24/05/2024
19.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Presidentja Osmani: Masakra e Dubravës, krim i tmerrshëm i regjimit kriminal serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës.

“Afër një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë, makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë, manifestoi egërsinë ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë”, tha Osmani përmes një postimi në “Facebook”.

Sipas të parës së vendit, ata po mbaheshin në burg padrejtësisht si pengje të luftës, e në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

“Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës”, tha ajo.

Në këtë përvjetor, Osmani tha se kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit.

“Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”, tha ajo. / KultPlus.com

Të fundit