01/05/2024
10.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rasti “DokazM”, Apeli refuzoi kërkesën e Stamenkovskit për përjashtimin e prokurorit Rajçev

Pronari i portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski, në seancën e sotme publike në Gjykatën e Apelit në Shkup, kërkoi përjashtimin nga procedura e prokurorit publik Sasho Rajçev.

Sipas të pandehurit, prokurori publik Rajçev ka bashkëpunuar me të për disa nga lëndët për të cilat po gjykohet.

“Kërkoj që të përjashtohet i nderuari prekuror për konflikt interesi, sepse sipas informacioneve të mia të besueshme, personi Sasho Rajçev ka dërguar informacione që janë pjesë e rasteve për të cilat më gjykoni, por edhe për lëndët për të cilat Kryetari i Prokurorisë së Lartë Publike, Mustafa Hajrullahi, ka kërkuar falje nga unë, por edhe për çështje të tjera, tha i pandehuri.

Prokurori publik Rajçev i mohoi këto pretendime si të pavërteta.

Gjykata Penale – Shkup e dënoi Stamenkovskin me tre vjet e një muaj burgim. Sipas aktivendimit, ai përmes portalit të tij ka keqpërdorur të dhënat personale, për të cilat do të duhet të paguajë një gjobë prej pesë mijë euro.

Gjykimi i Stamenkovskit filloi më 7 mars me përjashtim të publikut dhe me dyer të mbyllura. Prokurorja Zorica Pavloviq propozoi përjashtimin e publikut nga lënda, pasi bëhet fjalë për vepër penale kundër moralit dhe mbrojtjes së jetës private. Bëhet fjalë për informacione që i referohen edhe jetës intime.

Ai u akuzua për disa vepra penale: dy akuza për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik dhe nga një akuzë për shantazh, pirateri audio-vizuale dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Stamenkovski është arrestuar më 9 shkurt të këtij viti dhe i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa shtëpia e tij është kontrolluar dhe janë sekuestruar dokumente, telefona celularë dhe pajisje tjera elektronike që janë ende nën hetim, si dhe një shumë e madhe parash.

Të fundit