Nuk ka vend për panik – rezervat e mallrave janë të mjaftueshme, ndërsa kompanitë disponojnë me rezerva ushqimi të cilat mund t’u përgjigjen nevojave të tregut. Shteti nuk do të lejojë goditje të çmimeve, do t’i mbrojë qytetarët. Grurë dhe miell do të ketë, buka do të shtrenjtohet. Në fuqi është Vendimi për marzhat tregtare dhe inspektorët janë vazhdimisht në terren. Nëse përcaktohet nevoja, do të reagohet me masa përkatëse.
Ky është mesazhi që e dërguan autoritetet pas informacioneve në opinion se marketet po zbrazen. Ata u bënë apel edhe mediave të kenë kujdes gjatë raportimit, pasi tani nuk është koha për spekulime dhe manipulime.
Edhe ekonomia është decide se popullata nuk duhet të druaj.
“Nuk ka vend për panik, nuk do të ketë ndikim ndaj çmimeve, nuk do të ketë as goditje të çmimeve. Vendi ka produkte të mjaftueshme të sasive të produkteve ushqyese dhe karburanteve të naftës në rezervat e mallrave. Momentalisht nuk ka nevojë të vendosen në funksion, duke pasur parasysh edhe prodhuesit e këtyre produkteve bazike kanë rezerva për periudhën mbi 35 ditë, duke mos përfshirë edhe ditët me të cilët mund të mbulojmë përmes rezervave shtetërore”, deklaroi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Sipas tij, buka e bardhë është shtrenjtuar në të gjitha marketet, tek disa çmimi është 25 dhe 27 denarë. Bekteshi pret ulje të lehtë të çmimeve të produkteve kryesore, në pajtim me Vendimin për marzhat tregtare, por tani për tani është e rëndësishme, thotë të mos ketë shtrenjtime.
Bekteshi informoi edhe se arsyeja për zbrazjet në disa markete këtë fundjavë, ka qenë tërheqja nga vet tregtarët.
“Nga ana e qytetarëve nuk ka pasur panik. Është konstatuar se disa nga tregtarët kanë tërhequr vetë rezervat dhe do t’i kthejnë sot me çmime të reja. Është tërësisht e përcaktuar nga institucionet kompetente dhe ne nuk do të lejojmë të ndodhë. Nuk është koha për manipulime dhe spekulime”, tha Bekteshi, duke theksuar se ata tregtarë që mendojnë se mund të manipulojnë institucionet dhe konsumatorët në këtë mënyrë do të sanksionohen dhe do të kontrollohen më tej.
Edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se nuk ka nevojë për panik – rezervat e mallrave janë të mjaftueshme ndërsa do të reagohet edhe me masa nëse ka nevojë.
“Rezervat shtetërore janë informacione të klasifikuara dhe për këtë arsye nuk kemi të drejtë që t’i bëjmë publike, por më e rëndësishmja është se jo vetëm rezervat shtetërore janë të mjaftueshme, por edhe rezervat që kanë kompanitë për nevojat e tyre të tregut janë gjithashtu të mjaftueshme. Kështu që, për momentin ka rezerva të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për panik. Ne do të vazhdojmë me furnizimin sa i përket rezervave shtetërore ashtu siç është paraparë në programin vjetor dhe si Qeveri i shqyrtojmë nevojat eventuale për përforcimin e mëtejshëm të dinamikës së rezervave, nëse ka nevojë për një gjë të tillë”, tha ministri Besimi.
Vendimi për vendosjen e marzheve më të larta tregtare në çmimet e shitjes së produkteve ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë ka hyrë në fuqi dje, pasi u miratua nga Qeveria të martën e kaluar me propozim të Ministrisë së Ekonomisë.
Kështu, vendimi i mëparshëm për ngrirjen e çmimeve të ushqimeve bazë pushoi së vlefshmi. Vendimi i ri, i cili shton në listën e produkteve ushqimore bazë frutat dhe perimet, grurin, vajin e papërpunuar të lulediellit dhe kripën, do të jetë i vlefshëm deri më 31 maj të këtij viti.