17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Prokuroria shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Instituti “Arbën Xhaferi” kërkon sanksionim

Instituti për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi, ka parashtruar fletëparaqitje ndaj Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke kërkuar mbikëqyrje dhe gjobitje nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.
Më 26 qershor 2023, IPP “Arbën Xhaferi”, ka dorëzuar dy kërkesa në gjuhën shqipe për qasje në informata me karakter publik, përmes postës elektronike zyrtare të Prokurorisë Publike dhe postës elektronike të zyrtarit përgjegjës. Më 29 qërshor 2023, IPP “Arbën Xhaferi” ka pranuar përgjigje përmes postës elektronike se kërkesat duhet të paraqiten në gjuhën maqedonase në mënyrë që të njejtat të marrin përgjigje.
Më 30 qërshor, IPP “Arbën Xhaferi” ka nisur ankesë zyrtarë pranë Prokurorisë Publike, duke vënë në pah se refuziumi për t’u përgjigjur në gjuhën shqipe, është shkelje flagrante e Ligjit për përdorimin e gjuhëve (Gazeta Zyrtare Nr. 7/2019) dhe e Ligjit për aksesin e lirë në informacionin publik (Gazeta Zyrtare Nr. 101/2019).

IPP “Arbën Xhaferi” i ka kujtuar Prokurorisë Publike që e drejta për të paraqitur kërkesa dhe marrë përgjigje në gjuhën shqipe, si një nga dy gjuhët zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, garantohet nga Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se shkelja e kësaj të drejte do të detyrojë IPP Arbën Xhaferi të parashtrojë iniciativë te Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve për mbikëqyrje sipas nenit 20 dhe 22 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Nenit 26 të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (Gazeta Zyrtare Nr. 220/19 dhe 42/20).

Meqenëse Prokuroria Publika ka injoruar shkresën e datës 30 qërshor, duke bërë shkelje të dyfishtë të afatave të parapara me Ligjin për qasje të lirë në informata me karakter publik dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, IPP “Arbën Xhaferi” ka dorëzuar ankesë pranë Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik si dhe fletëparaqitje pranë Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

IPP “Arbën Xhaferi” i bën thirrje Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve të zbatojë obligimin e tij për mbikëqyrje të institucionit që shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përfshirë përmes gjobitjes së paraparë me nenin 22.
Neni 22, i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, parasheh gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro për institucionin që shkel dispozitat e ligji, si dhe gjobë prej 30% të gjobës së përcaktuar për personin zyrtar përgjegjës për shkeljen.

Të fundit