin e programeve dhe librave të reja të muzikës;

-Me gojën plot flet dhe mburret me ndërtimin e universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, ndërkaq në çdo rebalanc buxheti, shkurtohen mjetet e dedikuara për këtë projekt;

-Premtoi ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të vogël, dhe ai premtim ngeli vetëm në letër. Ndoshta mendon që shqiptarëve të këtij vendbanimi nuk u duhet shkolla fillore se kanë dy universitete;

-Premtoi libra të reja, ndërsa mundësoi marrëveshje milionëshe në katër sy; Dhe që kjo mos të mjaftojë, një muaj pas fillimit të vitit shkollor, nxënësit ende mësojnë me libra të vjetra dhe të shqyera;

-Si zëvendësministër bashkëpunoi me ministreshën për anulimin e testimit ekstern, por si ministër nuk krijoi mekanizma-indikator për vlerësim të cilësisë së arsimit duke krijuar anarki të paparë;

-Propozoi, më pas u miratua ligji për arsim fillor, ku kërkohet inkluzion për nxënësit me nevoja të veçanta, por nuk shohim program për kushtet që duhet të plotësojnë shkollat për të realizuar këtë proces; dhe

-Promovoi zbatim të ligjit, por degradoi inspektorin republikan Gjorgji Ilievski në pozitë më të ulët, pse zbuloi avancimin tënd profesional në mënyrë joligjore në USHT.

Mjafton vetëm një nga këto skandale dhe çdo person me vetëdije të lartë dhe me pak përgjegjësi do jepte dorëheqje morale, por jo edhe ministri i arsimit Arbër Ademi. Edhe pas skandaleve të përditshme, ai pa fije turpi vazhdon të ushtrojë detyrën e ministrit, ndërkohë që nxënësit dhe arsimi shqip dita ditës degradohet dhe shkatrohet.

Të fundit