Kuvendi mbrëmë miratoi riformatimin e Qeverisë dhe zgjodhi tetë ministra të rinj, duke shënuar zyrtarisht fillimin e një faze të re në punën e kabinetit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski. Megjithatë, në vend që vëmendja të përqendrohej vetëm te ndryshimet kadrovike, seanca u karakterizua nga përplasje të ashpra politike, fyerje, akuza të ndërsjella dhe kërkesa për falje, për shkak të të cilave një pjesë e opozitës e braktisi sallën e Kuvendit.
Kuvendi, me 69 vota “pro”, pa asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur” mbrëmë votoi Ministrat e rinj.
Ministër i ri i Drejtësisë u zgjodh Jeton Shasivari nga koalicioni VLEN, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski nga Lëvizja ZNAM, ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Agon Ferati nga VLEN, ministër i Shëndetësisë Sasho Klekovski nga VMRO-DPMNE, ministër i Turizmit dhe Kulturës Sedat Sulejmani nga VLEN, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE, ministër i Vetëqeverisjes Lokale Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, ndërsa ministër pa resor Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE.
Riformatimi i Qeverisë u shoqërua me një debat të tensionuar mes pushtetit dhe opozitës. Në fund të seancës, kryeministri Hristijan Mickoski u kërkoi falje deputetëve dhe qytetarëve për ngjarjet që shënuan seancën parlamentare.
Megjithatë, nga opozita kërkojnë që kryeministri t’u kërkojë falje drejtpërdrejt qytetarëve.
Në shenjë revolte, pasi nuk morën kërkimfalje nga Ivan Stoilkoviq, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën para votimit për ministrat e rinj.
Sipas opozitës, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ishte arritur marrëveshje që të miratohej një konkluzion për të dënuar sjelljen e Stoilkoviqit, por një hap i tillë nuk u realizua.
Akoma pa nisur mandatin si ministër për Vetëqeverisje Lokale, Ivan Stoilkoviq dëshmoi edhe një herë pse është llumi i kësaj qeverie. Me sjelljen e tij në Kuvend nuk meriton as vëmendje, e aq më pak duartrokitje! Në këtë mënyrë ka reaguar Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
ARBANA PASHOLLI – BDI
Nëse pjesëtari i komunitetit prej 1% mund të udhëheqë me gjithë pushtetin lokal, atëherë çdo argument kundër një Kryeministri Shqiptar rrëzohet automatikisht, ishte mesazhi nga foltorja e Kuvendit e Deputetes së Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti.
ILIRE DAUTI – Lidhja Shqiptare
Kanë reaguar edhe nga VLEN.
Përmes një komunikate thonë se VLEN po hyn në një fazë të re të qeverisjes me përgjegjësi të shtuar dhe me kuadro që mishërojnë profesionalizmin, dijen dhe integritetin.
VLEN
VLEN nga ky rikonstruim del edhe më i fortë politikisht, me gjithsej 6 ministri (vazhdojmë fuqishëm me kuadrot tonë edhe në Ekonomi, Mjedis Jetësor dhe Eurointegrime), si mision për të ndërtuar institucione më të forta dhe për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri.Ky nuk është thjesht një ndryshim emrash. Është një mesazh i qartë se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo interesave partiake. Është fundi i logjikës së privilegjeve dhe fillimi i një qasjeje që matet me punë, rezultate dhe përgjegjësi.
Ndryshe, Riformatimi i Qeverisë ndodh në gjysmën e mandatit të kryeministrit Hristijan Mickoski.








