19/06/2024
29.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pse dhe kush kërkon që Biblioteka e Tetovës të zhvendoset

Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut sytë i ka tek objekti i Bibliotekës së Tetovës. Në vend se ta zgjerojnë, duan ta fusin në një vend krejt të vogël, pa fare kushte elementare. Ministria e Kulturës drejton gishtin nga qeveria dhe thotë se është kërkesë e tyre, pasi janë prona shtetërore dhe hapësirën e bibliotekës duan t’ia japin miqve nga delegacioni evropian për përdorim, njofton Portalb.mk

Lexuesit janë të shqetësuar dhe ç’është për t’u admiruar se alarmi ngritet nga lexuesit. Ne e kontaktuam drejtoreshën Rezarta Dervishi Ismailin e cila tha se zyrtarisht nuk i ka ardhur asnjë vendim, por që ju thuhet se duhet ta lëshojnë hapësirën sipas një letër që ka mbërritur në Qendrën për Kulturë. Nga drejtoresha kuptuam se në mungesën e saj kanë qenë vizitorë të cilët e kanë parë hapësirën pa e përfillur autoritetin e saj dhe pa marrë leje nga e njëjta e cila për momentin po shfrytëzon pushimin e lindjes siç i takon ligjërisht.

Drejtoresha Dervishi për Portalb.mk thotë: “Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin”-Tetovë është e vendosur në hapësirat e Qendrës për Kulturë “Iljo Anteski Smok”-Tetovë. Edhe përkundër faktit që një periudhë më të gjatë vepron në kushte mjaft të vështira dhe vazhdimisht kërkohet përmasimi i kushteve dhe zgjerimi i saj, këto ditë Ministria e Kulturës planifikon që po të njëjtën ta zhvendosë në objekt tjetër shumë më të ngushtë dhe pa kushte elementare për funksionim të bibliotekës. Më saktësisht, planifikohet që biblioteka të zhvendoset në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në këto hapësira mjaft të vogla është e pamundur të vendoset fondi i librave me të cilin disponon biblioteka (33.936 tituj, respektivisht 88.334 libra), fond ky me të cilin shërbehen lexuesit e bibliotekës”.

Më tej, drejtoresha na sqaron se: “Mesatarja e numrit të lexuesve aktivë në bibliotekë çdo vit është është mbi 5.200 lexues. Me zhvendosjen e bibliotekës do të pamundësohet që ky institucion të realizojë aktivitetet e veta si qendër e rëndësishme kulturore, edukative dhe informative. Hapësirat e fakultetit të arteve muzikore nuk i plotësojnë as kushtet minimale për funksionim të bibliotekës. Ne këto hapësira nuk ka vend as për bibliotekistët e punësuar për të kryer punën e tyre në shërbim të lexuesve, prej të cilëve shumica janë nxënës. Të njëjtat janë disa klasa te vogla me tavane të ulëta që pamundësojnë ruajtjen e fondit të librave, përveç asaj diku rreth 40 përqind e fondit do të duhet të largohet sepse këto hapësira nuk kanë vend të mjaftueshëm për fondin aktual, kurse duhet pasur parasysh që fondi i bibliotekës në kontinuitet furnizohet me titujt më të ri. Këto hapësira nuk përmbushin as kushtet për persona me nevoja te veçanta gjë që do të pamundësojë qasjen e të gjithë lexuesve dhe shërbimin e njëjtë për të gjithë qytetarët.

Me këtë veprim të Ministrisë së Kulturës nuk pajtohen drejtoria, të punësuarit dhe Këshilli Drejtues i bibliotekës, pasi jemi të bindur që kjo do të dëmtojë bibliotekën dhe lexuesit e saj.

Ministria e Kulturës ka dërguar kërkesë deri tek Qendra e Kulturës “Iljo Anteski Smok” që hapësirat të cilat aktualisht shfrytëzohen nga biblioteka t’i jepen në shfrytëzim Delegacionit të Unionit Evropian në RMV” – e përmbyll reagimin e saj drejtoresha.

Kontaktuam me drejtorin e Qendrës për Kulturë, Arlind Huseinin i cili tha se është në dijeni të rastit dhe se kërkesa ka ardhur, pritet që të vij dhe vendimi. Për momentin, sipas drejtorit Huseini në Qendrën e Kulturës me vendime qeverie veprojnë: Teatri i Tetovës, Fakulteti i Arteve i Tetovës, me tre drejtime si: Artet dramatike dhe audiovizuele, Arti figurativ dhe Arti muzikor, Biblioteka, Këndi amerikan, Aleanca franceze, Ansambli muzikor, Pallati i Kulturës, sipas tij shtohen veprimtaritë, ndërkohë problemi 25 vjeçar i nxemjes dhe i klimatizimit ende nuk po zgjidhen, me vetëfinancim po ndërmerr aksione për t’ia ndërruar pamjen tërësisht asaj hapësire.

Vendimi i sipërpërmendur rrezikoi dhe hapësira që shfrytëzon UT. Por, siç duket kanë rënë dakord që hapësirën që ka shfrytëzuar muzika, ta përdor biblioteka, ndërsa tjerat të mos preket.

Kujtojmë që ka hapësira të pashfrytëzuara aty, është ajo e shahistëve që mund të jepet pa fare problem, por pse jo dhe kjo e muzikës? Nëse i plotësoka kushtet për të hapur një bibliotekë aty, fare lehtë i plotëson kushtet për t’ua dhënë miqve të BE-së për të cilët gëzohemi që vinë në Tetovë.

Edhe ashtu, natyra e librave është aq e ndjeshme, sa shumica e tyre do të pësojnë dëmtime fizike e disa do të jenë fare të papërdorshme gjatë bartjes së tyre nga një objekt në tjetër, në të cilin sipas drejtoreshës aty nuk do mund të funksionojnë si bibliotekë, madje as si depo librash me fondin që kanë. Nga lexuesit aktivë të këtij institucioni, pritet që të dilet edhe me protesta ne mbrojtje të bibliotekës deri në tërheqje të këtij vendimi.

Të fundit